Vladimir Bega, “Gjenerali” i portës së “5 Shtatorit”, “Tomorrit” dhe “Shkëndisë” së mjeshtërisë sportive

1160
Sigal

 ( Dhënë për Gazetën Telegraf.al, më 30 Shtator 2015 )

Nëse ka një postulat të gjithëpranuar për vlerësimin e futbollit të “5 Shtatorit” besoj se nuk gjej kund kundërshtim, se reparti i mbrojtjes së portës ka qenë një traditë nga më të mirat e të gjitha kohërave. Këtë traditë, që i kalon kualitetet e një futbolli të një skuadre modeste, do ta shtronte fillimisht i famshmi Paulin Ndoja, për të vazhduar më tej me trajningun e M. Bazes, deri tek portieri dhe trajneri i mirënjohur,Vladimir Bega. Do të ishte legjenda shkodrane që në vitet e aktivizimit te “5 Shtatori” do të “mbillte” farën e kësaj traditë që do të bëhej më tej një inkubator i kualiteteve absolutisht nga më të mirët jo vetëm brenda grupit, por që do shkonte deri në majë, në ekipet e përfaqësueseve kombëtare. Merkatoja e futbollistëve u njoh si realitet masiv mbas viteve ’90, ndërsa tek “5 Shtatori” kjo praktikë kishte nisur disa vite më parë, të gjitha skuadrat do të huazonin portier, që nga skuadra e ekipit kombëtar deri tek ato më të shquarat e futbollit elitar, në vend, si “Flamurtari”, “Lokomotiva”, “Shkëndija”, “Tomorri”, për të vazhduar më tej me ekipet e “24 Majit”, “Minatori T”, “22 Tetori”etj., dhe protagonisti i shkrimit tonë ka qenë një nga ato rastet unikale të merkatos me “klering”. Historiku i këtij reparti ka në listën e tij personalitete kurajoze, të thjeshtë, dhe shumë pasionant për futbollin. M. Hotova do të ishte i pari që do kryesonte rang-listën në vitin e largët të 59-s, atëherë kur “5 Shtatori” do të formalizohej zyrtarisht si klub futbolli. Më tej lista do pasurohej, jo vetëm me emra të tjerë, por me kualitete nga më të spikatura të futbollit jo vetëm lokal, por shumë më tepër se kaq. A. Maqellari, P. Nasi, K .Meçani, L Strumi, P. Ndoja, N. Guri, M Bregu, A Ibro, V. Laze, P. Kaculi, A. Muçi, F. Laze, V. Bega, M. Caka, B. Zeneli, A. Musabelliu, D. Naço do të plotësonin “skuadrën” e portierëve për të vazhduar me ata të pas viteve ’90, të cilët me keqardhje na duhet ta themi se do ta çonin këtë traditë deri në anonimat. Diferenca në moshë ka qenë e tillë që në qytetin e vogël jemi rritur bashkë, çka dua të them, se jo pak të vështirë e pata ta besoja se Ladi ishte serioz në rrëfenjat e tij, madje për këtë siguroi se edhe “vërsnikët” e tij nuk mund ta besojnë apo mbajnë mend se paska qenë ndonjëherë inferior në shtatlartësi! Por është sa e çuditshme, po aq e vërtetë se ky gjigant i përmasave të lartësisë perfekte të portierëve deri në vitin II të gjimnazit ishte diku tek 155 cm, çka e selektonte si kavalier të mbrëmjeve të gjimnazit dhe jo më si sportist. Ndërhyrjet e çdo gjenerali apo koloneli ishin të pamjaftueshme për ta ndihmuar. Ishte kjo shtatlartësi e munguar që do t’i ulte “vjetërsinë” nga aktivizimi me juniorët e “5 Shtatorit”, së paku për dy vitet e para të gjimnazit. Te “gardian” me sa duket ka qenë një simbiozë e jetës së gjigantit të portës, teksa edhe sot me gradën e gjeneralit e ushtron këtë “zanat” me të njëjtin fanatizëm, por tashmë në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, aty ku disiplina dhe serioziteti i Vladimir Begës është një nga shembujt e munguar të administratës tonë shtetërore. Eh… kjo i shton edhe një akses plus, duke e bërë një nga ato rastet e librit Gines, të jetëgjatësisë së “gardianëve”…!!!

