Triumf i “tangos” argjentinase, Holanda shpërthen sërish në lot

651
Sigal

Argjentinë 1978/ Skandal në ndeshjen Argjentinë-Peru në kurriz të Brazilit. Botëror, pa emra

Kampionati Botëror 1978, i 11-ti, u zhvillua në Argjentinë midis 1 dhe 25 qershorit. Kupën e Botës e fitoi Argjentina, që mundi Holandën 3-1 në kohën shtesë. Kjo ishte fitorja e parë e Argjentinës, që u bë kështu edhe ekipi i gjashtë që fiton Kupën e Botës (pas Brazilit, Uruguait, Italisë, Anglisë e Gjermanisë). Për herë të parë, numri ekipeve që morën pjesë në ndeshjet kualifikuese e kaloi numrin 100. Shqipëria mungoi në këto eliminatore, për shkak të një vendimi të Komitetit Qendror të Partisë Punës së Shqipërisë, për mospjesëmarrje të Kombëtares në ballafaqimet ndërkombëtare. “Argjentinë 1978” nuk kishte emra të mëdhenj të rangut të Pelëse apo Krujfit, por gjithsesi ka futbollistë të dalluar si Kempesi, Rosi, Krol. Është një botëror modest, si ai i Kilit më 1962. Një kampionat zhgënjyes! Gjithsesi, Argjentina dëshmoi se ishte ekipi më i mirë. Trajneri Menoti krijoi një skuadër kërkuese dhe të disiplinuar, sido që humbet në grup me Italinë, e cila ngrihet në nivelin e botërorit meksikan. Mbase një finale midis këtyre skuadrave latine në Buenos Aires, duke marrë parasysh se në Argjentinë prej më shumë se një shekull jeton një koloni e madhe italiane, do të kishte qenë  më interesante. Po, Holanda, ndonëse pa Kruifin, mbetet ende e fortë dhe arrin deri në finale. Po të mos harrojmë se edhe italianët në gjysmëfinale arrijnë kur Austria e Kranklit fiton pas 47 vjetësh 3-2 kundër RFGJ, ashtu si vetë Argjentina e cila mposht me golavarazh më të mirë Brazilin, pasi ka shpartalluar 6- 0 Perunë në një takim që u quajt skandaloz. Finalja Argjentinë-Holandë. Në këtë takim ka më shumë betejë se sa art. Madje ka dhe bërryla, shkelma të cilat nuk arrin t’i mënjanojë gjyqtari italian, Gonela, për të cilin kjo ndeshje është e fundit në karrierën e tij. Goli i Kempesit në minutën e 37-të dëshmon se ne fund të fundit ka dhe ndonjë mjeshtër që mund të admirohet. Pritet ndonjë shpërthim tjetër i tangos argjentinase që nis e dëgjohet gjithnjë e me pak në shkallët e stadiumit “River Pleit”, po shikuesit mbeten të akulluar kur dhjetë minuta para mbarimit holandezi Poortvilt barazon. Për të dytën herë në historinë e botërorëve kampionati do të përcaktohet në shtesë loje. Argjentinasit e kuptojnë se ky është shansi i tyre i fundit dhe Kempesi në minutën e 104-t shënon golin e dytë. Pastaj vjen goli i Bartonit që i jep goditjen e fundit “tulipanëve”, që ashtu si katër vjet më parë në “Gjermani 1974” (në finalen e humbur me Gjermaninë) ngushëllohet me vendin e dytë. Argjentina për herë të parë është Kampione e Botës, ndërkohë që suksesin e përsërit sërish në “Meksikë 1986”, ku Diego Maradona shënoi atë gol me dorë ndaj Anglisë.

REZULTATET

Grupi I

Argjentinë-Hungari 2-1

Itali-Francë 2-1

Argjentinë-Francë 2-1

Itali-Hungari 3-1

Itali-Argjentinë 1-0

Francë-Hungari 3-1

Grupi II

RFGJ-Poloni 0-0

Tunizi-Meksikë 3-1

RFGJ-Meksikë 6-0

Poloni-Tunizi 1-0

Poloni-Meksikë 3-1

RFGJ-Tunizi 0-0

Grupi III

Austri-Spanjë 2-1

Brazil-Suedi 1-1

Austri-Suedi 1-0

Brazil-Spanjë 0-0

Spanjë-Suedi 1-1

Brazil-Austri 1-0

Grupi IV

Peru-Skoci 3-1

Holandë-Iran 3-0

Skoci-Iran 1-1

Holandë-Peru 0-0

Peru-Iran 4-1

Skoci-Holandë 3-2

Gjysmëfinalet

Grupi I

Itali-RFGJ 0-0

Holandë-Austri 5-1

Holandë-RFGJ 2-2

Itali-Austri 1-0

Holandë-Itali 2-1

Austri-RFGJ 3-2

Grupi II

Argjentinë-Poloni 2-0

Brazil-Peru 3-0

Argjentinë-Brazil 1-0

Poloni-Peru 1-0

Brazil-Poloni 3 – 1

Argjentinë-Peru 6-0

Për vendin 3-të

Brazil-Itali 2-1

Finale

25/06/1978

Argjentinë – Holandë 3-1

Shënues: Kempes (A) 77’, Portvlit (H) 81’, Kempes (A) 104’, Bertoni (A) 116’

