Kristo Mërtiri: Një testament i Dritëroit “Në bankën e thesarit të popullit” …

157

Gazeta Telegraf/


NJË
TESTAMENT I DRITËROIT “ NË BANKËN E THESARIT TË POPULLIT “…


Përsiatje
nga cikli “Gazetar midis dy shekujve” në vigjilje të 13 tetorit


Nga Kristo Mërtiri

            -…Po
bëhemi si eshka, Kristo i dashur. Vërtet po eshkosem, por siç të kam thënë
dikur, po bëj siç bënë gjyshërit : Po i këndoj përsëri këngët që lanë ata,
veçse po i këndoj duke i krehur dhe duke i përkëdhelur. Një miku im këngëtar, e
thoshte bukur, “Këngën duhet ta përkëdhelësh, sepse trembet dhe ikën”…

            Kështu
u përgjigj pak ditë më parë (pasi fola me Sadijen në telefon) kur po e pyesja
për shëndetin, mikun tim të vjetër e të rrallë, Dritëro Agolli. Unë plot ankth,
ai plot humor të hollë, aspak qaraman, aspak hijerëndë a sqimatar. Të tillë e
njoha nga afër këtë njeri të mirë qysh në vitet e mia studentore, mbi 4 dekada
të shkuara. Fat e privilegj jo dosido. Ky patriark i publicistikës shqiptare,
në një kohë kur si polemist e humanist i kulluar (siç theksonte fjalëmprehti T.
Keko) mbetet gazetari që është sharë më shumë nga shtypi shtypës i pushtetit
anarkist e djathtist, por “asnjëherë nuk kanë guxuar ta akuzojnë si agjent apo
si njeri që ka shitur interesat e Shqipërisë”. Dhe asnjëherë nuk e quajtën të
korruptuar…Plot 15 vjet më parë, gjatë mërgimit tim të detyruar, erdha në Tiranë.
Mbytur në mall e në brenga. Nuk mund të kthehesha në arratinë dhimbjeshumë, pa
takuar Poetin e dashur që po i trokiste dekada e tetë në jetë. Një jetë e
veçantë e dinjitoze, një model krijimtarie e shqiptarie që do të ruhet gjatë në
brezat brenda e jashtë mëmëdheut hallemadh. Me një diktofon të vogël që dukej
sikur dridhej në xhepin e refugjatit buzëplasur, drejt e në shtëpinë derëhapur
të Dritëroit. U çmallëm e biseduam jo pak. Zbrazëm derte e maraze. Se prushi i
dialogut për Shqipërinë nuk shuhet kurrë, kudo që të ndodhesh në këtë botë të
korkolepsur. Zërin, fjalët dhe mendimet e tij të vyera i ruaj sot e kësaj dite
në shirita diktofoni. Si një hazine të rrallë ! Bashkë me fotot që na bëri
Sadija përballë një lëndine me bar e qengja motakë, ashtu të gjallë në një
tablo pikture të paharruar në sallonin e mirënjohur të mikpritjes. Biseda u
botua gati e gjitha në gazetë jashtë Atdheut, por me pak vonesë. Në dy numra
gazete, katër faqe. Mirëpo, zemra ime përballoi me sukses një infarkt të
papritur dhe një ndërhyrje kirurgjikale. Ato ditë e netë drithëruese
fatgremisur buzë Pireut, përgatita edhe një hyrje përgjithësuese në krye të
intervistës së ngrohtë, poshtë titullit “ Si do vejë halli ynë, o Dritëro !”,
për të sqaruar sadopak edhe atë vonesën krejt të padëshiruar:

