Hetim i ri, edhe FIFA kërcënon Milanin

469
Sigal

Nuk kanë fund telashet për Milanin, që herë pas here merr lajme të këqija që ia mbajnë pezull të ardhmen. Pas telasheve pa fund me UEFA-n, tashmë e ka radhën FIFA të kërcënojë kuqezinjtë, sepse ka hapur një hetim në lidhje me transferimin e sulmuesit Alessio Cerci nga Atletico, te Milan e më pas te Genoa.

Në janar 2016, pas një viti në huazim te Milani, Cerci u largua dhe kaloi në huazim te Genoa. Milani e kishte marrë vetë në huazim nga Atletico Madrid, në një shkëmbim huazimi me Fernando Torres.

Pikërisht kjo autostradë huazimesh për Cercin është nën hetim nga FIFA, sipas “Tuttosport”. Sipas qeverisë botërore të futbollit, Milani mund të ketë shkelur një pikë të rregullores së transferimeve ndërkombëtare, e cila sqaron se ndalohet rreptësisht ndikimi nga “palët e treta” në problemet sportive të një skuadre.

Sipas hetuesve, Milani mund të ketë ndikuar te Genoa në mënyrë që Cerci të luajë një numër të caktuar ndeshjesh, për të mos pasur probleme me marrëveshjen e mëparshme me Atleticon.

Një problem serioz, që i shtohet atij me UEFA-n, sepse së shpejti pritet verdikti i organizatës europiane në lidhje me Fair Play financiar dhe dënimet që e presin Milanin, përfshirë një përjashtim të mundshëm nga Europa League.