Xhevdet ZEKAJ/ Ndërprerja e kampionatit, “thikë me dy presa”

492
Sigal

Sigurisht, skuadrat shqiptare të futbollit do të detyrohen t’i nënshtrohen asaj periudhe ndërprerjeje të ndeshjeve, kur hapet edhe merkato e janarit, që sipas nesh, nuk është se mund të ndryshojë shumë gjëra në to, qoftë për ato që synojnë kreun, qoftë te fundi, që synojnë mbijetesën. Mirë do të ishte që kjo ndërprerje të mos ishte e tipit me një kohë të zgjatur, një muaj i plotë, siç ndodh, sepse nuk do të ndikonte pozitivisht për rritjen e mjeshtërisë sportive. Një parim i njohur në futboll, se loja e futbollit zhvillohet duke luajtur, ndryshe loja mësohet me lojë, e vërteton këtë gjë. Të themi të drejtën, këtë kampionat kemi parë një impenjim e rivalitet më të mirë të skuadrave të ligës superiore, në një kohë që liga në të vërtetë nuk ekziston. Dhe ky mbetet paradoksi më i madh, pika më e dobët dhe diskredituese në qasjen e futbollit tonë me atë europian. Sidoqoftë, nuk është ky qëllimi i shkrimit tonë, por rrekja për ndonjë sugjerim modest skuadrave, se ç’ duhet bërë për të pasur një përmirësim të gjendjes aktuale të tyre, me jo pak oshilacione, sikurse thoshte edhe i madhi Sokol Kushta. Dhe një specialist si ai ka mundur patjetër të konstatojë falë evidentimeve të vazhdueshme që u bën ndeshjeve luhatje në ritëm, në volum të veprimeve, qoftë disa herë edhe nga pikëpamja e organizimit të lojës. Kjo është mëse e vërtetë tek katër pretendentët për titull, që kanë këmbyer vendet me njëri-tjetrin javë pas jave si në një “stafetë”. Skuadrat tona e përmirësojnë performancën e tyre pas një seri ndeshjesh zyrtare të fillimkampionatit, kur arrijnë edhe maksimumin e mundshëm. Tani që skuadrat gjenden përpara faktit të ndërprerjes 1-mujore të aktivitetit zyrtar, atëherë përqendrimi bie, njëlloj shthurjeje qoftë edhe psikologjike vihet re, ndaj kujdesi për këtë periudhë duhet shtuar. Literatura bashkëkohore e trajningut sugjeron se duhet menduar profesionalisht, më mirë dhe më me mençuri në këtë pikë të garës. Në Europën tonë kemi mjaft metoda që argumentojnë këto ndërprerje, që bëhen disa herë të detyrueshme gjatë periudhës së dimrit. Ka vende në Europë që zbatojnë periudha fare të shkurtra, si p.sh Italia, Franca, Spanja, Anglia, Skocia etj. Ka disa të tjera që aplikojnë disa ndërprerje disi më të gjata, prej 2-4 javë, si p.sh Gjermania, Holanda, Belgjika etj. Por mjerisht ka edhe vende që këtë periudhë e zgjasin më shumë, disa janë të detyruara për shkak të periudhës me dimër mjaft të fortë, kur bora dhe ngricat e bëjnë të pamundur zhvillimin e ndeshjeve zyrtare. Të tilla vende, p.sh, si Norvegjia, Suedia, Rusia etj., janë të detyruara të kryejnë një ndërprerje më të gjatë. Në këtë rast gjejmë praktika të ndryshme, sepse vende si Rusia dhe ndonjë tjetër, e zhvillojnë sezonin sipas periudhës pranverë-vjeshtë dhe më tej pranojnë periudhën tranzitore, por me ndryshimin nga metodat e hershme. Mesa kemi vënë re, skuadra të tilla zbresin dhe në vende me temperaturë më të ulët se e tyre, por ka edhe nga ato që preferojnë ta plotësojnë këtë periudhë në vendet e tyre, më përjashtimin që theksin kryesor ua vënë përgatitjeve në formë loje. Kemi vende si Gjermania, me periudhë më të shkurtër, që aplikojnë metodën e lojës, duke organizuar turne futbolli, qoftë edhe me numër të reduktuar lojtarësh, në formë turesh. E gjithë kjo bëhet për të mos lënë jashtë metodën e lojës, sepse kjo e fundit, në këtë periudhë, është më e mundshme për të ruajtur dhe mbajtur në një shkallë më të lartë të formës sportive ekipet. Në këtë mes, metoda e lojës shikohet si më e përshtatshme. Këto metoda i përmendëm në mënyrë që të zgjedhim atë që na përshtaten më shumë. Kemi ekipe shqiptare që preferojnë të dalin jashtë kufirit dhe të vazhdojnë një përmirësim të gjendjes fizike, duke