            “Mbi
5 dekada më parë, në Menkulas të Devollit po gurgullonte pa bujë e zhurmë një
burim i ri i kulluar. Burim që sot është kthyer në një det të veçantë poezie,
valështruar a të sertë, të dashur e brengatrazuar. Emri dhe vepra e tij tashmë
kanë zënë vend të nderuar në historinë e lëtërsisë, në vetë historinë e
Shqipërisë tonë. Jam me fat e krenar që qysh në rininë time të hershme, ai u bë
poeti im më i dashur…Veç ky 13 tetor që po troket nuk është një fletë kalendari
e rëndomtë. Një ndër personalitetet më të mëdhenj të letrave shqipe mbush plot
70 vjeç. Një jetë të tërë duke lëruar si ai e jo të tjerë brazdat e poezisë.
Por edhe prozën e publicistikën. Ky “Demon i fjalës”, nuk heshti dhe as bëri
alibira gjatë tranzicion-kaosit në dhjetëvjeçarin e fundit. Përkundrazi.
Shpërthyen aq shumë lirika perla nga “plaku rebel në poezi”. Deri në 1997 kish
botuar 12 libra ! Por RTV-së i qe lidhur gjuha . Përse vallë ? Sepse nuk ishte
i partisë që drejtonte Televizionin(?!). Asnjë fjalë e mirë. Vetëm sharje e
shkumëzim urrejtjeje. Po kështu shtypi zyrtar i asaj kohe. O tempora, o mores ! Ligësitë e çmenduritë nuk kishin anë e fund.
P.sh., në çdo shkrim i përmendnin rakinë ! Vetë poeti as shante, as mallkonte.
Dhe as heshtëte. S’mund të harrohet ajo poezia aq e bukur, ku tregohet se si
Dritëroi e ftoi vdekjen të pinin bashkë dhe e dehu atë…Kjo ishte “hakmarrja” e
poetit. Nuk thuhet kot, që erërat e detyrojnë lisin t’i lëshojë më thellë
rrënjët. Ky mjeshtër i regjur, shpesh edhe nën dritën e qiriut a të llambës me
bateri, merrte penën dhe shkruante e shkruante plot patos e dashuri për
njeriun. Plot dhimbje. Dhe jo vetëm lirika, por edhe publicistikë të shkëlqyer
politike. Magjinë e fjalës së Dritëroit e ndiejnë dhe e mirëpresin kudo. Sepse
ai ishte dhe mbeti i të gjithëve dhe jo vetëm i socialistëve. Jo më kot
popullariteti, autoriteti, tirazhi e shitja e mjaft gazetave rritej natyrshëm
kur botonin shkrime dhe intervista nga Dritëroi, nga njeriu që nuk iu tremb
asnjëherë të djeshmes, të sotmes dhe të nesërmes…”.

            Rruga
për te miku yt i vërtetë nuk është asnjëherë e gjatë, më thonë shpesh vërsnikët
e mi që jetojnë e punojnë te Gryka e Këlcyrë-Mezhgoranit.

            Në
datëlindjen e 85-të të Dritëroit, nuk mund të heshtja. Por ndryshe nga herët e
tjera, dje u ndala më tepër përballë një testament të rrallë të Poetit.
Megjithse ai këmbëngul me modesti se nuk është as i pari dhe as i fundit,
gjykoj se media e kritika letrare kanë vëzhguar e janë larguar paksa
fluturimthi. Dhe nuk është diçka e rëndomtë, “është një testament jo në
rrafshin juridik, por shpirtëror”. Aspak financiar a monetar. Prandaj ka hyrë
natyrshëm në bankën e thesarit të popullit. Dhe jo thjesht si gjysh i
përmalluar. Unë e ripërjetova vetë edhe dje, duke lexuar e kënduar nën buzë te
“Kopshti i thëllëzave”, te “Shtegu i pëllumbave”, te “Guri i skifterëve” e gjer
te “Lëndina e qyqeve”. Një dorë mjeshtri ua ka shtuar harmoninë e tingëllimën
magjiplote këngëve stërgjyshore. Jo gjithë lexuesit e dinë që Dritëroi i ka
kënduar dhe i këndon bukur sot e kësaj dite, këmbëkryq me miqtë e shumtë në
fshatra e qytete. Dhe nuk është hiç “namuzqar” kur na thotë se shumicën i ka
mësuar nga gjyshërit nga nëna e babai, nga burra e gra të thjeshta. Bie fjala,
rrotull ish redaksive të gazetave “Zëri i Popullit” e “Bashkimi”, edhe sot gjen
banorë thinjoshë që të tregojnë jo pa emocione e nderim se si këndonte dikur
Dritëroi me nënën e vetë Hatixhe në atë apartamentin me dy dhoma. Frynte erë e
ngrohtë Devolli në zemër të Tiranës. Shkodrania e mirë Sadije, përpiqej t’u
mbante iso ! Por Xhexheja e shtrenjtë, një ditë mbylli sytë përgjithmonë e iku
në atë botë. Kolltuku i saj mbeti bosh. Ndërsa në shtëpi ka vite që nuk
dëgjohet më zëri gati në lutje e qejf : “Merrja ti o Ndriti, merrja, se ta mbaj
unë !…”. Sidomos për të famshmen “Mbeçë,
more shokë, mbeçë/ Përtej Urës së Qabesë/ Të fala i bëni nënesë
…”. Kurse
shkodrania tjetër, Xhuli (motra e Sadijes) tregon se kënga i kish përfshirë të
gjithë. “Dritëroi ishte skuqur i tëri dhe e dridhte zërin. Kishte një zë shumë
të bukur”. Rrëfimi i saj, befas po më kthente 35 vjet më parë në Tepelenë…

