Fadil Kraja:“Gjaku i Arbërit”, drama për shqiptarët që e duan miqësinë me fqinjët dhe sakrifikojnë për këtë miqësi

3033
Sigal

 INTERVISTA/ Flet Shkrimtari dhe dramaturgu i njohur Fadil Kraja, “Mjeshtër i Madh” dhe “Krenaria e Shkodrës”

Lindi ne qytetin e Shkodër, Shqipëri mw 1931. Studimet e larta i përfundoi ne Universitetin e Tiranes ne Fakultetin e Filologjisë. Për shume vite punoi si mësues i letërsisë nw shkolla tw mesme dhe mw vonw pedagog i letërsisë sw huaja nw Fakultetin e Gjuhw-Letërsisë tw Universitetit “Luigj Gurakuqi” – Shkodër. Nga viti 1972 gjer mw 1992, shkrimtar ne profesion te lire duke vazhduar si pedagog i jashtëm ne fakultet dhe njëkohësisht Kryetar i Degës sw Lidhjes sw Shkrimtareve dhe Artisteve për Degën e Shkodrws. Vëllimi i parw poetik “Kënga ima” (1954) fitoi çmimin e parw nw Konkursin Kombëtar tw Letërsisë. Pastaj me radhe ka botuar vëllimet poetike “Melodi malësore”, “Jehona malesh”, vëllimet me tregime “Kandidatja e fundit”,”Fajin e kishte Besa”. Shkrimtari dhe dramaturgu i njohur Fadil Kraja, “Mjeshtër i Madh” dhe “Krenaria e Shkodrës”, ka një krijimtari shumë të pasur me vepra të ndryshme letrare me temë për Kosovën. Për ta njohur në këtë drejtim, bëra një intervistë me të:

– Ku e ka burimin frymëzimi i juaj dhe cili ka qenë faktori kryesor që ka përcaktuar krijimin e veprave kushtuar Kosovës?

– Që në fëmijëri Kosova u bë një lloj idhulli për mua, si për shumë shqiptarë të tjerë të Shqipërisë.  E doja dhe e adhuroja këtë krahinë dhe pjesë të bukur të tokës shqiptare, megjithëse nuk kisha qenë atje asnjëherë. Dëgjoja me vëmendje vlerësimet e më të rriturve dhe tregimet e tyre të ndryshme dhe përpija çdo gjë që thuhej. Kështu që tek ky emër shihja që herët diçka të mistershme dhe sublime. Fjala Kosovë ishte bërë sinonim i fjalës atdhe, trimëri, luftë, heroizëm, bujari, sakrificë. Herojt e mi të zemrës ishin Bajram Curri, Isa Boletini, Hasan Prishtina, Mic Sokoli e deri edhe Sef Kosharja e Kamber Loshi. Për ta, kur nisa të vargëzoj, që nxënës në shkollën e mesme (vitet e para të gjimnazit) thura edhe poezi, disa prej të cilave i ruaj edhe sot.

Çfarë ndikoi në këto frymëzimet tueja të para letrare?

– Ndoshta kjo lloj tifoje, kjo lloj stimë fëminore, që erdh e u ndez e u rrit më vonë, e pati spunton tek njohja me familjen e Bajram Currit, meqë kishim miqësi të ngushtë me Dervishe Hanmin, të shoqen e Bajram Currit dhe me bijat e saj Hajrije e Ganimete Currin, të cilat qenë shoqe me nënën dhe motrat e mija. Po kështu kishim miqësi me Bekteshët dhe, rrjedhimisht me të shoqen e të birtë e Adem Boletinit, djali i Isa Boletinit. Si e shoqja e Bajram Currit, Dervishe Hanmi, ashtu edhe Adem Boletini, para se të vritej gabimisht nga një atentat i grupeve guerile komuniste, vinin shpesh në shtëpinë tonë. Unë i kam njohur për së afërmi. Kjo stimë e dashuri për Kosovën më shoqëroi në vitet e adoleshencës, duke u bërë primare kur nisa udhën e vështirë të shkrimtarit. Kam shkruar shumë poezi, tregime, novela e librete me temën e Kosovës, siç thashë, pa e njohur atë për së afërmi. Edhe kur iu kushtova kryesisht gjinisë së dramaturgjisë, tema për Kosovën ka qenë e preferuar për mua.

-Përveç poezive të para të adoleshencës e rinisë suaj, ku mund të jenë fillimet e kësaj vëmendjeje në krijimtarinë tuaj për Kosovën?

