Tirana-Dinamo, pesë arsye për të ndjekur sot “historinë” e futbollit

480
Sigal

Sot luhet takimi miqësor mes Tiranës dhe Dinamos, takim që përmbyll edhe fazën përgatitore të bardhebluve.

Një fazë përgatitore pothuaj perfekte për Tiranën, që sot ka edhe ditën e fundit të “regjimit” rikuperues, e pikërisht mbyllja do të jetë me klas, ku sot do të ndeshet ndaj skuadrës tjetër të kryeqytetit, Dinamos, që ka tre vite që nuk luan në Superligë por në Kategorinë e Parë dhe asnjë vit nuk është gjendur më gati për tu rikthyer edhe një herë në superiore, sesa këtë sezon. Një ndeshje kryesisht prestigji për të dy skuadrat, por që padyshim fitorja do të jetë në kërkesat e secilës. Një fazë përgatitore e zhvilluar në Durrës për Tiranën, ku u bë grumbullimi i të gjithë futbollistëve, si atyre që kanë kohë që janë pjesë e ekipit, ashtu edhe futbollistëve që u bënë pjesë e skuadrës këtë dimër, ku vlen të përmendet Gjergji Muzaka dhe paraqitja mbresëlënëse me Besëlidhjen, ku edhe shënoi dy nga tre golat e skuadrës. Pak e nga pak, duket se Magani ia ka dalë që ta “kurojë” Tiranën, për ta bërë gati për një fazë akoma edhe më të vështirë se ajo që u la pas, pasi tani përveç kundërshtarëve të fortë shtohet edhe presioni, duke qenë një faktor kryesor ndeshje pas ndeshje, ku më shumë rritet rivaliteti për të shkuar si fitues deri në fund. Një nga problemet kryesore të Tiranës, ashtu si të gjitha skuadrat e tjera në fakt, është padyshim jo vijueshmëria, ku pas një fitoreje, vinte më pas “zbritja” me shpejtësi në humbje apo barazime. Në qoftë se katër skuadrat e para janë afër me pikë ndaj njëra-tjetër, kjo vjen si pasojë se të gjitha kanë gabuar dhe nuk kanë ditur që të përfitojnë nga gabimet e kundërshtarit, e kështu kanë ruajtur ekuilibra të padëshiruar, por që në fund të fundit i dhanë një hije dhe bukuri tjetër kampionatit, ku rivaliteti rritej ndeshje pas ndeshje dhe fitorja nuk ishte e padiskutuar për asnjë ekip, edhe në qoftë se ishte vendi i parë me të fundit ndaj njëri-tjetrit. E duke u kthyer vetëm tek Tirana, vërejmë se blerjet e reja kanë bërë efektin e duhur, të paktën deri më tani dhe shpresohet se kjo gjendje të vazhdojë edhe në takimet “zyrtare” dhe jo vetëm në ato miqësore. Nga ana tjetër, Dinamo është padyshim një nga pretendente kryesore për të fituar në grupin B të Kategorisë së Parë dhe takimi me Tiranën është padyshim një faktor plus për vetë skuadrën që të masë forcat para se të fillojë sezoni në kategorinë e tyre, me 7 shkurt. Në fakt takimet mes këtyre dy skuadrave janë bërë si traditë, të paktën që kur Dinamo nuk militon më në Superligë, duke u ndeshur pothuaj në çdo fazë përgatitore, e kjo ndeshje e sotme nuk përbën ndryshim, ku do të luajnë ndaj njëra-tjetrës dy nga skuadrat më elitare në Shqipëri, ku njëra synon titullin e të “parës” së vendit dhe e tjetra synon të rikthehet në “pari”.

Pesë arsye pse të ndiqet takimi i sotëm

1- Një derbi kryeqytetas, për hir të historisë

2- Ndeshja e fundit e Tiranës para se të fillojë Superliga

3- A do shënojë gol Gjergji Muzaka?

4- Dinamo dhe “shpresa” Superligë

5- Dinamo dhe “efekti” Igli Allmuça

Së shpejti nis ndërtimi i kompleksit të Partizanit, çdo gjë gati për në shkurt

 Ashtu siç ishte folur, Partizani do të fillojë së shpejti në ndërtimin e kompleksit më të si sportiv, duke e afruar fillimin e punimeve në nisje të shkurtit. Kontrata që skuadra kryeqytetase arriti që të nënshkruante me investitorët nga Hong Kongu siç duket ka përshpejtuar në finalizimin e projektit, ku pritet që të jetë një kompleks që do të shërbejë për skuadrën por edhe për akademinë. Si projekt, kompleksi i Partizanit, e ka pasur nisjen që në vitin 2013 por u deshën pothuaj dy vite që çdo gjë të finalizohej. Në lidhje me këtë kompleks, vetëm dy ditë më parë u përfol se në inaugurim do të ishte i pranishëm edhe Murinjo, trajneri i Çelsit, i cili i dërgoi edhe një fanellë me mbishkrimin e tij presidentit të Partizanit, Demi.

