Viron Bezhani/Sporti, shansi i fundit për të qenë i vlerësuar dhe mbështetur

505
Sigal

Një sport më autonom në vendimmarrje, më shumë orë të edukimit fizik në shkolla, mbështetje më e madhe financiare

Për sportin po hapet një epokë e re, një epokë që ka lindur pas zgjedhjeve të 23 qershorit, një mundësi që ai të ngrejë kokën pas shtypjes që i është bërë pa mëshirë vitet e fundit. I lënë në harresë për 8 vjet me radhë sporti shqiptar ka lënguar shumë dhe sot është në këtë gjendje të mjerueshme, thuajse të pashpresë, pasi nuk është vlerësuar ashtu si duhet. Por nga shtatori ai nuk do të jetë më një prapashtesë e MTKRS-së, por do të kemi Ministrinë e Arsimit dhe Sportit. Për këtë arsye, që në fillim të këtij opinioni dua t’u tërheq vëmendjen atyre që do të drejtojnë këtë Ministri apo edhe qeverisë së re, se sporti duhet parë në një këndvështrim tjetër, më të gjerë, jo thjesht si një lojë argëtimi me top, apo një vrapim i thjeshtë për të kaluar kohën. Nëse veprojmë kështu, atëherë nuk kemi bërë asgjë. Duhet një politikë e detajuar, një politikë e hapur, gjithëpërfshirëse dhe mbështetëse për sportin, që ai të shohë me shpresë nga e ardhmja.

Në fund të fundit, sot e rëndësishme nuk është se ku ndodhet sporti, në cilën Ministri apo më vete. I rëndësishëm është fakti nëse ky sport do të vlerësohet apo jo nga qeveria e re, do ta shohë apo jo me prioritet? Kush do të drejtojë sportin dhe sa të preokupuar do të jenë ata që do të drejtojnë sportin për ta shfrytëzuar praninë e tyre pranë tij? Nuk dua të paragjykoj askënd, as qeverinë e re pa filluar ende punë, por të shohim se si ajo dhe drejtuesit e sportit do të punojnë e më pas të flasim hap pas hapi. Rëndësi ka të kuptohet se pa sport nuk ka edukim dhe pa edukim nuk do të kemi një rini të shëndetshme, por do të shohim e dëgjojmë gjithnjë ato lajme të tmerrshme për rini të lokaleve, kazinove, drogës etj.

Filozofia e sportit është e qartë: Ai ka vlera edukative dhe shëndetësore, pasi një popull aktiv dhe që merret me sport do të vuajë më pak, do të konsumojë më pak ilaçe e shërbim shëndetësor. Ai largon rininë nga veset e këqija, kazinove e drogës, duke e bërë atë të përgjegjshme për të ardhmen e saj. Sporti ka mundësi të ngrejë sërish kokën dhe do ta bëjë këtë gjë krah për krah me arsimin. Në ato shkolla ku njeriu edukohet e arsimohet sot edhe mund të stërvitet e të rritet i fortë fizikisht. Kjo do të thotë më shumë orë të edukimit fizik në shkolla, një kërkesë e domosdoshme për të cilën kemi marrë kritika edhe nga BE-ja. Pra, nuk ka edukim të një njeriu pa edukimin e tij fizik. Qeveria e re duhet ta shohë sportin pranë Ministrisë së Arsimit jo si shtojcë, por të mbështesë fuqishëm të gjitha programet zhvilluese. Sot politikat e sportit duhet të ndryshojnë me themel një sistem shumëvjeçar të përgjumur e të dështuar, ku në bazën e tij të jetë masiviteti e në majën e piramidës, cilësia. Politika që kanë të bëjnë edhe me shtimin e orëve të edukimit fizik në shkolla, një mangësi që ka sjellë një rini të kafeneve dhe jo të aktiviteteve, ndërkohë që duhet të jetë e kundërta.

Fillimisht duhet punuar për ta shtrirë sportin në çdo qelizë të saj. Hartimi i programeve inkurajuese e mbështetëse, që synojnë dhe nxitin një pjesëmarrje të gjerë duhet të jetë në themel të sportit shqiptar. Kjo duhet të shtrihet në çdo grupmoshë, në ndërtimin e ekipeve zinxhir që te fëmijët e vegjël, moshë ku duhet të brumoset se sporti është shëndet dhe të largon nga veset. Rikthimi i aktiviteteve sportive me fëmijët, adoleshentët apo të rinjtë duhet të jenë kryefjala e politikave sportive, duke rritur masivitetin. Duhet trokitur në çdo shkollë, që të afrohen sa më shumë të rinj, për të patur një bazë sa më të gjerë. Vetëm kështu mund të shpresojmë se sporti do të mbijetojë. Shkollat 9-vjeçare dhe ato të mesme duhet t’u atashohen klubeve e shoqatave sportive, duke afruar në orët e lira edhe mësues e specialistë të jashtëm. Ata mund të punojnë në palestra me nxënësit apo me persona të jashtëm që e duan sportin, për të rritur masivitetin, për të krijuar një rini më të shëndoshë dhe edukative.