            Sapo
kisha nisur udhën e korrespondentit të përhershëm në Jug, me rezidencë në
Përmetin pikë loti mbi trëndafila. Sapo kisha ngritur folenë familjare. Ishin
festimet e papërsëritshme popullore të 24 Majit historik. “Mos e harro kurrë
atë mbarësi, në shtëpinë tënde të ka bërë këmbë Dritëroi…”, më thoshte
seriozisht e me zemër salarioti Lamçe Çuçi, miku im i veçantë që i kish shokët
të rrallë. E doja dhe më donte shumë ai njeri me shpirt të vërtetë proletari…
Të nesërmen do shkonim në Tepelenë. Dritëroi kërkoi vëllain tim. I futi krahun
dhe u ngjitëm ngadalë te prindërit. Te shkallët pashë babanë që i ndriti
menjëherë fytyra. Nëna nxori rakinë dhe mezet. Kur po ngrohej mirë muhabeti e
humori në apartamentin kuvli një dhomë e kuzhinë, poeti i madh kroi zërin dhe
pyeti pa qibër : A ka ndonjë burrë këtu që di ta mbajë mirë këngën ?… Unë, i
riu si veriu, fola si “jashtë radhe”, duke shprehur gatishmërinë. Nuk vonoi dhe
një zë si gurgullimë e pastër devollite vërshoi lirshëm :”Te plep i Bilishtit,
dy martina ranë !”. Dhe përmbyti çdo cep të shtëpisë në kërthizë të Tepelenës.
Ndërsa unë kalldisa e stonova shpejt, e mori “stafetën” babai me merakun e një
ustai të vjetër dhe ia doli mbanë për bukuri. Kënaqësia e Dritëroit tani po
dukej sheshit. Kur mbaroi vargun e fundit të këngës, mori gotën me raki Përmeti
në dorë (nuk thoshte kot Xhexheja , “tërë jetën ka pirë gotën, por jo
mendjen”), ngriti dollinë për mirësinë e këngës dhe për mbajtësin e saj të
thekur. U ngrit në këmbë dhe puthi babanë në pjesën e sipërme të kokës pa
flokë. Pastaj mu drejtua mua me një nënqeshje në buzë :-Ky burrë është usta i
vërtetë në të hedhur, ti çirresh e lodhesh kot, mëso të mos mbetesh çirak i
gjorë në sofra e zijafete… Nipit të vogël Artan, prapa kopertinës së një libri
për fëmijë, i shkroi një vjershë të bukur. Kujtim i çmuar…

