Tirana dhe Vllaznia, në skandalin e basteve

610
Sigal

 Dy klubet shqiptare dyshohen se kanë trukuar ndeshjet në Ligën e Kampioneve dhe atë të Europës

Tirana dhe Vllaznia janë midis ekipeve të dyshuara se kanë trukuar rezultatet e ndeshjeve ndërkombëtare, gjatë pjesëmarrjes së tyre në Ligën e Kampioneve dhe Ligën e Europës. Tabloidi popullor gjerman, “Bild”, i cili i referohet burimeve të besueshme të tij, ka publikuar edhe listën e ndeshjeve të ekipeve shqiptare. Sipas gazetës gjermane, ndeshjet e akuzuara si të trukuara i përkasin vitit 2009: Stabaek-Tirana (Liga e Kampioneve, e luajtur më 21 korrik 2009), e cila ka përfunduar me rezultatin 4-0), si dhe dy ndeshje të Vllaznisë për Ligën e Europës: Rapid Vien-Vllaznia 5-0 (16 korrik 2009), bashkë me ndeshjen e kthimit në “Loro Boriçi”, Vllaznia-Rapid Vien 0-3 (23 korrik 2009). Këto ndeshje bëjnë pjesë në listën e 680 ndeshjeve të hetuara në të gjithë botën, ku 380 prej tyre i përkasin kampionateve dhe kompeticioneve europiane. Pak kohë më parë, një dokument konfidencial i UEFA-s, i hartuar nga “Sportradar”, i bërë i njohur muajt e kaluar fliste për një listë me 97 ndeshje shqiptare të trukura, mes kampionatit vendas dhe ndeshjeve ndërkombëtare ku skuadrat shqiptare kanë luajtur, një shifër kjo që na jep për fat të keq një “vend nderi” në “listën e zezë” për ndeshje të shitura në kontinent. Europol e konsideroi si skandalin më të madh të basteve. Në 13 vende janë përfshirë agjentë sekret të policisë europiane, të cilët kanë regjistruar 13 mijë telefonata dhe e-maile, ndërkohë qe procedurat penale, sipas Europol sapo kanë filluar. Bëhet fjalë për 380 ndeshje të manipuluara mes vitit 2008 dhe 2011, 300 ndeshje janë shumë të dyshuara dhe për këto janë 425 futbollistë, zyrtarë, gjyqtarë apo kriminelë. Fitimet e arritura sipas Europolit me trukimet e ndeshjeve shkojnë deri në 8 milionë euro, ndërsa 2 milion janë ryshfetet e shpërndara. Historia e trukimeve është e njohur edhe në Shqipëri, sepse prej vitesh ekzistojnë dyshime të forta për përfshirjen e klubeve shqiptare në trukimin e ndeshjeve, sidomos të atyre të fillim sezonit në kupat europiane.

NDESHJET E PËRMENDURA

Elimin. Liga e Kampioneve

Stabaek-Tirana 4-0 (21.7.2009)

Elimin. Liga e Europës

Rapid Vien-Vllaznia 5-0 (16.7.2009)

Vllaznia-Rapid Vien 0-3 (23.7.2009)

Fenerbahçe-Honved 5-1 (30.7.2009)

Interblok L-Metalurg D. 0-3 (6.8.2009)