– Përcaktuese në këtë vëmendjen time, siç po e quani edhe ju, kanë qenë vitet ’70 të shekullit të kaluar, kur lidhjet tona me shqiptarët e Kosovës u dendësuan aq shumë, sa që nuk më linte të qetë një dëshirë e brendshme që unë të bëja diçka në fushën e dramaturgjisë, që të kishte njëfarë lidhjeje me Kosovën. Këtë dëshirë timen e nxiti një ngjarje e rëndësishme për mua. Teatri popullor i Gjakovës, sapo ishte krijuar në vitin 1977. Drama e parë që vuri në skenë ishte drama ime “Fisheku në pajë”, me regji të regjisorit të njohur nga Prishtina Muharrem Qena. Kjo dramë u bë preludi i lidhjeve edhe shpirtërore edhe fizike me Kosovën. Gëzimi im u bë edhe më i madh, kur trupa e Gjakovës erdhi në Shqipëri për ta shfaqur këtë dramë, në vitin 1977.  Por siç dihet, ata u kthyen mbas shfaqjes së parë. Kishin ardhë nga Morina dhe u kthyen nga Hani i Hotit. Ne i pritëm me një  darkë shumë prekëse, ata shfrynë zemrimin e kthimit, mllefin që u ishte krijuar. Kjo ngjarje që nga gëzim i ardhjes u shndërrua  në dhimbje të kthimit, na la të gjithëve mbresa të fuqishme.

Cila qe rrjedha e ngjarjeve të mëvonshme?

Unë shkrova dramën “Baca i Gjetajve” dhe vetë fjala “Bacë” për mua do të thoshte Kosovë. Ngjarjen e kisha vendosur andej nga Krasniqja, pra në kufi me Kosovën. Këtë dramë, që u dha në kohën e termetit të vitit 1979, dhe me të cilën teatri korri  sukses të plotë edhe në festivalin kombëtar të teatrove po atë vit, për fat e pa edhe trupa e teatrit të Gjakovës, që erdhi në Shkodër me dramën “Epoka para gjyqit” të Ekrem Kryeziut. Ju përsonalisht, si drejtor i teatrit “Migjeni”, bëtë çmos që të shfaqet për ta drama jonë “Baca i Gjetajve”. Shfaqja e asaj dite, edhe pse paradreke, e  zhvilluar  me sallë plot, u kthye në një manifestim entuziazmi. Trupa e Gjakovës e ftoi trupën tonë për një turne në Kosovë me këtë dramë.  Përsëri qe merita jote  që këtë ftesë nuk e le të humbiste  në sirtaret e burokracisë së qëllimshme të Tiranës, por e ndoqe me këmbëngulje dhe ne shkuam në Kosovë pikërisht në maj – qershor të vitit 1980. Shfaqjet që u dhanë në të gjithë qytetet e Kosovës ishin manifestime të gjalla atdhedashurie dhe entuziazmi.

-Si i konkretizuat në veprat tuaja të mëvonëshme mbresat që patët nga turneu i “Bacës së Gjetajve”?

Turneu në Kosovë më frymëzoi të shkruaja një dramë të re.  Sapo u kthyem, unë shkrova dramën “Gjaku i Arbërit”, e cila aludonte pikërisht për Kosovën, për shqiptarët që e duan miqësinë me fqinjët dhe sakrifikojnë për këtë miqësi, por shpërblehen keq, me dhunë e tradhëti. Edhe kjo dramë pati jehonë në të gjithë vendin, por edhe në Kosovë, në Malin e Zi, Maqedoni e në diasporë.  Atë e shfaqën trupat amatore të tyre, bile e shfaqën edhe në Detroit e Miçigan. Këtë dramë e ka dhënë shumë herë RTSH  dhe është shumë e njohur, prandaj nuk kam pse e komentoj. Në fakt, qëllimi im, kur shkrova dramën, ishte që të krijoheshin mundësi që ne të shkonim edhe një herë, në një turne të ri, në Kosovë. Por ngjarjet rodhën me shpejtësi dhe kontaktet me Kosovën u ndërprenë.

-Pastaj, në vitet e mëvonëshme, sikur e ndërpretë krijimtarinë për Kosovën?

