Viti 1927,  kur teknologjia dhe sporti u shkrinë në një dhe u përftua “art”

1076
Sigal

Futbolli është një sport që si përbërës kryesor ka emocionin. Por provoni të shikoni një ndeshje pa zë, pa komentim, pa fjalë dhe vetëm me 22 futbollistë (ndonjëherë më pak), që sillen pambarimisht në një fushë për 90 minuta ose më shumë. Emocioni që ndihet është pothuaj zero, pothuaj. E nëse ndiqet kjo “procedurë”, do të kuptojmë se çfarë kanë ndier tifozët e futbollit para vitit 1927 dhe praktikisht para datës 22 janar të këtij viti, ku ndeshjet ishin pa zë dhe emocionet e drejtpërdrejta mund të përjetoheshin vetëm nëse ishe në stadium. BBC, rrjeti i madh radioteleviziv britanik, solli për herë të parë për publikun e gjerë emocionet e zërit në ndeshjen mes Arsenal dhe Shefild Junajtid që u nda paqësisht 1-1, duke ju gëzuar më shumë përparimit të teknologjisë sesa ndeshjes aktuale. Ky transmetim u bë i pari në botë në llojin e tij, sa i përket futbollit dhe mbahet mend dhe përkujtohet çdo vit, si për të thënë: “Shiko sa larg kemi arritur!”. Sporti dhe teknologjia që shkrihen në një dhe prodhojnë “art”, duke kënaqur mijëra e mijëra sportdashës e praktikisht futbolldashës. Situata dhe teknologjia e solli që çdo gjë të përparonte, e deri në ditët e sotme ku transmetimet janë në stadin më të lartë të teknologjisë, e ku ndeshjet nuk hasin probleme të shfaqen nga një kontinent në tjetrin. Kjo ndeshje dhe kjo iniciativë ishin kërkesë e kohës dhe sigurisht që zëri është pjesë e pandarë e një ndeshjeje, po aq sa edhe pamja vizive. Nisur nga kjo, vlen të flasim edhe për Shqipërinë, ku Radio Tirana solli në jetë transmetimin e parë dhe emisionin e parë në Shqipëri sa i përket sportit, me zë, e sigurisht që në atë kohë bëhet fjalë për futbollin. Ishte data 31 shtator 1938 kur u komentua ndeshja e parë e futbollit, e transmetimi i një ndeshjeje në televizion duhej të priste edhe disa vite të tjera pasi vetëm në vitin 1965 kamera e vetme e RTSH u zhvendos të transmetonte dhe të regjistronte ndeshjen e parë të futbollit shqiptar. Shihet qartë se si është zhvilluar çdo gjë, që nga futbolli e deri tek elementet esencialë të tij, që nga pamja, transmetimi i drejtpërdrejtë, zëri e ritransmetimi për t’u kthyer në një nga sportet më të dashura jo vetëm për shqiptarët por në mbarë botën.

 Komisioni i Disiplinës rifreskon kujtesën e “shkelësve” të kampionateve

 Dukej si një çështje e harruar, por siç duket Komisioni nuk ka ngurruar që të japë vendimet e shkeljeve të bëra gjatë javës së fundit të ndeshjeve të 2014-ës, duke zënë “mat” disa nga klubet e Superligës dhe të Kategorisë së Parë, gjithashtu dënime ka edhe për ekipet e moshave të skuadrave të ndryshme. Dje, Komisioni doli me një vendim në lidhje me shkeljet disiplinore që kanë bërë tifozët e ekipeve të ndryshme por edhe futbollistët dhe drejtuesit. Ky vendim vjen pikërisht pak ditë para fillimit të kampionatit, e duket si një çështje e harruar, por siç duket, “punimet” në drejtësinë sportive në vend nuk kanë të ndaluar. Nga skuadrat e superiores gjendën nën ndëshkim Vllaznia, për hedhje të sendeve në fushën e lojës nga tifozët e saj, veprime që këto nuk kanë shkaktuar ndërprerjen e ndeshjes, duke u dënuar kështu me 50 mijë lekë gjobë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe Skënderbeun, ku tifozët kanë hedhur sende të forta dhe mjete ndezëse në fushë, pa u ndërprerë ndeshja, e korçarët janë gjobitur me vetëm 20 mijë lekë. Po kështu është edhe për Kukësin dhe Tiranën, që për hedhje të sendeve në fushë pa shkaktuar ndërprerjen e ndeshjeve, gjobitën me nga 20 mijë lekë Kukësin dhe 50 mijë lekë Tiranën. Ndërkohë, skuadra tjetër e Superligës, Flamurtari, ka marrë një gjobë më të rëndë se aq, pasi përveç hedhjeve të sendeve të forta dhe ndezëse në fushë nga tifozët, shtohet edhe rasti i ofendimeve, duke e dërguar vlerën e gjobës në 200 mijë lekë. Po ashtu edhe në Kategorinë e Parë skuadrat janë dënuar me gjobë dhe në rastin e Butrintit, për sjellje të gabuar të tifozerisë së saj, është dënuar me 1 ndeshje pa tifozë. Kundër këtyre vendimeve, të interesuarit mund të ankohen brenda tre ditësh në Komisionin e Apelit.

