Ronaldo “nderon” sulmin, fiton “Topin e Artë 2014”

611
Sigal

Portugezi e fitoi këtë çmim ndaj Neuer-it dhe Messit, ndërkohë trajneri më i mirë i vitit u shpall Jogi Lëv i Gjermanisë

Dje, u mbaj në Zvicër mbrëmja gala e ndarjes së çmimeve për më të mirët e futbollit botëror, si për futbollin e meshkujve, futbollin e femrave dhe trajnerët më të mirë të vitit, gjithashtu u shpall edhe formacioni më i mirë i vitit, ku nuk munguan edhe surprizat. Pavarësisht të gjithave, çmimi më i madh është padyshim “Topi i Artë”, që sheh për të dytën herë radhazi si fitues, Kristiano Ronaldon, i cili e dërgon në tre numrin e këtij trofeu të fituar gjatë gjithë karrierës së tij, duke u afruar më shumë drejt Messit që ka arritur ta fitojë plot katër herë këtë çmim. Ashtu siç edhe ishte përfolur, ky titull do ndahej mes Ronaldos dhe Neuerit që në fakt u mbështet nga shumë figura të këtij sporti, por që gjithsesi nuk ia doli që të fitonte përballë “furisë” që ka sulmi në konceptin e sotëm për futbollin, ku më shumë meritë në çdo takim dhe turne, marrin sigurisht golashënuesit dhe futbollistët që luajnë në repartin e avancuar. Anëtari tjetër i kësaj tresheje “magjike”, Lionel Messi, ishte futbollisti që e plotësoi numrin e më të mirëve të vitit, e duke cituar fjalët e Kristiano Ronaldos, “Do ishte diçka e bukur nëse do i shihnim këta futbollistë që të luanin në të njëjtën skuadër”. Një mbyllje në perfeksion e vitit për Kristiano Ronaldon, që e gjen përsëri veten si më të mirin e botës, e në fakt nga shumë sportdashës, pavarësisht pëlqimeve, pak kanë dyshime në lidhje me fitoren e tij, edhe pse fitorja e Neuerit, nëse do të kishte ndodhur, do të ishte plotësisht e merituar. Por pak vlerë ka ky çmim për “murin lëvizës”, kur në sirtarin e tij ka një trofe më të madh, atë të Kupës së Botës, e mund ta shpalosë me krenari para syve të shtatë Topave të Artë, Ronaldos dhe Messit, që nuk duket se do e fitojnë ndonjëherë atë çmim në karrierën e tyre. Sa i përket trajnerit më të mirë të vitit, këtë titull e mori me meritë të plotë trajneri në detyrë i Gjermanisë, Jogi Lëv, që e shpalli Kombëtaren Gjermane kampione bote pas plot 24 vitesh. Si “kundërshtar” për këtë trofe, Lëv kishte Ançelotin dhe Diego Simeonen, që përkatësisht vazhdojnë të trajnojnë skuadrat e Madridit, Realin dhe Atletikon. Ky, padyshim është trofeu më i rëndësishëm në karrierë për Lëv, sa i përket titujve individual, pasi sigurisht që si çmim ka vlerë shumë më të vogël sesa Kupa e Botës që e fitoi bashkë me skuadrën në 13 korrik 2014. Në futbollin e femrave ishte një gjermane që triumfoi, Nadine Kesseler, duke e bërë këtë shtet, padyshim një nga më të titulluarit me çmime individuale ditën e djeshme, ku nuk munguan as prania e futbollistëve gjermanë në formacionin më të mirë të vitit, me Neuer, Lahm e Kroos. Pjesëtarët e tjerë të këtij formacioni ishin Ramos, Tiago Silva, David Luiz, Robben, Di Maria, Iniesta, Messi dhe padyshim Cristiano Ronaldo. Me shpërndarjen e çmimeve mbrëmë, i jepet fund edhe me fjalë vitit 2014, ku tanimë të gjithë ata sportistë dhe trajnerë që ishin të pranishëm për çmimet, do të vendosin synimet e 2015-ës, ku sigurisht fitorja e sa më shumë titujve është kërkesë e të gjithëve.

Donis Avdijaj shkon në Bundesligën austriake tek Sturm Graz

 Futbollisti shqiptar me klauzozë largimi 50 milionë euro nga skuadra e Schalkes, Donis Avdijaj, po shkon drejt kampionatit austriak për t’iu bashkuar skuadrës së Sturm Graz, sigurisht që vetëm në formë huazimi. Mosha e tij e re dhe hapësirat e pakta që ka gjetur tek “mbretërorët blu”, bënë që këta të fundit të gjenin një skuadër për futbollistin që të rritej profesionalisht dhe të kishte më shumë minuta të luajtura për skuadrën. Futbollisti 18-vjeçar ka pranuar pak kohë më parë që të përfaqësojë Kombëtaren shqiptare, por që akoma nuk është thirrur nga De Biazi, me arsyen se nuk ka luajtur për skuadrën e tij aq sa të vihen në provë aftësitë e tij. Tanimë me kalimin tek skuadra austriake, Avdijaj do të ketë më shumë minuta në dispozicion çka do të thotë padyshim edhe një thirrje nga De Biazi, sa i përket Kombëtares.