            Kur
flet për testamentin me 101 këngët stërgjyshore, ai nuk rri pa përmendur edhe
një “antologji që nuk zinte kurrë pluhur”, të paharruarin Çoti Papuli nga
Zagoria, që tani vonë u përjetësua te romani “Arka e Djallit”. Këtë njeri
zemërbardhë unë e njoha nga afër në fund të viteve tetëdhjetë. Ia thoshte
këngës e ia hiqte valles me gotën plot raki në majë të kokës, si p.sh. “Ç’ka që
qan bejkë belaja ?”, “Mike me flori në grykë”,”Bilbilenjtë trembëdhjetë”
etj….”Unë i kam hedhur në fletorkë tinëz këngët e Çotit, i ndrittë shpirti atje
ku po prehet, dhe nuk e harroj kurrë thënien e tij në zijafet e sipër, kur
bënte shaka me vdekjen : “Atje te guri me vërë/ Një nga një shkojnë të tërë…”.
Por Dritëroi nuk ka qenë një mbledhës i zakonshëm folklori. Prandaj i do me
shpirt përkëdhelësit e mëdhenj të këngës. Dhe jo rastësisht kujton Banë
Vranishtin, tronditësin e viteve të fëmijërisë. Po kështu nipat e tij këngëtarë
me nam, Nevruz e Ali Kondi. Emrin e këtij të fundit unë e mësova herët. Kur
bëja praktikën mësimore si student në redaksinë “Zëri i Popullit”, Dritëroi
kish ikur në Lidhje. Por gjente kohë e kthehej shpesh te shtëpia e vjetër, te
kolegët. Një pasdite, i miri Xhevahir Spahiu më prezantoi te poeti i madh. Në
një bllok të vogël shënimesh me kapak jeshil, ruaj ende edhe fjalët e Poetit
zemërqëruar për këngëtarin e shquar Ali. Por në këtë sallon kuvendar, rreth
kësaj tavoline të madhe ku burojnë kujtime të ëmbla e të tharta, një ditë erdhi
tërë grupi folklorik me në krye Demir Zykon e pavdekshëm. Ç’i kanë dëgjuar
veshët atij pallati te “Rruga e Dibrës” !…Dritëroi nuk ta hiqte kollaj kapelën
për këngën.

            -Kënga
mund të bënte çudira më të mëdha. Në kohën e Luftës, në ditët e operacionit
gjerman të qershorit, në fshat bëhej një dasmë,-na rrëfen Poeti.-E habitshme,
por edhe në kohë lufte bëheshin dasma, pasi nuk mund të ndërpriteshin
lindjet…Në dasmë këndonte Banë Vranishti. Papritur vijnë gjermanët që ndiqnin
tre-katër partizanë të fshehur në fshat. Dasmorët u trembën, por Banë Vranishti
nuk e ndërpreu këngën. U rrethua oborri. Në fillim ata zhurmuan, pastaj ranë në
heshtje si tërë dasmorët. Zëri i Banës i shtangu. Pritën sa të mbaronte kënga,
pritën sa të fillonte një tjetër e një tjetër…Në vend që t’i zinin rob
partizanët, u zunë vetë rob nga kënga. Nderuan dhe ikën nga fshati. Banë
Vranishti i mundi gjermanët. Kjo ishte e vetmja betejë e tij në Luftë pa dalë
në male me partizanët…

            Ndoshta
vetëm kënga është e lirë në dasma, në luftëra, në vdekje. Fjala vjen, trimi
kokëkrisur Riza Kodheli(gdhendur te figura e komandantit Rrapo në romanin
“Komisari Memo”), në ditët e fundit të jetës la një amanet. Donte t’i vinte te
arkivoli një miku i tij me gërnetë. Dhe kështu ndodhi…Një befasi e këndshme:
Disa bashkëfshatarë të mi në Tiranë, po lexonin me zë të lartë në kafene këngën
e 90-të :Qan një kalë e qan një mushkë/Qan përroi që zbret në fushë…Ra një
pushkë natën vonë/Pranë lisit me zgërbonjë/Veshur Ali beu si zonjë /Fshehur
pushti pas fustanit/Vrau të birin e çobanit/Prapa lisave të stanit./Ali bej,
moj dhelpër zuskë/Fshehur nën fustan si krushkë…
”. Mirëpo, ngulnin këmbë se
bëhej fjalë për ngjarjen makabre te “Ara e Kara Mërtirit” mbi Bathishtë, ku
kulla e bejlerëve i preu kokën pabesisht mbrojtësit trim të kufirit të
fshatit…4 metaforat e këtij testamenti agollian ose “katër shkallët e tempullit
të këngës”, do të jetojnë gjatë “në bankën e thesarit të popullit”. Aty është
edhe vetë shpirti i Dritëroit i përzjerë me gjyshër e stërgjyshër. Ndryshe nuk
mund të kuptohet dot Poeti ynë. Festofsh edhe 100 vjetorin e lindjes, miku im
shumë i dashur !…