Terezina (Radoja) Greva, ylli i basketbollit dhe i muzikës

515

Bashkëshortja e trajnerit të Partizanit, Astrit Greva, është 7 herë kampione e vendit dhe 6 herë fitues e Kupës

Terezina Greva (Radoja) është një nga simbolet e basketbollit shqiptar për femra, në vitet 1955-1970. Kampione me “17 Nëntorin”, me të cilin fitoi shtatë kampionate, gjashtë Kupa të Shqipërisë dhe dy herë Spartakiadën; trajnere e “Studentit”. Por, Terezina, 70 vjeçe, ka pasur në jetë të dyfishtë të mbushur me emocione: të ndarë midis muzikës dhe sportit; midis mësueses dhe trajneres. Terezina është pinjolle e një prej familjeve më të shquara shkodrane, Radoja, e cila ka kultivuar talente të mëdha si në muzikë dhe në sport, me dy përfaqësuesit më të spikatur, Roberti, një pianist i talentuar, ndërsa Renato, një nga basketbollistët më të mirë shkodranë dhe në të Shqipërisë, një sportist i niveleve ndërkombëtare. Pikërisht, në këtë ambient u rrit Terezina, duke marrë nga cilësitë më të mira të vëllezërve të saj. Jeta e Terezinës së re nisi të lidhej ngushtësisht me muzikën dhe basketbollin. Mësimet e para të pianos, Terezina i mori qysh në moshën 7-vjeçare, nga profesoresha e njohur Ida Melgushi, përpara se shkonte në shkollën e mesme “Jordan Misja”. 11-vjeçare, Terezina merr pjesë në ekipin e atletikës së Shkodrës, duke u konsideruar si një vajzë e talentuar dhe e denjë për “mbretëreshën e sporteve”. Në Tiranë, ajo studionte për muzikë ndërkohë që, spikaste në ekipin e basketbollit të shkollës. Notat e pentagramit dhe topat e stërvitjes u bënë pjesë të pandara të qenies së saj. Muzika e miklonte me bukurinë e saj, sporti e përkëdhelte me ritmin. Nga spektatorët te tifozët.

Pasioni për sportin rritej në maksimum, teksa shijonte spektaklin që dhuronte vëllai i saj, Renatoja, me Vllazninë e tij, por dhe ekipin Kombëtar. E hijshme dhe elegante, Terezina tërhoqi vëmendjen e specialistëve me rezultatet e saj në sport, së pari në atletikë, por dhe me aftësinë e saj për të shënuar për ekipin e basketbollit të shkollës. Lidhja me basketbollin u bë e fuqishme, ndoshta e ndikuar edhe nga sukseset i të vëllait, Renatos, teksa në vitin 1958, Terezina u përfshi në radhët e “17 Nëntorit” (sot, Tirana), një prej ekipeve më të mira të vendit, duke dhënë kontributin e saj në fitimin e shumë trofeve, ashtu sikundër si mësuese e muzikës ajo ka marrë shumë çmime dhe medalje në konkurset e organizuar midis shkollave. Brenda pak vitesh, Terezina u bë lojtare e ekipit kombëtar, duke qenë edhe fituese në anketat shumë popullore të organizuara nga gazeta e vetme sportive “Sporti Popullor”, në vitet 1959-1964, si një ndër basketbollistët më mira të vendit. Teksa Terezina ishte në kulmin e saj në basketboll, fati e deshi që ajo të “vëzhgohej” nga një specialist i koshit, trajnerit të suksesshëm të Partizanit të atyre viteve, Astrit Grevës (fitues i 25 titujve kampion me meshkujt e Partrizanit). Basketbolli u bë pjesë e familjes Greva, pavarësisht se Astriti përfaqësonte Partizanin dhe Terezina, Tiranën, dy klubet rivale të kryeqytetit. Nuk mund të bënin kurrsesi përjashtim, as dy fëmijët e tyre: Elda dhe Albi. Elda ndoqi rrugën e basketbollit të luajtur, madje duke u bërë kampione me Partizanin dhe të luante në Itali me “Skavolinin” deri në përfundim të karrierës sportive, ndërkohë që Albi arriti të bëhej një nga gjyqtarët ndërkombëtarë më të mirë shqiptarë, rol që vazhdon ta kryejë edhe sot. Terezina Radoja Greva është shtatë herë kampione e vendit, gjashtë herë fitues e Kupës së Republikës dhe dy herë fituese e Spartakiadave Sportive. Për kontributin e saj në basketboll aj u bë “Mjeshtre Sporti” në vitin 1964 si dhe u përzgjodh disa vite radhazi në pesëshen më të mirë të basketbollit për femra, ndërkohë që ka luajtur me ekipin Kombëtar kundër përfaqësueses kineze dhe të Kosovës, por pa mundur të luante jashtë shtetit për disa kufizime të kohës. Pas përfundimit të karrierës së basketbollit të luajtur, Terezina nisi detyrën e trajneres me “Studentin”, duke u renditur në vendet e sipërme, ndërkohë që jepte mësim në shkollën 8-vjeçare “Hoxha Tahsin”, ku një nga nxënësit e saj ishte edhe Fatos Nano, i cili shumë vite më vonë u bë kryetar i Partisë Socialiste dhe Kryeministër i vendit. Terezina nuk është larguar kurrë nga basketbolli, duke ndjekur çdo ndeshje, të Partizanit apo Kombëtares, në ndeshjet kombëtare apo ndërkombëtare. Jeta e saj është mbushur me muzikë dhe basketboll, por duke qenë edhe një bashkëshorte e shkëlqyer.

  Astrit-Terezina, një jetë rreth koshit

 Lidhja midis Astrit Grevës dhe Terezina Radojës, njëri banor i Tiranës dhe tjetra e Shkodrës, është nga ato dashuri që lindin me shikim të parë, kur dy njerëz kuptojnë se janë bërë për njëri-tjetrin, pavarësisht besimit që ata kanë: ai mysliman dhe ajo katolike. Por, si çdo dashuri e madhe që, bëhet e pandashme përmes provave, dhe ajo midis Astritit dhe Terezinës, u farkëtua në një të tillë. Jeta e çiftit Greva është e lidhur me basketbollin, dhe koshi ishte temë e përditshme familjare. “Pa dyshim, – thotë Astriti, – që basketbolli ishte një temë familjare, pasi dhe fëmijët tanë ushtroheshin më këtë sport. Mendimet e Terezinës për basketbollin janë profesionale, pasi ajo jo vetëm që ka luajtur dhe ka fituar trofe, por ka qenë dhe trajnerë. Dy trajnerë nuk i bëjnë keq një shtëpie, por Terezina është dhe muzikante, pra ka diçka më shumë”.

 Muze në shtëpi

 Shtëpia e familjes Greva është një muze i vërtetë, përsa u përket trofeve të ekspozuar. “I kemi ekspozuar në një vend të veçantë, sa një faqe muri, – thotë Astriti, – dhe, të gjithë që vinë befasohen. Sigurisht që, ne na bën krenarë”.