Trajneri Arian Fetishaj: “Synojmë rekorde kombëtare”

603
Sigal

Notarët Diana Basho, Franc Aleksi, Deni Baholli e Kevin Duraku marrin pjesë në Kupën e Mesdheut në Izrael

Shqipëria do të paraqitet me katër notarë në Kupën e Mesdheut 2014(e njohur me emrin Comen Cup), që do të zhvillohet në Netanja të Izraelit nga data 28-29 qershor 2014. Diana Basho e Tiranës (për moshën 13-14 vjeç), si edhe Franc Aleksi i Tiranës, Deni Baholli i Te Stela dhe Kevin Duraku i Nobis do të garojnë për moshat 15-16 vjeç në këtë kompeticion të rëndësishëm ndërkombëtar, ku marrin pjesë 210 notarë nga 18 vende të ndryshme: Shqipëria, Andorra, Franca, Belgjika, Sllovenia, Turqia, Spanja, San Marino, Portugalia, Bosnjë-Hercegovina, Qipro, Greqia, Bullgaria, Italia, Maqedonia, Serbia, Polonia dhe Izraeli. Aktiviteti, i cili konsiderohet si një nga më të mëdhatë e Kupës së Mesdheut, do të zhvillohet në një nga pishinat më të shpejta në botë, e cila është programuar për të pritur në vitin 2015 Kampionatin Europian të garave të shkurtra. Kompleksi përmban dy pishina 50 dhe 25 metërshe, më këtë të fundit që do të shërbejë për nxehjen e notarëve para garave. Trajneri i Tirana Svviming, Arian Fetishaj, i cili do të shoqërojë notarët tanë tha për gazetën “Telegraf”: “Është një kompeticon i fortë, pasi në të marrin pjesë notarët më të mirë të pellgut të Mesdheut. Notarët tanë janë përgatitur shumë seriozisht, për të dalë sa më mirë e përfaqësuar Shqipërinë. Kjo u bën mirë edhe sportistëve tanë, pasi do të ballafaqohen me rivalë të fortë. Në këtë aktivitet mund të merrte pjesë edhe notari i talentuar Binald Mahmuti (datëlindja 1999), por ishte i impenjuar me provimet e lirimit në shkollë. Shpresojmë për rekorde të reja Kombëtare nga këta sportistë. Renditja ndër tetë më të mirët do të ishte një sukses i madh. Notarët janë stërvitur dy herë në ditë, duke bërë seanca stërvitore që arrijnë deri 14 km në ditë”.

MESHKUJT

Në garën e stilit të lirë 100 m për moshat 15-16 vjeç marrin pjesë 26 notarë, midis tyre janë Franc Aleksi (koha e regjistrimit 00:56.00) e Kevin Duraku (01:01.00). Kohën më të mirë të regjistruar në listën hyrës e ka serbi Andrej Bema (00:52.23). Konkurrentët janë nga Spanja, Franca, Italia, Greqia, Belgjika, Turqia. Në 200 m e 400 m individual i përzier Aleksi do të përballet me 17 kundërshtarë, ku spikat spanjolli Alehandro Garsia me 04:33.08 (Aleksi e ka 04:49.00). Të fortë janë dhe dy francezët Kristof Lespare e Hugo Pon. Franc Aleksi merr pjesë edhe në garën 100 m flutur ku janë 20 pjesëmarrës. Deni Baholli e Kevin Duraku do të garojnë në 100 m shpinë ndaj kundërshtarëve të fortë si italiani Nikolo Martinengi e francezi Teo Sharad. Po këta notarë marrin pjesë edhe në 200 m shpinë. Në 1500 m stil i lirë do të garojë vetëm Aleksi. Në këtë garë dominojnë grekët Athanasios Kynigaki e Dimitrios Negris. Në 200 m stil i lirë merr pjesë Kevin Duraku.

FEMRAT

E vetmja përfaqësuese femër nga Shqipëria është Diana Basho e Tiranës. Ajo konkurron në garat e moshës 13-14 vjeç. Në 200 m shpinë ajo do të garojë kundër 21 pjesëmarrësve. 14-vjeçarja shqiptare renditet e 19-ta me kohën e regjistrimit të pjesëmarrësve në garë: 02:43.00. Italiania Martina Rosi ka kohën më të mirë: 02:19.18, ndërkohë që kundërshtarë të forta janë sllovenia Janja Jamshek e spanjollja Patrisia Garrot. Në 400 m stil i përzier marrin pjesë 23 notarë, ku spikat serbja Anja Crevar me kohën e regjistrimit 04:54.68. Diana e ka kohën: 05:40.00. Në 400 m stil i lirë janë regjistruar 22 garues. Edhe në këtë garë pritet të dominojë serbja Crevar, ndërkohë që notarja jonë teorikisht duhet të lërë pas dy polaket Kocjan e Volka. Basho do të marrë pjesë edhe në garën 100 m flutur, ku pritet një garë e fortë midis dy spanjollëve Marta Sano dhe Andrea Melendo. Gara e radhës është ajo e 800 metrave stil i lirë (18 pjesëmarrëse). Le të shpresojmë që Diana Basho ta përfaqësojë sa me denjësisht notin shqiptar!