Fillimet e Vladimir Begës

 

Në kujtesën e Ladit janë të freskëta ato fillime të klasës së 3-të fillore, atëherë kur…, çuditërisht ngjashmëria e zhvillimeve të talenteve edhe këtu ka të njëjtën rrugë, sa unë dyshoj që po do të bëhesh talent dhe i famshëm duhet ndjekur e njëjta “recetë”; me patjetër duhet të vuash për të gjetur një top, të jesh i paveshur mirë, të mos kesh këpucë sportive, ta nisësh “karrierën” diku aty nga klasa e 3-të, apo më çuditshëm akoma, ta kesh fillesën në ndonjë rrugicë apo oborr pallati, ndërsa për portierët avantazhi i të “larosurit” me baltë të bënë më tërheqës. Absolutisht kështu ka nisur edhe Ladi, asnjë nga këto “kushte” nuk i ka munguar…!!! Ndoshta ka qenë kjo arsyeja që u bë i tillë! Ambicia e hershme e tij ishte t’i ngjante njërit prej portierëve të radhës, të asaj kohe mikut tonë K. Meçanit…?! Dhe për të “arritur” këtë i është dashur që krahas “stërvitjes” si portier i lagjes të ishte edhe një frekuentues “autodidakt” i stërvitjes së ekipit të qytetit aty, ku dhe specifikisht ka “kryer” punën e të mbledhurit të topave mbrapa portës, kur trajneri M. Baze stërviste portierët. Këto shënojnë edhe “leksionet” e para të fillesës së një karriere që me kalimin e viteve do shkëlqente me një kreshendo me diferencë të frikshme amplitude. Të jetuarit deri në moshën 10-vjeç në Vlorë do ta kompletonin atë edhe me “zanatin” e vjetër lab, teksa këtë do ta bënte, jo për të plotësuar kushtet e të dhënit nuse, por për të “vjedhur” gjithçka që duhej për t’u bërë një portier aq i mirë, sa më s’bëhej, prishej. Talentin dhe dëshirën ka ditur t’ia lexojë mjeshtërisht legjenda e trajningut M. Baze që në atë kohë, duhet të “luante” indiferentin duke i krijuar hapësira të “rastësishme” në portë. Kjo nuk do ishte pak, por një shpresë për të besuar se mund të realizonte ëndrrën. Kur dëshira po ngjizej me talentin, vuajtjet i shtoheshin nga “persekutimi” i shtatë shkurtësisë, por sërishmi do të besonte dhe punonte më fort, aq më tepër që tani kishte edhe një “kumbarë” trajner, që shikonte tek Ladi përtej gjatësisë. Koha do ta rriste, por vetëm në moshë “Goditjen” e radhës do ta merrte që në nisje të gjimnazit teksa shokët e klasës vazhdonin stërvitjen me ekipin e të rinjve, atij iu desh të rrinte sërishmi mbas portës për të pritur topat, por këtë radhë të moshatarëve të tij. Në “pritje” për t’u rritur ai asnjëherë nuk u tërhoq nga dëshira. Në memorien e tij, Bega kujton se ndeshja e parë në TV, ka qenë ai takim i finales të vitit 1971, kur Brazili i Peles do të rrihte ne finale 4:1 Italinë. Ky takim do t’i ngacmonte ëndrrën edhe më tej .Gjithsesi viti II në gjimnaz do të jepte shenjat e para të një mrekullie, që as vetë Ladi nuk do ta mendonte. “Rehabilitimi” vonoi, por nuk harroi, Zoti do t’ia kuptonte dëshirën dhe do t’i jepte jo shtatlartësi normale, por atë perfekte, madje edhe tani vitaliteti i konstruktit të tij e bën një rival, konkurrues me “moshatarët” e gjysmës së viteve të tij.

