Tirana dominon notin, 11 rekorde kombëtare ditën e parë

1129
Sigal

Binald Mahmuti, Klavio Meçe, Rovena Marku dhe Noel Borshi notarët me “dopio” tituj

1 rezultat i përmirësuar për të rinj dhe 10 për moshat janë treguesit e kampionatit

Noti shqiptar ka zhvilluar veprimtarinë e fundit të stinës së verës, teksa bëhet fjalë për kampionatin kombëtar të të rriturve dhe të rriturave, i cili është zhvilluar në ambientet e Akuadromit në Tiranë. Një kampionat në të cilën që në ditën e parë janë thyer 11 rekorde kombëtare, 1 për të rinj dhe 10 për moshat, ndërsa kjo tregon se trajnerët e klubet vazhdojnë të investojnë për të ardhmen e këtij sporti. Ndonëse më pas ajo që çalon është cilësia në aktivitetet ndërkombëtare. Madje, në një koment të shkurtër për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Lojërat Olimpike Rinore në Nanjing me Noel Borshin, apo dhe në Kampionatin Europian të të rriturve në Berlin me Sidni Hoxhën, Presidenti i Federatës Shqiptare të Notit, Agim Çiraku, do ta quante një pjesëmarrje të pranueshme për nivelin e sportit të notit dhe të atij në përgjithësi për vendin tonë. Megjithatë dje garat janë dominuar në përgjithësi nga Tirana, një skuadër serioze dhe që mund të jetë kandidate potenciale për të qenë kampione për të rritur, të rritura, të rinj dhe të reja. Ndërkohë që Binald Mahmuti, Klavio Meçe dhe Noel Borshi janë notarët që janë në ditën e parë me “dopio” tituj kampion. Sepse kanë qenë fitues në dy gara, sikundër ka ndodhur me “bishën” e rekordeve kombëtare në not, Rovena Marku. Ajo që duhet theksuar është se garat e notit janë zhvilluar në një kohë të papërshtatshme, aq sa shiu i rrëmbyeshëm i pasdites së djeshme në Tiranë i ka shtyrë garat për rreth 30 minuta. Megjithatë, në momentin që ka qenë gara gati për nisje shiu ka pushuar dhe koha është hapur. Duke i dhënë mundësinë notarëve që të japin më të mirën e tyre në këtë ditë të parë të kampionatit për të rritur.

Rekordet kombëtare të ditës  

11 rekorde kombëtare janë thyer në ditën e parë të kampionatit kombëtar të të rriturve, të rriturave, të rinjve dhe të rejave. E ka hapur serinë Tirana, e cila paraditen e djeshme në stafetën 4×100 metra stil i lirë ka thyer rekordin kombëtar të të rinjve, ndërsa prej bardhebluve të Arjan Fetishajt kanë fiksuar kohën 3’53”25. Mandej pasdite vijnë dy rekorde kombëtare për moshat 9-10 vjeç prej Eneo Gjokës së Teutës, i cili në 200 metra shpinë ka fiksuar kohën 3’13”59, kurse në 200 metra katërnotim ka dhënë kohën e re 3’20”62. Më pas Aleksandër Ngresi, për moshat 13-14 vjeç, në 400 metra stil i lirë ka dhënë kohën e re 4’31”94. Nuk ka mbetur pa e vënë emrin e tij në rekordet e ditës së parë edhe Bianti Danaj i Jon Vlorës, i cili në 50 metra shpinë për moshën 11-12 vjeç ka vendosur kohën e re 37”34. Sonia Kapedani për moshat 9-10 vjeç ishte dje rekordmene në 200 metra shpinë me kohën e re 3’03”13, si dhe në 50 metra shpinë me kohën 40”60. Vazhdon të habisë me rezultatet e saj Ledia Allaraj e Partizanit, e cila për moshat 11-12 vjeç ka vendosur dy rekorde. Fillimisht notarja që stërvitet nga Dashamir Bregu në 50 metra shpinë ka fiksuar kohën 35”87, kurse në 100 metra flutur ka dhënë kohën 1’17”81. Po kështu një rekord i ri kombëtar për 9-10 vjeç për djem ka ardhur nga sarandjoti Emion Çumani, që ka dhënë kohën e re 1’39’11. Dhe ditën e parë të kampionatit për të rritur e ka mbyllur me rekord në 800 metra stil i lirë Xhoi Lavdaniti i Tornados, i cili për moshën 11-12 vjeç ka fiksuar kohën e re 11’50”94. Duhet theksuar se si Sonia Kapedani dhe Xhoi Lavdaniti stërviten nga një rekordmene si Rovena Marku. Ndaj dhe kanë kujt t’i ngjajnë. Përgjithësisht edhe me këto 11 rekorde kombëtare të ditës së parë, kampionati i të rriturve ka paraqitur cilësi.

 

Rezultatet teknike të Kampionatit Kombëtar të Notit

Të rritur/Të rinj

50 m stil i lirë              Henri Koçi (Tirana)                           26”04

200 m katërnotim       Binald Mahmuti (Tirana)                   2’24”12

400 m stil i lirë                        Klavio Meçe (Te Stela)                                   4’12”72

200 m shpinë               Kristi Kapllani (Tirana)                     2’31”29

4×100 m stil i lirë        Tirana                                                 3’53”25

50 m shpinë                 Kristi Kapllanaj (Tirana)                   31”62

400 m katërnotim       Binald Mahmuti (Tirana)                   5’07”68

100 m bretkosë                       Deni Baholli (Tirana)                         1’11”43

100 m flutur                Franc Aleksi (Tirana)                         1’01”96

800 m stil i lirë                        Klavio Meçe (Te Stela)                                   8’55”08

Të rritura/Të reja

50 m flutur                  Nikol Merizaj (Te Stela)                     31”22

200 m katërnotim       Rovena Marku (Tornado)                  2’42”09

400 m stil i lirë                        Noel Borshi (Teuta Swimming)          4’42”48

200 m shpinë               Kerolajn Kola (Te Stela)                    2’49”64

4×100 m stil i lirë        Te Stela                                               4’48”05

50 m shpinë                 Alesia Neziri (Tirana)                                    36”78

400 m katërnotim       Rovena Marku (Tornado)                  5’50”78

100 m bretkosë                       Kejsi Delli (Tirana)                            1’34”84

100 m flutur                Noel Borshi (Teuta Swimming)          1’07”69

4×200 m stil i lirë        Te Stela                                               10’41”31

 

Të reja

200 m katërnotim       Rashel Demko (Te Stela)                    2’59”63

400 m stil i lirë                        Diana Basho (Tirana)                         5’00”75

4×100 m stil i lirë        Tirana                                                 4’58”10

400 m katërnotim       Enxhi Sharxhi (Tirana)                      6’59’15

100 m flutu                  Nikol Merizaj (Te Stela)                     1’12”63

4×200 m stil i lirë        Tirana                                                 11’01”24

 Gjergj Vyshka