Bashkim Hoxha/ Vlerat i kërkojmë larg, por i kemi njerëzit e mirë fare pranë. Dr.Arsen Seferi është njëri prej tyre

168

I kemi njerëzit e mirë fare pranë

Portret i paautorizuar i doktor Arsen Seferi.

Arsen Seferi- mjeku i njohur edhe jashtë vendit, nuk ka ikur si shumë të tjerë, është në Tiranë. I kërkojmë larg vlerat, kur i kemi fare pranë, këtu në Shqipëri.

 Nga Bashkim Hoxha

 Për herë të parë emrin e mjekut Arsen Seferi e dëgjova nga një kolegia jonë, që kishte shkuar në një nga spitalet më të njohura të Italisë për një problem mjekësor që kishte. Kur mjeku i njohur në krye të spitalit e kishte pyetur se nga ishte dhe kolegia jonë kishte përmendur Shqipërinë, mjeku i kishte thënë:

“Kot je lodhur deri kaq larg. Ju keni Arsenin në Tiranë, në Shqipëri”.

Edhe kolegia ime për herë të parë e dëgjonte emrin e tij.

Nuk është hera e parë që ndodh që vlerat i kërkojmë larg, kur i kemi fare pranë. Zakonisht ne gjërat e afërta i nënvleftësojmë, i nënvleftësojmë nga fakti që i kemi para syve përditë, për faktin se ndajnë të njëjtën jetë të zakonshme si ne të gjithë dhe kur kemi hall vështrimin e hedhim larg; atje është besimi.

U bëra kureshtar për të njohur mjekun me emër deri në Itali dhe mësova se jetëshkrimi tij profesional ishte shumë i pasur: një itinerar që përfshinte universitete dhe institucione më të larta të mjekësisë evropiane.

Mësova se ishte diplomuar në Universitetin Mjekësor të Tiranës, që për hir të të vërtetës duhet të themi se nxjerr mjekë që bota po na i merr lehtësisht. Specializimin për kirurgji dhe neurokirurgji e ka bërë në Qendrën Spitalore Universitare Tiranë, por diplomën për neurokirurg e ka marrë duke studiuar pesë vjet në universitetin “La sapienza”, në poliklinikën “Umberto i Parë” në Romë në Itali. Më pas vjen një specializim në mikoroneurokirurgji në Zyrih Zvicër, specializim për teknikat e reja vaskulare në Vienë, Austri, specializim për kirurgjinë e epilepsisë në “Niguarda Ca’ Grande Hospital” në Milano, Itali, mbrojtja e doktoraturës në “La Sapienza”, Itali, specializim në Pisa, Itali për radiokirurgjinë dhe kthimi në Tiranë. Një itinerar specializimesh në qendrat më prestigjioze dhe pranimi në “Urdhrin e Mjekut” në Itali plotësojnë biografinë shkencore të mjekut modest, biografi, të cilën ne që e kemi pranë fatkeqësisht nuk e njohim mirë.

Kohët e fundit jemi mësuar me eksodin e mjekëve nga Tirana drejt vendeve të tjera. Është një hemorragji që ka dëmtuar rëndë mjekësinë tonë. Specialistë, fillestarë, të gjithë i kanë sytë nga jashtë shtetit ku ofertat nuk mungojnë.

Me Arsenin ka ndodhur ndryshe.

Nga qendrat prestigjioze evropiane udhëtimi i tij ka ndalur në Shqipëri.

Ndoshta edhe për këtë fakt duhej ta kisha mësuar më parë emrin e tij. Por lajmi i keq, problematik mbërrin më parë se sa këto itinerare profesionale që çojnë pranë njerëzve tanë, në Shqipëri.

Në bisedë me Arsenin u përpoqa të kuptoj se, përse nuk ka qëndruar atje ku ka pasur edhe oferta, por është kthyer në Shqipëri.

E ka një shpjegim edhe ky kthim: Njeriu qëndron aty ku ndjehet i realizuar profesionalisht dhe njerëzisht. Arseni e quan të paplotë karrierën e tij profesionale pa këtë shërbim ndaj njerëzve këtu në Shqipëri. Duke ndjekur nga afër punë e tij, vura re se Arseni i trajton njerëzisht pacientët e tij. Pacientët e duan Arsenin dhe unë u çudita se sa shumë e njihnin. Një ditë pune tij është një mundësi komunikimi me njerëz që vijnë nga afër dhe nga larg. Emri i tij ka mbërritur në çdo skaj të Shqipërisë.

Nuk është e lehtë të vesh një emër të tillë si Arseni.

Njerëzit që halli i çon në dyert e spitaleve kanë krijuar një tjetër tip të doktorit, edhe pse është e rëndë ta themi, në disa raste abuzivë. Në këtë peizazh të ngatërruar portreti i Arsenit shfaqet tek dera e sallës së operacionit i individualizuar, në kontrast të plotë më paragjykimet e krijuara, dhe të bën të besosh se ka edhe shumë mjekë të tjerë të tillë si ai, pranë njerëzve, duke i kushtuar vëmendjen e duhur për t’i shëruar dhe për t’i bërë të mundur të shijojnë jetën sërish pa dhimbje.

Në bisedë me Arsenin gjen, jo vetëm profesionistin e mirë, por edhe një intelektual të kompletuar. Ai ka këndvështrimet e tij mjaft interesante për realitetet shqiptare dhe të ndriçon disa aspekte që, të mundur nga problemet, ne të tjerët nuk i vëmë re. Angazhimi i tij në punët e përditshme është shprehja e plotë e asaj që ai ndjen dhe bën për shoqërinë.

Mjafton një bisedë me të dhe e kupton se tërë itinerari i gjatë shkencor në vise të Evropës e ka bërë të kuptojë më mirë njerëzit tanë, Shqipërinë dhe të gjejë vendin e tij në shoqëri. Ndërsa unë, duke biseduar me Arsenin kuptoj se sa e rëndësishme është të duash profesionin dhe vendin tënd si ai, sa vlerë ka angazhimi i përditshëm me përgjegjësi për të qenë pranë njerëzve tanë të mirë. Dhe ndjehem mirë kur gjej vlerat njerëzore kaq të pranishme në jetën e përditshme.