 De Biazi “kontrollon” Superligën, etiketon futbollistët cilësor

Edhe pse është akoma herët, De Biazi ka vazhduar punën e tij në të mirë të Kombëtares, duke bërë një “skaner” të përgjithshëm si kampionatit ashtu edhe futbollistëve, ku kryesorja është padyshim përzgjedhja e më të mirëve të kampionatit për t’u ofruar një vend në kombëtare atyre që realisht e meritojnë. Kjo nismë e trajnerit është padyshim një formë për të vlerësuar dhe për të parë më mirë zhvillimin dhe punën që bëhet tek të gjitha ekipet e Superligës. Dje, De Biazi ishte tek Partizani ndërkohë që para Partizanit, trajneri i kushtoi kohë skuadrës së Tiranës. Në ditën e djeshme trajneri i Kombëtares vizitoi qendrën stërvitore të “demave” ndërkohë u shpreh mbi futbollistët dhe punën që bëhet në kampionatin shqiptar: “Kisha dëshirë të shikoja punën që bëjnë kolegët në kampionatin shqiptar me të cilët diskutova edhe rreth gjendjes fizike të disa lojtarëve. Ne i ndjekim të gjithë. Edhe kur unë nuk jam i pranishëm këtë e bëjmë nëpërmjet televizorit dhe internetit. Mungojnë edhe dy muaj nga ndeshja shumë e rëndësishme me Armeninë. Duhet të kërkojmë të marrim në kombëtare lojtarët që janë më mirë fizikisht dhe në këtë optikë po vëzhgojmë edhe disa prej tyre që luajnë në Kampionatin Shqiptar”.

 “Qemal Stafa” nuk është gati, Tirana-Apolonia në “Niko Dovana”

 Duke qenë se stadiumi kombëtar “Qemal Stafa” nuk do të jetë gati për fillimin  e kampionatit, edhe pse u parashikua e kundërta, ndeshja mes Tiranës dhe Apolonisë do të zhvillohet në Durrës, në stadiumin “Niko Dovana”. Ky vendim vjen sigurisht nisur nga nevoja për të gjetur një stadium sa të përshtatshëm aq edhe afër me skuadrën e Tiranës, duke qenë se kanë edhe ndeshjen në “shtëpi”.

 IFFHS: Kampionati shqiptar, i 67 në botë

Federata Ndërkombëtare e Historisë dhe Statistikave në Futboll ka bërë renditjen e vitit sa i përket nivelit të kampionateve në rang ndërkombëtar, duke e renditur Superioren shqiptare vetëm në vendin e 67 dhe në krahasim me një vit më parë ka një rënie të dukshme, ku pozicionohej në vendin e 59-të. Sigurisht që kjo renditje e re (dhe negative) ka ardhur si pasojë e rezultateve shumë të dobëta që ekipet shqiptare kanë në ndeshjet ndërkombëtare që bëhen për kualifikuese në Ligën e Kampioneve apo në Ligën e Europës. Sa i përket më të mirit kampionat në botë, ashtu si çdo herë këto katër vitet e fundit, është shpallur kampionati spanjoll, i ndjekur nga ai italian, anglez, argjentinas dhe çuditërisht vetëm në vendin e pestë ndodhet kampionati gjerman.

Besara Ibraj