Ndaj, qeveria por edhe vetë Ministria e Arsimit e Sportit duhet të shohë si prioritet shtimin e mjediseve sportive apo shfrytëzimin e atyre ekzistuese, një prej problemeve më të mëdha të këtyre viteve të fundit. Ambientet sportive janë të mbyllura, në një kohë që duhet të rrinë 24 orë të hapura në shërbim të komunitetit, pasi sporti shqiptar ka shumë nevojë për mjedise për t’u marrë me sport. Në këto kushte që është Shqipëria, ku terrenet sportive, kryesisht ato të hapura, janë shkatërruar thuajse krejt, palestrat e shkollave janë një mjedis i domosdoshëm për t’u marrë me sport. Për këtë duhet një bashkëpunim midis Bashkisë dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit (midis dy përfaqësuesve më të lartë të arsimit dhe sportit në këtë Ministri), që të bëhet e mundur vënia në dispozicion të palestrave të shkollave e jo të rrinë të kyçura.

Më shumë masivitet do të thotë më shumë cilësi dhe sot ka ardhur koha që duke e atashuar sportin pranë arsimit duhet ta realizojmë këtë objektiv, pasi duke punuar pranë shkollave sporti ka mundësi të rigjejë identitetin e humbur. Të krijojë atë masivitet të munguar për të shkuar te cilësia e shumëkërkuar. Dhe më pas, kjo cilësi mbështetet nga shteti me forma e politika të ndryshme, të përkrahet financiarisht për të arritur një rezultat pozitiv në arenën ndërkombëtare. Financa e pakët që ka pasur në dispozicion sporti prej vitesh është një tjetër gangrenë që duhet të gjejë zgjidhje, pasi sporti nuk mund të mbahet gjallë vetëm me lëmosha, por duke investuar në atë. Investime në infrastrukturën sportive, në cilësi, në kualifikimin e drejtuesve e trajnerëve, për të pasur një sport të fortë. Sporti shqiptar nuk duhet të ndihet inferior me fushat e tjera në aspektin financiar, por o barabartë, pasi pa është ai që e ngre flamurin kuqezi në çdo cep të botës. Në dy veprimtaritë e fundit më të mëdha ndërkombëtare (Lojërat Olimpike dhe Lojërat Mesdhetare), shteti nuk akordoi asnjë qindarkë, sikur këta sportistë nuk përfaqësonin shtetin shqiptar. Kjo nuk duhet të ndodhë më, pasi pa mbështetje financiare nuk ka kurrë zhvillim. Çdo politikë zhvilluese ka një faturë financiare dhe ajo duhet të jetë e mjaftueshme për të qenë të denjë kudo që përfaqësohemi. Sporti e meriton vëmendjen e qeverisë, pasi ai duhet të jetë i pranishëm dhe i prekshëm kudo.

Botërori i Notit

Zekthi përmirëson rekordin e tij në Barcelonë

  Evin Zekthi ishte notari shqiptar i radhës që, garoi dje në  Kampionatin e 15-të Botëror të Notit që po zhvillohet në Barcelonë të Spanjës. 16-vjeçari Zekthi garoi në 200 metra stil i lirë në baterinë e parë nga shtatë të tilla. Notari i ri shqiptar regjistroi kronometrin në 2’00”15, duke përmirësuar kohën e tij, me dy të mijtat, nga 2’00”17 që ishte koha e tij më e mëparshme më e mirë. Në përfundim të kualifikueseve, Zekthi u rendit i 59-ti nga 69 pjesëmarrës. Të dielën, nga delegacioni ynë garuan

Klavio Meça në garën e 400 metrave stil i lirë (u rendit i 46-ti nga 48 pjesëmarrës, me kohën 4’27”25) dhe Noel Borshi në 100 metra flutur (e 46-ta nga 53 pjesëmarrës, me kohën 1’06”77). Anxhela Kashari (16 vjeç} është dhe sportistja e fundit e delegacionit shqiptar. Ajo do të garojë në 50 metra stil i lirë.  më 3 gusht, në baterinë e 4-t nga nëntë të tilla. Kkoha e saj më e mirë është 28.03 sekonda.

GARAT E NOTARËVE SHQIPTARË

 Klavio Meça

400m stil i lirë, i 46-ti/ nga 48

Noel Borshi

100m flutur, e 56-ta/ nga 53

Evin Zekthi

200m stil i lirë     , i 59-ti/ nga 69

Anxhela Kashari

50m stil i lirë, 3 gusht

 Europiani i Bilardos, pesë kuqezinj në Sarajevë

 Shqipëria do të përfaqësohet me pesë bilardistë në Kampionatin Europian të Bilardos për të rinj, që do të zhvillohet në Sarajevë të Bosnjë-Hercegovinës nga data 30 korrik deri më 2 gusht 2013. Sipas Federatës Shqiptare të Bilardos, sportistët tanë do të garojnë në disiplinën me “9 gurë”. Ekipi ynë do të përbëhet nga Anis Sheri (Besëlidhja), Albion Pirko (Naftëtari), Eklent Kaçi (Tirana), Xhefri Kalaja (Tirana) dhe Enea Shytaj (Laçi). Delegacioni shqiptar do të shoqërohet nga drejtori teknik i FSHB-së dhe trajneri i ekipit Kombëtar të të Rinjve, Ermal Dyli. Pritet që, në këtë aktivitet të zyrtarizohet edhe ftesa për zhvillimin e Kampionatit Europian për të Rinj, Seniorë dhe Ladies për vitin 2014 në vendin tonë, ku priten të marrin pjesë rresht 500 bilardistë nga e gjithë Europa.