Historia e pabesueshme e Elseid Hysajt,nga arratisja me gomone, në Kombëtaren A

Futbolli është një sport tërheqës dhe gjithëpërfshirës, por dhe një univers që rezervon një pafundësi historish të pabesueshme. Pikërisht, e denjë për skenar filmi që mund të frymëzojë skenaristi më fantazist, është dhe historia e Elseid Hysajt, lojtarit më të ri të Kombëtares shqiptare. Është gazeta prestigjioze italiane “Gazzetta dello Sport”, ajo që i ka kushtuar një speciale mbrojtësit 18-vjeçar të Empolit të Serisë B, djalit të një muratori shkodran, Gëzim Hysajt. Historia nis rreth 10 vjet më parë ku një rastësi e bukur bëri që djaloshi me origjinë nga Shkodra të niste rrugën për realizimin e ëndrrës së tij. Një histori nga ato që të tregojnë formulën e suksesit, e cila kërkon shumë punë por ndoshta edhe pak fat. Ishin prindërit ata që u bënë shkak që djali i tyre të futej në botën e futbollit. I ati, Gëzim Hysaj me profesion murator dhe emigrant në Itali, rastësisht po ristrukturonte shtëpinë e një agjenti lojtarësh i quajtur Marko Piçioli. Në hapësirën speciale të rezervuar nga prestigjiozja, “Gazzetta dello Sport”, Hysaj përshkruhet si një nga talentet më të mëdha të futbollit shqiptar të së ardhmes. Fillimisht, Piçioli e refuzoi kërkesën e të atit sepse Elseidi ishte vetëm 10 vjeç dhe 4 vjet më pas, ai i telefonoi agjentit duke i kujtuar se djali kishte mbushur 14 vjeç. Dhe kështu djaloshi zbarkoi në Itali duke mos e ditur se 4 vjet më pas do të bashkohej me ekipin kombëtar për ndeshjen miqësore kundër Gjeorgjisë. Ndërkohë, në radhët e Empolit në Serie B, Hysaj ka siguruar një vend fiks titullari si mbrojtës i majtë edhe pse karakteristikat e tij i shkojnë për shtat në krahun e djathtë. “Lojtari ka një të majtë të saktë, duke e dominuar fushën me mushkëri përpara se ta bëjë me këmbë”, shkruan “Gazzetta dello Sport” që vë në dukje edhe një statistikë interesante. “Pas Nallbanit që debutoi si portier me kombëtaren në moshën 17-vjeçare dhe bomberit Çeço të viteve 60, Hysaj do të jetë lojtari i tretë më i ri që debuton me Shqipërinë, një skuadër në rritje të vazhdueshme dhe në luftë për një vend në botërorin 2014”. Në vijim të shkrimit, gazeta nënvizon faktin se fillimisht u bë e gjallë Fiorentina, por problemet burokratike e çuan lojtarin shqiptar te Empoli ku ekipet zinxhir janë një prej prioriteteve të shoqërisë. Një nga arsyet që 19-vjeçari rrëmben vëmendjen e mediave është edhe pozita e mirë e shqiptarëve në futbollin e vendit fqinjë. “Padyshim që idhujt e mi janë Cana dhe Tare sepse në Itali kanë përfaqësuar denjësisht të gjithë shqiptarët. Iglin e njoh prej disa kohësh dhe herë pas here më jep këshilla”. Në fund të intervistës, Hysaj e pranon që ofertat janë shtuar por ëndrra e tij është Interi edhe pse thekson faktin që aktualisht po mendon të rritet edhe më shumë profesionalisht me skuadrën e Empolit që besoi në aftësitë e tij.