Sipari i karrierës si portier

 

Tashmë doli në “det të hapur” dhe askush nuk mund ta pengonte. Do të dilte nga “informaliteti” i portierit pa “kupon” dhe do legjitimohej në përballjen e parë zyrtare atëherë kur në një spartakiadë me grumbullim në Përmet, do të shkëlqente me pritjet e tij. Më tej “fati” do ta ndiqte teksa përballë “minorëve” të mëdhenj Tegu, Papuçiu, Mahmutaj të Apollonisë trajneri do t’i ngarkonte të ruante portën për herë të parë në një kampionat kombëtar të kat II (të rinjtë). Kundrejt kualiteteve të tilla Ladi ka befasuar me paraqitjen e tij, edhe pse me këtë performancë i ka bërë karshillëk edhe përgjegjësit të ekipit të Apolonisë, vëllait të tij, Bujarit. Për këtë më shumë se kolona e golave të pësuar “0”, flasin rastet e shumta që Ladi ka mundur t’i evitojë, falë një sigurie ekselente. – “Aktivizimi ka qenë fare rastësor, nevoja për një qendërmbrojtës bëri që trajner A. Harizaj, të aktivizonte portierin e parë si qendërmbrojtës dhe kështu m’u hap rruga mua” – tregon Ladi. – Kemi fituar 1:0 në një takim shumë të fortë dhe jemi kualifikuar për në grupe. Më tej nuk kam mundur ta ndjek më ekipin, sepse më është dashur të grumbullohem me të rriturit në Shijak, atëherë kur jemi ngjitur në kategorinë II, mbas një viti “stazhi” në III. Kampionati ’76-’77 ka qenë sipari i karrierës si “big” me ekipin e “5 Shtatorit”, por bëhej fjalë vetëm si federim, sepse për t’u bërë pjesë e formacionit duhej të kaloje shumë “male”, ku një nga më kryesorët ishte forma e shkëlqyer e portierit M. Bregu, por jo pak i rëndësishëm ishte që të ishe i pëlqyer tek “senatorët e trojkës”. Gjithsesi shumë më shpejt se sa mendonte vetëm pak javë nga fillimi i kampionatit në tetor ‘76, në takimin “Erzeni” – “5 Shtatori”, ‘15 nga fundi, dëmtimi i portierit Bregu i jep rastin e parë për të bërë ballafaqimin e parë me uniformën e “5 Shtatorit”. Puna e portierit matet me golat e pësuar, edhe këtu Ladi e pati “ 0” këtë shifër Të njëjtin rast do të “shfrytëzonte” edhe mbas disa javësh, kur do të vihej në provën e madhe përballë atij Naftëtari që mbas këtij edicioni do të ishte në kat I. Ladi tregon se ka qenë një përgjegjësi e madhe, sepse ishte rasti që të justifikonte veten me besimin e dhënë, por më shumë se kaq, mbështetjen që i kishte dhënë trajneri Baze. “Nuk e mendoja fort të ndershme këtë hapësirë në një takim, me një ekip që kishte në përbërje kualitete të shquara të futbollit sikur B. Sulejmani F. Ismaili,V. Skuro, B. Xheko etj., etj., gjithsesi dola faqebardhë, takimi përfundoi 0:0 – tregon Ladi, për të vazhduar se – diku nga minuta e ’15, Nj. Bregu shkakton penallti, të cilën e ekzekuton B. Sulejmani, topi ka dalë jashtë, por nëse dal jashtë modestie e them se ka qenë i “detyruar”, sepse ndryshe e kisha të kapur, i kam kuptuar krahun dhe e kam shoqëruar topin deri sa doli jashtë. Ky rast më çliroi dhe mandej gjithçka e kam zotëruar me qetësi dhe siguri. Kampionati ’77-’78, ka qenë nga më të bukurit e të gjitha kohërave për futbollin e “5 Shtatorit”, ishte koha kur krahas grupit shumë të mirë ekzistues përforcimet e H. Çeços, A. Hysit dhe F. Gurit e bënin ekipin nga më të fortët e kampionatit. Ishte një atmosferë sportive që ngjan sot me atë të Kombëtares. Ka qenë një moment kur trajneri e ka pasur më shumë se të vështirë për të përzgjedhur formacionin. Jo vetëm në portë por në të gjitha repartet rivaliteti brenda grupit ishte prezent, kjo mesa duket solli këtë paraqitje nga më të mirat që mbaj mend. Rrotacionet në portë, por jo vetëm, më tepër kanë qenë për të ruajtur ekuilibrat, hatërmbetjet, se sa tregonin formën sportive, sepse të gjithë e meritonin formacionin. Ndër takimet që kanë lënë mbresë në atë vit, kujtoj atë “5 Shtatori” – “Besa” 1:1, ku golit të H. Çeços i është përgjigjur me barazim A. Mullaliu në fund të takimit. Më kujtohet si tani – vazhdon gardiani- takimin e dytë e kemi zhvilluar në Kukës, kemi fituar 2:4, jam futur zëvendësues kur rezultati ishte 2:2. Në atë kohë aty zhvillohej një Festival i Estradave dhe prezent në stadium ishin edhe aktorët e humorit sikur S. Sallaku, M. Bega, G. Kruja, Z. Deda, F. Hasa etj., etj., të cilët patën rastin të merrnin një material të gatshëm humoristik. Në një moment kur topi kishte dalë jashtë dhe loja ishte ndërprerë, një nga futbollistët vendas e merr dhe shkon e bënë gol…! Nuk mund ta pranonim këtë, kështu që po protestonim tek gjyqtari që e kuptonim që ishte në pozicion të vështirë, por ne na rrezikohej fitorja. U krijua një gjendje sa e tensionuar aq edhe humoristike. Në këtë situatë S. Sallaku futet në fushë e merr topin dhe e vendos në qendër duke e quajtur gol. Gjithçka këtu përfundoi…, goli ishte i rregullt Ky ishte një “vendim” i pa apelueshëm, dhe kjo situatë kaloi me humor, por në listën e golashënuesve të FK Kukësit duhet të jetë edhe emri i humoristit të shquar S. Sallaku.