Përbërja simbolike e Botërorit

Filiol (Argjentinë), Nelinjo (Brazil), Serezo (Brazil), Pasarela (Argjentinë), Krol (Holandë), Galvan (Argjentinë),  Tardeli (Itali), Rumenige (RFGJ), Rosi (Itali), Kempes (Argjentinë), Betega (Itali).

Mario Kempes, “Lojtari i artë”

 Argjentinasi Mario Kempes, me gjashtë golat e shënuar fitoi “Këpucën e Artë”, por sulmuesi i famshëm u shpall edhe lojtari më i mirë i Botërorit. “El Matador” (vrasësi) shënoi 2 gola në finalen e madhe dhe 20 gola në 42 ndeshje me Kombëtaren e Argjentinës. Kempesi mori pjesë edhe në Botërorin e Spanjës më 1982-in por nuk arrin të shpëtojë përfaqësuesen e tij nga uragani i italianit Rosi me shokë. Dhe mendoni, në vjeshtën e vitit 1996, pikërisht ky Mario Kempes do të vinte në Shqipëri për të drejtuar Lushnjën. Gjithsesi, pati një aventurë të shkurtër në vendin tonë, kjo për shkak të ngjarjeve të vitit 1997.

Kroli

Kapiteni i Holandës, Rudi Krol, ashtu si me 1974, në botërorin argjentinas tregoi se është një futbollist i madh. Ka fituar 5 tituj kampionë në Holandë dhe 2 Kupa të Kampioneve me Ajaksin.

Pasarela

Mbrojtësi Daniel Pasarela është një nga të mirët Argjentinës (70 ndeshje/22 gola në 8 vjet). Si lojtar shënoi 134 gola në 451 ndeshje. Si trajner ka drejtuar Argjentinë dhe Uruguain.

 Bekenbauer: “Brazilin mund ta sfidojë vetëm Gjermania”

 Legjenda e futbollit gjerman dhe atij botëror, Franc Bekenbauer, e sheh Brazilin si favoritin kryesor për të fituar Kupën e Botës. Bekenbauer e ka fituar botërorin si lojtar në vitin 1974 në Gjermani dhe si trajneri në Itali 1990, ku u hakmor ndaj Argjentinës së Maradonës, e cila e kishte mposhtur në finalen e 1986. “Kaizeri” i referohet edhe triumfit të “Selecaos” në Kupën e Konfederatave për të argumentuar mendimin e tij, por nga ana tjetër beson se Gjermania mund t’i sfidojë 5 herë kampionët e Botës pikërisht në shtëpinë e tyre. “E kam parë Brazilin të luajë shumë mirë gjatë Kupës së Konfederatave dhe mendoj se të njëjtën dëshirë do të shfaqë edhe në Botëror. Realisht Brazilin mund ta sfidojë vetëm Gjermania. E di që përfaqësueset që kanë ngritur larg trofeun në Kupën e Konfederatave nuk e kanë fituar në të njëjtën periudhë Botërorin. Historia e Kupës së Botës tregon që Brazili është ekipi më fitues, sepse e ka ngritur 5 herë trofeun, ndërsa ne gjermanët jemi të dytët, sepse kemi numrin më të madh të gjysmëfinale të luajtura. Kemi një ekip të madh me Shvajnshteiger, Ozil, Nojer, Gëtce apo Rojss. Thuajse të gjithë këta lojtarë janë produkt i akademive tona.”

 Aksident në grumbullimin e Gjermanisë

Dy të plagosur, njëri prej të cilëve në gjendje të rëndë, është bilanci i një aksidenti në Val Pasiria, gjatë një ekzibicioni të Mercedesit në grumbullimin e kombëtares gjermane para fillimit të Botërorit. Piloti i DTM-së, Paskal Vehrlein, për të shmangur veturën e drejtuar nga piloti i Formulës 1, Niko Rosberg, ka përfunduar jashtë rruge duke shtypur një punonjës sigurie dhe një turist 63-vjeçar. I moshuari është dërguar në spitalin e Bolzanos me dëmtime të rënda. Sipas ‘Bild’, në bordin e makinës së drejtuar nga Wehrlein ka qenë mbrojtësi Benedikt Hoewedes, ndërsa në makinën e Rosbergut, Julian Draxler. Të dy këta lojtarë nuk kanë pësuar asnjë dëmtim.