18 vendet

pjesëmarrëse

Shqipëria

Andorra

Franca

Belgjika

Sllovenia

Turqia

Spanja

San Marino

Portugalia

Bosnjë-Hercegovina

Qipro

Greqia

Bullgaria

Italia

Maqedonia

Serbia

Polonia

Izraeli

GARAT E NOTARËVE TANË

FEMRA

Mosha 13-14 vjeç

Notare: Diana Basho

100 m flutur

200 m flutur

200 m shpinë

200 m i përzier

400 m i përzier

400 m stil i lirë

800 m stili i lirë

MESHKUJ

Mosha 15-16 vjeç

Notarët: Franc Aleksi, Kevin Duraku, Deni Baholli

100 m stil i lirë

Franc Aleksi, Kevin Duraku

200 m stil i lirë

Kevin Duraku

1500 m stil i lirë

Franc Aleksi

200 m individual i përzier

Franc Aleksi

400 m individual i përzier

Franc Aleksi

100 m flutur

Franc Aleksi

100 m shpinë

Deni Baholli, Kevin Duraku

200 m shpinë

Deni Baholli, Kevin Duraku

Stadiumi quhet “Elbasan Arena”

 Këshilli Bashkiak i qytetit të Elbasanit vendosi që stadiumit t’i hiqet emri ekzistues “Ruzhdi Bizhuta”. Stadiumi i Elbasanit ndërron emër, do të quhet “Elbasan Arena”. Në mbledhjen e këshillit bashkiak u vendos që stadiumit t’i hiqet emri ekzistues “Ruzhdi Bizhuta”, i cili nuk do të fshihet plotësisht pasi salla e konferencave në këtë impiant do të mbajë pikërisht këtë emër. Ky ndryshim është përshëndetur nga të gjithë sportdashësit të cilët kishin kohë që kërkonin ndryshimin e emrit. “Elbasan Arena” do të jetë një stadium modern ku do të zhvillojë ndeshjet kombëtarja, skuadrat që marrin pjesë në Kupat e Europës e mbi të gjitha do të jetë shtëpia e skuadrës së Elbasanit, e cila u rikthye në elitën e futbollit shqiptar pas një kohe të gjatë.

Taulant Xhaka, zyrtarisht kuqezi

 Kombëtarja shqiptare fiton një tjetër element cilësor për fushatën eliminatore të Euro 2016. Taulant Xhaka, i cili është pajisur muaj me parë me pasaportë shqiptare tashmë mund të konsiderohet zyrtarisht pjesë e kuqezinjve. Në zyrat e Federatës Shqiptare të Futbollit ka mbërritur përgjigjja e FIFA-s që e lejon aktivizimin e tij me Shqipërinë. Nga ky çast Xhaka mund të hidhet në fushë pa asnjë problem nga Xhani De Biazi. Përgjigja zyrtare e FIFA-s, ishte e domosdoshme për aktivizimin e lojtarit, i cili më parë, ka luajtur për ekipet e moshave të Zvicrës, deri në nivelin e U-21. Xhaka është vëllai i Granit Xhakës, mesfushorit me origjinë shqiptare që përfaqëson Zvicrën. Ai ka lindur më 28 mars 1991 në Bazel të Zvicrës. Është i gjatë 1.72 m, dhe luan në rolin e mbrojtësit.

Degjeneron miqësorja, Vuçaj godet gjyqtarin

 Ndeshja miqësore midis dy skuadrave shqiptare që, marrin pjesë në Ligën e Europës, ajo mes Kukësit dhe Laçit, ka degjeneruar në dhunë. Takimi po luhej në stadiumin e Strugës, në Maqedoni, atje dhe ku skuadrat po kryejnë fazën përgatitore. Gjithçka nisi në minutën e 10-të të pjesës dytë kur Erjon Vucaj, mori karton të kuq dhe nuk u bind për të dal nga fusha. Bëhet me dije se kapiteni Vuçaj goditi gjyqtarin anësor dhe më pas degjeneroj sherri. Më pas, Presidenti i Laçit, Pashk Laska ka hyrë në fushë e ka goditur gjyqtarin kryesor. Por nuk ka mjaftuar me kaq, pasi në sherr kanë ndërhyrë familjarët e gjyqtarit maqedonas. Mësohet se në stadium kanë mbërritur dhe dy furgona të policisë speciale, për të normalizuar situatën. Ndërkohë, janë shoqëruar në polici pjesëtarë të skuadrës së Laçit.