Vladimir Bega, pjesë e plejadës së portierëve më të mirë në Shqipëri

Ky kampionat ka qenë nga më të bukurit dhe, edhe pse nuk kemi fituar të parën kemi qenë për të tillë- do të përfundonte Ladi për këtë takim.” Më tej aventura me “5 Shtatorin” do shkëputej teksa mbasi lehtësisht fitoi konkursin për në ILKF “Vojo Kushi” iu desh të zgjidhte midis korrespondencës apo ditës! Ndërhyrja e të atit si dhe “oferta” me 3 vjet ushtar në kufi do të ishte “kërcënimi” që do të mposhte “kërkesën” korrespodencë që edhe vetë Ladi e dëshironte. Do ta linte këtë entuziazëm për të filluar fakultetin në shtator 1978. Ishte koha kur “Shkëndija”e atyre viteve do të bënte epokë në futbollin shqiptar teksa do të bëhej furnizuesja e ekipit kombëtar dhe e të gjitha ekipeve të tjera të kategorisë I. Në ekipin e Shkëndisë do të ishte rival permanent i A Maliqatit, derisa në vitin 1980-81, falë një performancë ekselente do të definitohej në portën e “shkëndijësave” duke tërhequr vëmendjen e specialistëve të futbollit ku shihnin tek Bega një perspektivë të shkëlqyer. Paraqitjen fantastike në stadiumin “Qemal Stafa”, që ai ka bërë në takimin e Kupës së Shqipërisë “17 Nëntori” – “Shkëndija” 0:0. Padyshim edhe vetë portieri duhet ta ketë në klasifikimet e shkëlqyera të karrierës së tij. Ajo që është një vlerë e shtuar dhe “autentike” është “poliglotizmi” i tij për të luajtur po kaq profesionalisht sa edhe portier pothuaj në të gjitha sportet ku veçon më tepër në pingpong, basketboll, volejboll, not etj., duke përfaqësuar fakultetin pothuaj në të gjitha aktivitetet e universiteteve apo kombëtare. Mbarimi fakultetit do ta vinte në shënjestrën e ekipit të Tomorrit të Beratit, por partia në rreth ka qenë tepër më e fortë se ajo e Beratit, teksa një përfaqësi do të tërhiqte dokumentet e “djalit tonë” Duke u ruajtur nga ndonjë mbivlerësim që vjen nga krahinizmi im, ajo që është e pamohueshme është se nga viti 1980-1990, në ekipin e “5 Shtatorit”, ka qenë një plejadë portierësh nga më të mirët në Shqipëri. Kështu portierët e nivelit të M. Bregu, V. Bega, L. Zeneli, A. Musabelliu apo D. Naço kanë qenë kualitete që në cilindo ekip të kategorisë I do të ishin portier të parë. Menjëherë mbas mbarimit të fakultetit do të rreshtohej si kapiten i “5 Shtatorit”, por kontributi do të vazhdonte me korrespodencë edhe gjatë kohës së zborit 5 mujor, Në memorien e Ladit është fiksuar ai takim i tetorit ’82, “24 Maji” – “5 Shtatori” – Nga hera me Përmetin kemi qenë rivalë. Mbaj mend se ishim në zbor në Gjirokastër dhe pothuaj i gjithë reparti me student nga Skrapari, por edhe nga rrethet e tjera është shpërngulur në mbështetje të ekipit tonë. Aty kanë qenë edhe shumë tifozë të ardhur nga