TRAJNERI I KOMBËTARES SË KOSOVËS ALBERT BUNJAKU: “KOSOVA MUND T’I BËJË THIRRJE LORIK CANËS”

650
Sigal

Kosova është përfituesja më e madhe e përballjes mes Zvicrës e Shqipërisë, që ia tërhoqi vëmendjen gjithë Evropës. Kështu thotë selektori i përfaqësueses kosovare, Albert Bunjaku. Sipas tij, opinioni evropian ka mbetur i mahnitur me numrin e madh të futbollistëve kosovarë që luajtën në atë ndeshje. Andaj, duke llogaritur në të gjithë ata lojtarë, por edhe në kosovarët e shteteve tjera, Bunjaku beson se shpejt Kosova do të bëhet me një përfaqësuese shumë të fortë. Kosova është përfituesja më e madhe që ka dalë nga përballja e së martës ndërmjet Zvicrës e Shqipërisë (2:0). Kështu thotë trajneri i përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaku. Sipas tij, fakti që pjesë e asaj ndeshjeje ishin dhjetë futbollistë me prejardhje nga Kosova ka bërë që shteti i ri ta befasojë gjithë Europën. Siç dihet, ai duel ishte më i përfoluri në kontinentin e vjetër për faktin se në të ishin të përfshirë një numër i madh i futbollistëve shqiptarë, ngase pesë të tillë i mbronin ngjyrat e reprezentacionit zviceran. Për këtë të fundit luanin tre kosovarët – Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka e Valon Behrami. Kurse pjesë e Shqipërisë në atë takim ishin shtatë kosovarë tjerë – Samir Ujkani, Lorik Cana, Mërgim Mavraj, Armend Dallku, Burim Kukeli, Alban Meha dhe rezervisti Etrit Berisha. “Në çdo vend të Evropës është diskutuar për atë ndeshje, e cila konsiderohej si e veçantë, sepse pjesë e saj ishte një numër shumë i madh i futbollistëve shqiptarë. Përfituesja më e madhe nga ajo përballje ka dalë Kosova, ngase numri i lojtarëve kosovarë ishte shumë i madh dhe sot të gjithë pyesin se si është e mundur të dalin gjithë ata lojtarë aq cilësorë nga ai vend”, deklaroi Bunjaku për gazetën kosovare “Express”. Ajo ndeshje ka bërë që Bunjaku ta përforcojë bindjen e tij se Kosova do ta ndërtojë një përfaqësuese shumë të fortë, posa të bëhet anëtare e FIFA-s dhe UEFA-s. Normalisht, trajneri kosovar e parashikon një Kosovë të fortë, duke llogaritur edhe në shërbimet e futbollistëve kosovarë, të cilët aktualisht i mbrojnë ngjyrat e shteteve tjera të Evropës, përfshirë edhe ata të Zvicrës. Madje Bunjaku paralajmëron se ftesa do t’u dërgojë edhe futbollistëve kosovarë që aktualisht luajnë për Shqipërinë. “Ne do t’i ftojmë të gjithë ata lojtarë kosovarë, për të cilët mendojmë se na duhen në ekip, pavarësisht se për cilin shtet luajnë aktualisht. Edhe sot ne e dimë se cilët na duhen. Normalisht, këtë do ta bëjmë në koordinim me federatat e atyre shteteve që aktualisht kanë lojtarë kosovarë e jo kokë në veti”, theksoi Bunjaku, të cilin e gëzon fakti se Shaqiri e Xhaka me familjet e tyre publikisht pranojnë se u rrah zemra për Kosovën. “Unë nuk dua t’ua përmend emrin, por jam në kontakte me gjithë futbollistët tanë që sot luajnë nëpër shtetet tjera. Ata shprehin gatishmëri për ta veshur fanellën tonë, ngase u rrah zemra për Kosovë dhe kjo është diçka e mirë”, vazhdoi ai. E shefi i shtabit teknik të Kosovës premton se futbollistët që do t’i kthehen vendit amë asnjëherë nuk do të pendohen. “Unë ju betohem se ata djelmosha që do t’i kthehen Kosovës do të binden se kanë marrë vendime të qëlluara, ngase si shef i shtabit teknik u premtoj punë shumë profesionale në reprezentacionin kosovar si në përfaqësueset më serioze të Evropës. Për këtë garantoj. Andaj, Kosova do ta ketë një përfaqësuese të respektuar, ndër më të fortën në regjion”, shtoi ai. Ai ripërsëriti bindjen e tij se shteti i ri shumë shpejt do të bëhet anëtar i FIFA-s e UEFA-s, andaj beson se me të përzgjedhurit e tij do të jetë pjesëmarrës i kualifikimeve për ‘Euro 2016’, që do të mbahet në Francë. Albert Bunjaku ka folur edhe për zhurmën e krijuar nga një numër i konsiderueshëm i tifozëve shqiptarë, të cilët pesë futbollistët shqiptarë të Zvicrës i quajnë ‘tradhtarë’. Sipas trajnerit kosovar, ata nuk janë të atillë, por janë krenaria e shqiptarëve. “Ato reagime kanë ardhur vetëm nga emocionet, sepse çdo shqiptar mburret me të arriturat e tyre. Secili shqiptar gëzohet kur i sheh duke luajtur e duke shënuar gola nëpër garat më të forta ndërkombëtare me skuadrat e tyre. Ata janë krenaria e shqiptarëve”, tha Bunjaku për “Express”.