  Dinamo-Tirana, miqësore para fillimit të kampionateve

 Faza përgatitore e skuadrave, si në Superligë ashtu edhe në Kategorinë e Parë, ndërtohet rreth përgatitjes fizike të futbollistëve, por kjo përgatitje, në brendësi ka edhe ndeshje miqësore që janë në fakt të pashmangshme pasi futbollistët duhet që të ruajnë formën sportive duke parë periudhën e gjatë të ndërprerjes së kampionateve. Një ndeshje interesante do të luhet mes Tiranës dhe Dinamos, ku këto dy skuadra e kanë bërë si traditë takimin mes tyre para fillimit të kampionateve, qoftë në fazën e verës apo në atë të dimrit. Kjo ndeshje sigurisht që shihet me një interes të madh nga të dyja palët, sepse për secilën skuadër është një mundësi e mirë që të masë forcat me skuadra që ruajnë një nivel në futbollin shqiptar, ashtu si Dinamo tek grupi A i Kategorisë së Parë dhe ashtu si Tirana në Superligë. Data e saktë e takimit akoma nuk është vendosur, por gjithsesi do të luhet brenda afatit të fazës përgatitore të Tiranës, duke qenë se mbarojnë më shpejt sesa Kategoria e Parë që ndeshjet e radhës i kanë me datë 7 shkurt.

  Shanset reale për titull tek më të mirat e Superligës

 Me skuadrat aktuale, formën e tyre dhe pikët e grumbulluara, është bërë e qartë çdo gjë mbi ekipet që kanë zgjatur më shumë “duart” drejt titullit kampion. Është thëne dhe është rithënë se katër vendet e para aktualisht në renditje, do të ndajnë mes tyre titullin kampion. Fillimi i fazës së dytë të Superligës do të sjellë as më pak e as më shumë sesa një kampionat prej katër skuadrash, ku pengesa kryesore do të kenë 6 ekipet e tjera, nga të cilat tre janë në “luftë” të vazhdueshme njëra me tjetrën që të vazhdojnë të qëndrojnë në ligën e parë, ndërsa tre skuadrat e tjera (Laçi, Vllaznia dhe Flamurtari) kanë synimet kryesore në fillimin e ndërtimit të skuadrës për sezonin e ardhshëm, duke qenë se për këtë sezon i mbyllen dyert e fitimit të titullit pa i hapur mirë akoma. Faza përgatitore, në vetvete mund të sjellë ndryshime të ndjeshme tek skuadrat, ku secila do të jetë në gatishmëri që të përfitojë nga gabimet në pikë. Edhe pse është akoma shumë herët që të flitet për javën e parë të kampionatit në 2015-ën, deri më tani disa skuadra kanë bërë “lajm” me ndeshjet miqësore që kanë zhvilluar, e ajo skuadër që më shumë është përfshirë ka qenë dhe vazhdon të jetë padyshim ekipi i Skënderbeut, që në tre takime miqësore të luajtura, ka pësuar më shumë gola se ç’do të kishte dashur, duke mos arritur nga ana tjetër që të shënojnë asnjë deri më tani.

Shaqiri: Me Interin do shpallem kampion në SerieA

Duket se ka filluar me një frymë pozitive përvoja e Xherdan Shaqirit tek klubi italian i Interit, ku edhe pse nuk ka luajtur akoma asnjë minutë, Shaqiri ka vendosur pretendimet që në fillim të pranisë së tij. I pyetur dje nga gazetat zvicerane për përvojën fillestare dhe se si po i duket Interi, ai është përgjigjur se pikë së pari është habitur për pritjen që i kanë bërë tifozët në aeroport por edhe më tej, ku vihet re një sjellje e ngrohtë karshi tij. Shaqiri më tej vazhdon se ka vlerësuar shumë oferta që erdhën në drejtim të tij, por që e bindi më shumë ajo e trajnerit Mançini që ka një plan që i përshtatet edhe ideve të vetë futbollistit. Ish-bavarezi shpjegoi se ka si synim shpalljen kampion me Interin, duke sjellë si shembull edhe Lotar Mateusin, që mbërriti tek Interi në vitin 1988 dhe vetëm pas një viti “zikaltërit”, arritën të shpalleshin kampion në SerieA, pas shumë vitesh mungesë. Ky për Shaqirin është një shembull dhe ogur i mirë.