Skrapari. Ishim vonë dhe ashtu sikur isha me uniformë jam veshur dhe kam dalë në fushë. Ky takim ka përfunduar 0:0 , por unë jam ndier mirë dhe kam marrë vlerësimet maksimale nga bashkëqytetarët e mi duke pritur edhe një penallti. – kujton Ladi. Historiku i ekipet të vendeve fqinjë flet për “armiqësi” të përjetshme midis tyre, ndërsa me Beratin ishte ndryshe, ndër vite sipas rastit kemi këmbyer futbollistë. Transferimi i “gardianit” për tek Tomorri ka qenë nga më interesantët që rezervon merkatoja e futbollistëve jo vetëm tek “5 Shtatori”, por në Shqipëri. Trajneri i shquar G. Mukli e kërkonte Begën me çdo çmim në ekip, madje qëkur se ishte student. Asnjë negociatë nuk funksionoi. Ladi tregon se kur gjithçka kishte përfunduar pa asnjë marrëveshje, fare papritur drejtuesit e partisë kishin ardhur për të kërkuar ndihmë tek kolegët e Beratit për fushatën e korrje – shirjeve. Kaq mjaftoi që sekretari I i partisë së Beratit të vinte veton duke e kushtëzuar këtë, me transferimin e tij. Bisedat ishin aq të ashpra dhe jo miqësore sa “palët” vetëm “halli” i bënte të negocionin. Vlera e merkatos ishte e barabartë me 7 autokombajna, por besueshmëria e palëve ishte tejet mosbesuese . Kështu “operacioni” do quhej i kryer mbasi të ishte verifikuar nisja e autokombanjave dhe atëherë një përfaqësues nga Skrapari do të më dorëzonte dokumentet në Berat. Nga ky moment “gardiani” do të fillonte një aventurë një vjeçare tejet të suksesshme, në një grup cilësor futbollistësh sikur Kovaçi, Kokalari, Mile, Cilingir, Arbëri, Kadëna etj etj nga më të mirët e Tomorrit. Dalja nga premtimet e autoriteteve të Beratit do ta rikthente sërishmi në ekipin e origjinës ku do të bënte kapitenin si dhe do të ishte trajner i ekipit të “5 Shtatorit” për disa vite derisa do t’i rikthehej sërishmi “dashurisë” së vjetër me Tomorrin , por tashmë si zv. trajner dhe trajner i portierëve. Aventura si trajner i Tomorrit dhe FK Skraparit përbën një cikël më vete në karrierën sportive të Ladit, por ne jemi të “detyruar”të respektojmë “gong”-un e hapësirës se lejuar. Vladimir Bega vlerëson si më të mirët, Tomashevskin e Polonisë 1974, Bufonin e Italisë dhe Kasijas, lojtarin e Spanjës. Në Shqipëri P. Musta, I. Luarasi. Në Skrapar, Maksi Bregu dhe Daut Naço. Bega: “Të jesh portier është një pozicion që kërkon bashkëpunim me grupin, duhet ta menaxhosh dhe dirigjosh atë, në rastin e lojtarit përgjegjësia shpërndahet, kurse me portierin nuk ndodh kështu”, kjo është vetëm personale. Kjo e “keqe” ka të mirën se në këtë pozicion shmangen vetiu ndërhyrjet dhe bërrylat. Vëreni faktet në të gjitha rastet kur portierët nuk e ka merituar formacionin i ka nxjerrë vetë loja”, thotë Vladimir Bega.