Armand Duka: “Po më sulmon shtypi me maska”

470
Sigal

Presidenti i FSHF-së hidhet në kundërsulm për uniformën “greke” të Shqipërisë: “Boll me fyerje”

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, reagoi ashpër ndaj sulmeve të ditëve të fundit ndaj tij, në lidhje me uniformën “greke” të Kombëtares (bluzë e bardhë me vija blu), si dhe akuzat e shumta në forumet e internetit të bëra ndaj njëshit të futbollit tonë, në lidhje me çështjen e “tradhtisë” së pesë kosovarët e Zvicrës, e veçanërisht Granit Xhakës. Duka, i cili në përgjithësi ka heshtur më parë kur ai është akuzuar publikisht në media, duke e konsideruar një fushatë që mund të tejkalonte përmasat normale, është përgjigjur në vetë të parë.  “Kam qenë në dyshim këto ditët e fundit për t’u prononcuar apo jo  rreth çështjeve të shumëpërfolura në disa media dhe forume  shqiptare. Duke i vlerësuar qëndrimet, shprehjet dhe batutat  si   emocionale kam menduar ti pres me heshtje e t’i kaloj me qetësi.   Por, pas konstatimit se ato filluan të përdoren për qëllime e  interesa te paracaktuara vendosa të jap një opinion për të treguar të vërtetën e cila është brenda, prezente dhe e pastër   tek shumë e shumë njerëz, që janë të lidhur me futbollin shqiptar”, – tha Duka në deklaratën e tij.

FYERJET DHE DENIGRIMI

Ai e konsideron absurditet debatet e shpërthyera pas humbjes 2-0 me Zvicrën, në Lucernë, një humbje që vinte pas fitores 3-1 ndaj Qipros në Tiranë. “Paradoksi i debateve të fundit ka marrë shkak prej humbjes në Zvicër, sepse në rastin e kundërt, por edhe te një barazimi të gjithë do të trajtoheshin si heronj ku superlativat do të preknin qiellin, ashtu siç ndodhi me fitoren kundër Qipros ne Tiranë (shih mediat e datës 8 shtator 2012). Në këto dy ditë kam nënvizuar komente pa fund dhe vërej me keqardhje se tek negativët ka një refren të cilin duket sikur e kanë përgatitur një grusht njerëzish sepse fyerjet, akuzat, sharjet, denigrimi dhe balta e hedhur ngjasojnë si pikat e ujit që dalin nga i njëjti burim. Në të gjitha rastet njeriu apo grushti i njerëzve opiniondhënës është i kulluar, patriot dhe me shqiptari nga të gjithë. Ky model i degjeneruar i tipit të keq, shpesh me identitet të humbur, për qëllime apo interesa të caktuara sulmon ndyrësisht gjithkënd pa fakte, pa argumente dhe pa vërtetësi. Ky tip modeli të cilit nuk i plotësohen interesat e ngushta e meskine kërkon të zëvendësojë grabitjen me maska me grabitjen nëpërmjet gazetave e kamerave qe fatkeqësisht komandohen ende prej tyre”, – kundërsulmon shefi i FSHF-së.

UNIFORMA E KOMBËTARES

“Federata Shqiptare e Futbollit dhe unë personalisht përbëjmë një institucion i cili punon, funksionon dhe përparon përkrah të gjitha homologeve në Europë dhe Botë. Natyrisht, që çdo gjë nuk është e përkryer, pa të meta e gabime në rrugën e shkelur deri më tani, por ju siguroj se në çdo moment nuk rresht iniciativa për t’i minimizuar ato drejt një të ardhme gjithnjë e më të mirë. Këtu bën pjesë edhe rasti i përmendur për ngjyrat e fanellës së “ADDIDAS”-it në ndeshjen e Lucernes: e bardha me blu ishte si e Greqisë, por e bardha me të kuqe do të ishte si e Spanjës, e bardha me të zezë si e Gjermanisë e kështu me radhe për të gjitha skuadrat që kanë sponsor “ADDIDAS”-in”, – shton Duka.  “Futbolli, puna rreth tij, investimi për të  dhe kujdesi i vazhdueshëm nuk janë të lidhura patjetër me suksesin e dëshiruar. Janë shumë faktorë që përcaktojnë një gjë të tillë nga të cilët janë privuar jo rrallëherë edhe emrat më të mëdhenj të Botës në këtë fushë. Gjithsecili nga ne duhet te mësohet dhe edukohet për më tepër respekt ndaj punës së tjetrit sepse në Shqipëri infrastruktura e futbollit, cilësia e tij, masiviteti dhe përfaqësimi ndërkombëtar i emblemës shqiptare është dinjitoz dhe dhjetëra herë më i lartë se pak vite më parë. Kjo gjë është e dukshme, edhe pse modeli i keq tipik nuk e sheh; kjo gjë është e prekshme, edhe pse modeli i keq tipik nuk e takon. Kjo gjë është e vërtetë edhe pse modeli i keq tipik është gënjeshtar, shpifës dhe interesaxhi i vogël. Mbetem brenda idesë së askush nuk mund të dëmtojë Kombëtaren e tij. Ata që duan të bëjnë “kapital”, plotësojnë interesa, shpifin, shajnë, fyejnë, denigrojnë, grabisin ose shesin mend  nën petkun e patriotizmit mbeten të gabuar, jetojnë me turp e përfundojnë në harresën e degraduar”, – përfundon deklaratën e tij presidenti FSHF-së, Armand Duka.

_____________________________________________________________________________________

40 LOJTARË KOSOVARË NË KOMBËTARET SHQIPTARE

Presidenti Duka në bilancin e tij, tha se janë të paktën 40 futbollistë, dhjetë prej tyre femra, që luajnë në pesë ekipet kombëtare të Shqipërisë. “Të këqijtë në  minorancë nuk e dinë, por dhe nuk duan ta pranojnë se vetëm brenda një viti nga Federata Shqiptare e Futbollit janë seleksionuar 400 fëmijë e të rinj me origjinë shqiptare të cilët jetojnë në Zvicër, Greqi, Itali, Spanjë, Gjermani e Angli. Ata nuk e kanë idenë se në këto shtete ne kemi përfaqësuesit tanë të cilët kanë nën vëzhgim gjithçka që mund të konvertohet nesër për fanellën kombëtare. Këta opiniondhënës, që nuk kanë thënë asnjëherë fjalën ‘Shqipëria-Shqipëria’ në stadium nuk e dinë, por as nuk e kuptojnë se në Kombëtaren Nën-17 vjeç luajnë 7 shqiptarë të talentuar të diasporës, tek Nën-19 vjeç janë 6, tek Nën-21 vjeç janë 7, tek Kombëtarja e Femrave 10 të tillë, ndërsa për Kombëtaren A dihet tashmë botërisht prezenca e tyre. Pra këta futbollistë ndonëse me mundësi të tjera kanë zgjedhur të luajnë për Shqipërinë, kanë preferuar ta fillojnë ndeshjen nën Himnin tonë Kombëtar. Për të gjithë futbollistët e tjerë me origjine shqiptarë të cilët luajnë me ekipet e shteteve te ndryshme unë personalisht respektoj nivelin e tyre cilësor dhe profesional, ndërsa përsa i takon zgjedhjes, gjithsecili, të shprehur apo të mbyllur, NDJENJËN KOMBËTARE e mban në gjykimin e ndërgjegjes së vet”, – tha Duka.