e kombinuar dhe me komponentët e tjerë të lojës. Sigurisht, nuk do të ishte ndonjë veprim i gabuar, por të shkosh, p.sh., në Maqedoni, apo në Malin e Zi, nuk do të kishte ndryshim me klimën tonë, vetëm se ndoshta do të mungojë kushtet më të përshtatshme këtu. Të themi të drejtën nuk do ta shikonim shumë të përshtatshme një largim të tillë, sepse do ta konsideronim edhe njëfarë turizmi, që nuk i përshtatet shumë futbollit. Ka edhe ndonjë skuadër që preferon Turqinë, ku kushtet për stërvitje janë më të mira, duke u angazhuar për të zhvilluar dhe ndonjë ndeshje stërvitore. Në këtë mes dëshironim të argumentonim se në futboll dhe përgjithësisht në sport ekziston dhe termi “aklimatizim”, që sipas nesh, do të thotë: stërvitemi në një klimë që ndryshon nga jona dhe ndeshjet pas kësaj përgatitjeje do të vijnë t’i luajmë në Shqipëri. Pikërisht në këtë qasje kemi evidentuar vitet e kaluara se skuadrat që janë përgatitur në Turqi nuk na kanë bindur me rifillimin e garës, nuk kanë demonstruar një formë sportive të mirë. Si metodë më të përshtatshme do të shikonim parimin shumë të aplikuar në Europë, atë të metodë-lojës. Me të vërtetë vështirësitë i sjellin dhe shumë nga stadiumet tona. Megjithëse themi se po i ndërtojmë me tapete të reja, ato tregojnë gjendje të mjerueshme. Tirana dhe Partizani, fjala vjen, kanë “armikun” më të madh kur luajnë në shtëpi, tapetin e “Qemal Stafës”, që nëse nuk ndërrohet për pjesën e dytë të kampionatit, do të jetë një gangrenë e vërtetë për këta dy pretendentë kryeqytetas për titull. Shumë nga fushat e Superiores, në mot me shi, bëhen të papërshtatshme për të luajtur normalisht futboll, me një cilësi të pranueshme. Këtu do të përmendim edhe faktin që shumë nga këto tapete vijnë të cilësisë së dobët, sosen shpejt dhe nuk i shërbejnë zhvillimit sa më normal të ndeshjeve. P.sh., edhe pse dimër dhe shi, terren i rënduar, fushat angleze nuk duan t’ia dinë për ujin. Kështu ndodh edhe në vende të tjera, ku ndeshjet i shikojmë të zhvillohen në kushte mjaft normale. Në këtë periudhë duhet të zgjedhim metodat më të përshtatshme stërvitore, të vëmë në evidencë edhe sportet plotësuese, që tashmë i shikojmë si të harruara në stërvitjet tona. Të tilla sporte plotësuese do të ishin aplikimi i ndeshjeve të basketbollit, hendbollit, volejbollit, tenisit, futbollit, ndeshje në minifusha, me grupe. Do të thoshim se kupa të tilla mund të bëhen edhe mes skuadrave tona, mund të ndërtohen duke ftuar edhe skuadra nga jashtë vendit, sidomos kufitarët tanë. Kështu do të mund të ruhet më mirë forma sportive, do të mund të provojmë më mirë lojtarët rezervë, lojtarët e rinj, ndonjë skemë të lojës, që e kemi pasur të vështirë ta aplikojmë, dhe së fundi do të mund të afrojmë më shumë spektatorë. Sidomos kjo bëhet e mundshme kur këto kupa i zhvillojmë dhe me pjesëmarrje të skuadrave të huaja. Kjo, përgjithësisht, është mënyra më e aplikueshme në shumë nga vendet europiane, që përveçse do të mbanin në nivel më të mirë formën sportive, do të gjendeshin në fillimin e ndeshjeve të ardhshme zyrtare në një gjendje më të mirë stërvitore, njëkohësisht do të garantonin një formë sportive të ruajtur më mirë. Kjo metodë do të vërtetonte më mirë aplikimin e metodave më shumë të aplikueshme në Europë, që emërtohet “periudha evolutive”, që është metodë e kohës sonë në përgatitje. Sot metoda e skuadrave europiane është përgatitje e vazhdueshme evolutive, ku në planin stërvitor dominon metoda globale. Nuk duhet të harrojmë se në këtë plan, vend kryesor do të merrte kurimi i disa elementëve të pazhvilluar mirë të një pjese të lojtarëve. Nuk duhet të mungojë plani i stërvitjes individuale, nuk duhet të mungojnë stërvitjet në salla të forcës, sepse forca te lojtarët tanë, sidomos ajo fizike dhe goditëse, lë shumë për të dëshiruar.