In memoriam

Ndahet nga jeta gazetari dhe komentatori sportiv kavajas Fejzulla Dollia

 Shuhet zëri i sportit kavajas

 Ishte tronditës për familjen, miqtë dhe të afërmit lajmi i ndarjes nga jeta të gazetarit e komentatorit sportiv të disa dekadave më parë për qytetin e Kavajës, z. Fejzulla Dollia. Kohët e fundit ai vuante nga një sëmundje e cila erdhi gjithnjë duke u rënduar. Fejzullai u lind në qytetin e Kavajës, në një familje me tradita atdhetare që demonstronte karakteristikat më të mira qytetare. Pasioni i tij i rinisë, veçmas emancipimit personal, kur mbaroi studimet e larta në Universitetin e Tiranës, për degën Mercologji, e lidhi ngushtësisht, siç do kavajas tjetër edhe me futbollin. U angazhua në rolin e gazetarit dhe të komentatorit, në kushtet kur hapësira mediatike e informacionit sportiv ishte tepër e kufizuar. Madje do të bënte sakrifica të mëdha, për të afirmuar vlerat e tij në këtë detyrë të bukur e fisnike në funksion të ekipit të futbollit “Besa”, por mbi të gjitha të dhjetëra, qindra e mijëra sportdashasve të futbollit në Kavajë e në tërë Shqipërinë. Gjithashtu, ai ka qenë korespodent i gazetës “Bashkimi”, ku ai botonte shkrime dhe kronika të kohës. Në shkrimet dhe komentet e Fejzulla Dollisë, për sportin në tërësi dhe futbollin në veçanti do të dalloheshin gjithnjë vërtetësia, korrektësia dhe objektiviteti në pasqyrimin e mendimeve dhe analizave të dobishme për klimën sportive të kohës. Feza, siç e thërrisnin shkurt, qe i papërtuar në kërkim të lajmit, përpunimit më pas të tij në funksion të nxitjes dhe harmonizimit të interesave sportive në atë nivel, për të qenë gazetaria e komenti sportiv një tjetër element ndihmues për emrin dhe traditën e madhe të qytetit. Në rrethin e madh të miqve e dashamirësve të sportit, Fejzulla Dollia, do të mbahet mend gjatë e nuk do të harrohet për fjalët e ngrohta, për xhentilesën në marrëdhëniet me komunitetin dhe për sjelljet e tij gjithnjë profesioniste. Opinioni i futbolldashësve të qytetit ka ditur t’i vlerësojë këto kontribute me respektin që ka treguar për gazetarinë e komentatorin e mirënjohur të qytetit, i cili përçonte stilin e emrave të mëdhenj të asaj fushe si: Anton Mazreku, Ismet Bellova, etj. apo në Kavajë, të tillë si: Ragip Babamusta, Sami Karkini, Leandro Milo, Hajri Kadiu, Kozma Gjergo, Remzi Karriqi, me të cilët jo vetëm ruante njohjet, por dhe thelloi bashkëpunimin në dobi dhe interes të propagandimit si duhet të gjithçkaje që kisht jeta sportive në Kavajë. Për kontributin e dhënë ndër vite në fushën e sportit është vlerësuar me çmimin “Andon Mazreku”, që i është dorëzuar me një ceremoni të veçantë. Fejzullai është dalluar në karrierën e tij si gazetar edhe për nxitjen e afirmimin e normave të këtij profesioni, nëpërmjet evidentimit të një stili human në raportet e ndërsjelljta me kolegët, si: Ibrahim Mullaliu, Josif Doja, Emin Sinella, Seid Lilamani, etj.. Feza punoi e ndihmoi dhe për evidentimin e brezit të ri të gazetarëve e komentatorëve sportive në Kavajë, si Fatmir Efica, Agron Shima, Feriz Ferizaj, duke përcjellë mesazhe të një kolegu që ndikonte me frymën orientuese ide, mendime dhe analiza të mençura. Jeta e Fejzulla Dollisë karakterizohet nga përpjekjet e sakrifica, që edhe në detyra të tjera shtetërore të reflektonte dinjitet e përgjegjësi. Ka punuar për shumë vite si merceolog në NTSH (ish-Ndërmarrja Tregtare e Shitblerjeve) ose konsumin e fshatit, siç quhej disa vite më parë dhe pas daljes në pension, si llogaritar në kompaninë private “6 vëllëzrit Haveriku”, ku dallohej për lapsin e mprehtë e të pagabueshëm, për teknikën korrekt dhe asnjëherë të kompromentueshme në punën e tij fisnike. Feza ishte dhe një familjar e prind shembullor. Kishte raporte tepër pozitive me të gjithë, edhe në lagjen ku banoi në Kavajë, apo në vitet e fundit të jetës edhe në Tiranë. U kujdes fort për shkollimin e vajzës e të djalit të tij, dhe një të veçantë tjetër ai ka dhe për nipin e tij, Durim Kadiun, ish-kryetar i Gjykatës së Kavajës, të cilin e ka trajtuar me një përkujdesje të veçantë, duke lënë mbresa të pashlyeshme si një edukator i virtytshëm. Me ndarjen nga jeta të Fejzulla Dollisë, familja, miqtë, shokët, të afërmit, por veçanërisht komuniteti sportiv në Kavajë humbën lidhjet me njeri fisnik, të dashur e të respektuar, me një gazetar dhe komentator, nga puna e të cilit kishte gjithnjë çfarë të mësoje, ndërsa hapësira informative një zëdhënës korrekt e të sigurt të lajmeve, që aq shumë i vlerësonte publiku sportdashës i qytetit. Edhe “TV 6’, departamenti i informacionit dhe ai sportiv, i përcjellin me këtë rast ngushëllimet e sinqerta për vdekjen e Fejzulla Dollisë familjes së tij, miqve dhe të afërmve të të ndjerit.

U prefsh në paqe, miku e shoku ynë i mirë, mësues dhe edukatori i paharruar i gazetarisë dhe i mikrofonit sportiv kavajas!

Xhevat Lluri,

Fatmir Efica