 Laçi e fillon mirë “turin” e miqësoreve portugeze

 Laçi e nis pozitivisht fazën përgatitore në Portugali, ku në ndeshjen e parë miqësore që ka zhvilluar me një ekip të kategorisë së dytë portugeze, ka arritur të marrë një barazi pa gola, por në fakt rezultati mund të kishte qenë tërësisht ndryshe, duke parë se laçianëve ju mohua edhe një gol. Laçi mbërriti para dy ditësh në Portugali dhe do të qëndrojë aty për gjashtë ditë, për tu kthyer vetëm ditën e premte. Gjatë këtij qëndrimi, Laçi do të ndeshet me skuadra të tjera për të zhvilluar miqësore, ku vlen të pËrmendet Sportingu i Lisbonës dhe Shtugarti.

  Valdet Rama shkëlqen me Munchen 1860

 Futbollisti i Kombëtares Shqiptare, Valdet Rama, që kur u bashkua me skuadrën e Mynihut ka treguar formë shumë të mirë, e edhe dje arriti që të shënonte dy gola në një ndeshje miqësore që zhvilloi skuadra e tij. Dy golëshi i tij erdhi pasi skuadra ndodhej në disavantazh 1-0, duke sjellë kështu edhe fitoren në këtë takim.

 Mancini: Shaqiri nuk është akoma gati të luajë 90 minuta

 Vetëm prania e Xherdan Shaqirit tek Interi ka rritur humorin si tek futbollistët ashtu edhe tek tifozët, por sipas trajnerit Mançini të gjithë duhet të presin edhe pak që ta shohin futbollistin në fushën e lojës pasi ai akoma nuk është gati si pasojë e mosaktivizimit gjatë kohës së qëndrimit tek Bajerni. Mançini u ndal edhe tek ndeshja që kanë sot me Empolin duke thënë se edhe Shaqiri është stërvitur mirë, përsëri nuk  luan dot 90 minuta të plota.

 Sosa nuk largohet nga Vllaznia, klubi merr frymë lirisht

 Pasi ishte menduar për një largim të mundshëm të futbollistit uruguaian nga Vllaznia me destinacion Luganon e Zvicrës, duket se një gjë e tillë nuk është arritur, ku Sosa ka preferuar që të qëndrojë në Shkodër, duke u bërë kështu përsëri pjesë e ekipit edhe për gjysmën e dytë të kampionatit. Gjatë ditëve të para që u fol në lidhje me largimin e tij,

 Shpëtim Duro: Presidentit i kërkoj vetëm edhe një futbollist, Jamesin e Laçit

 Duket se merkatoja e Partizanit akoma nuk ka arritur kulmin, ndryshe nga çfarë u deklarua pak ditë më parë. Kërkesa e vetme dhe e fundit e trajnerit Duro është futbollisti i Laçit, James. Këtë pëlqim të tij, trajneri nuk ngurron që ta thotë drejtpërdrejtë, pavarësisht se po flet për futbollistët e skuadrave kundërshtare, siç është bërë e “modës” të thuhet këto kohët e fundit. Sulmuesi duket se hyn tek pëlqimet e trajnerit, që për hir të së vërtetës e ndiejnë mungesën e një sulmuesi, diçka që u vu re edhe në gjysmën e parë të sezonit.

 Alban Meha: Dua të luaj vetëm në Bundesligë

Futbollisti i Kombëtares shqiptare, Meha, që aktivizohet aktualisht tek skuadra e Paderbornit, skuadër që militon në Bundesligen elitare në Gjermani. Aktualisht Meha po bëhet lajm në Gjermani, pasi nuk po vazhdon përpara me rinovimin e kontratës me skuadrën aktuale. Shpjegimi që jep vetë futbollisti është se dëshiron që të luajë gjithmonë në Bundesligë dhe duke marrë parasysh moshën e tij, nuk do të që ndërmarrë veprime që më vonë do ti duken të gabuara.“Dua të pres edhe pak dhe të shikoj sesi do mund të vij në formën që dëshiroj. Duhet të kuptoni se nuk jam më i ri dhe besoj se rinovimi ose kontrata e re do të jetë më e rëndësishmja e gjithë karrierës sime futbollistike. Kam qenë i qartë me klubin dhe natyrisht i di edhe limitet e mia. E di se jam i prerë për të luajtur në Bundesligën e parë. Nuk do të ishte ndonjë çudi e madhe që sezonin tjetër të luaja sërish në Bundesligën e dytë, por për mua gjëja më e mirë do të kishte qenë se do arrinim mbijetesën këtë sezon dhe të luanim edhe vitin tjetër në elitën e futbollit gjerman”.