Në asnjë mënyrë jo. Nderimi dhe dashuria për Kosovën nuk m’u nda kurrë. As krijimtaria për të. Ndoshta, në kushtet e reja që u krijuan, nuk shkrova ndonjë dramë të re, por në mendje bluaja tema të ndryshme për vepra që dolën në dritë më vonë. Nga fundi i viteve ’80 shkrova dramën “Flamur në dasëm” që fitoi çmim në konkursin kombëtar të dramës. U shfaq me sukses nga trupa e teatrit “Migjeni” dhe në vitet e para të demokracisë, regjisori i talentuar Serafin Fanko e rishfaqi, duke i dhënë karakter mbarëkombëtar, duke angazhuar aktorë nga Tirana e Shkupi. Kjo dramë, që i kushtohet heroizmit të trimit kosovar Kamber Loshi, u shfaq me sukses në një turne të gjatë që bëmë në qytetet shqiptare të Maqedonisë.

-Është i njohur intensiteti i punës suaj gjatë vitit të zjarrtë 1999. Çfarë mund të thoni për ngjarjet e atyre ditëve në raport edhe me krijimtarinë tuaj?

-Gjatë luftës çlirimtare të Kosovës, sidomos gjatë eksodit biblik të kosovarëve në Shqipëri, unë shkrova shumë tregime, që i botoja në gazeta e revista të kohës. Në vitin 2000 i përmblodha këta tregime në një vëllim me titull “Heshtja që të ther shpirtin”. Promovimi që iu bë këtij libri në Gjakovë qe veçanërisht i bukur. Përveçse  folën personalitete të artit e të kulturës së qytetit, takimi u zbukurua dhe u bë më prekës me interpretimin e tregimeve nga aktorët e teatrit popullor të Gjakovës, të cilët, disa nga këta tregime i kishin inskenuar. Dhe në mbrëmje, radio e Gjakovës bëri një emision të gjatë me telefonata dhe përgjigje nga autori për këtë libër.

A mund të njihen lexuesit tanë me përmbajtjen e këtij libri me tregime?

Në librin “Heshtja që të ther shpirtin” përfshihen shumë tregime për ngjarje të jetuara gjatë ditëve kur në Shkodër ishin strehuar me mijëra shqiptarë të Kosovës nga të gjitha hapsirat e saj. Shkodra mikpritëse tregoi bujarinë e vet në një mënyrë shembullore dhe në këtë vështrim pati edhe ngjarje shumë emocionuese, të cilat nuk e di se sa ia kam arritë t’i paraqes ashtu siç kanë ndodhur, me ato emocione dhe vlera.

-Drama “Dasma e trojeve tona” ishte pasqyrim i menjëhershëm i disa prej ngjarjeve që kishin ndodhur në Shkodër në kohën e ardhjes së shumë e shumë kosovarëve. Janë ngjarje të vërteta, të jetuara , por të paraqitura nga ana e juaj në mënyrë artistike. Si u prit ajo pikërisht pa u mbushur një vit mbas mbarimit të luftës, kur plagët e rënda të saj ende ishin të freskëta?

Kjo shfaqje ishte një triumf i vërtetë i Teatrit Popullor të Gjakovës. U prit me lot dhe me ovacione.  Me lot për ngjarjet e rënda të ndodhura në Kosovë gjatë luftës dhe me ovacione për entuziazmin që krijonte fundi i saj, për gëzimin e fitores së lirisë. Ato netë të shfaqjes së saj u kthyen në një festë të vërtetë të qytetit martir.

Tema e Kosovës më pati nxitur të shkruaj edhe një dramë me titull “Mos ma shkim hisen e diellit”. Këtë dramë e vuri në skenë përsëri regjisori Serafin Fanko, por me trupën e Strugës dhe ishte e para dramë që vinte kjo trupë me emrin SOFRA. Shfaqja e saj qe një festë për qytetin.

Trupa teatrore e Tuzit të Malit të Zi , vuri para tre vitesh një dramë timen po me temë nga kalvari apo golgota kosovare. Titullohet “TRONDITJE”. U prit shumë mirë, bile fituan tre çmime në festivalin e trupave amatore të Malit të Zi.

Pyetje: Pra janë një numur i madh dramash që ju keni shkruar me tema të ndryshme që i marrin ngjarjet nga luftërat e vazhdueshme të popullit shqiptar të Kosovës për liri e pavarësi. Sepse ju në rradhë të parë jeni dramaturg dhe askush nuk ka prodhimtari dramaturgjike kaq të gjërë për Kosovën sa ju. Dhe të gjitha dramat tuaja janë vënë në skenë. Por ju keni botuar edhe vepra të tjera në prozë, përveç librit me tregime, për të cilin folëm. Çfarë mund të thoni për to?

Përgjigje: Po, është e vërtetë. Kam shkruar dhe botuar dy romanet: “Britma e një gruaje” dhe “Balada e nënës”. Ngjarjet e të dy romaneve zhvillohen kryesisht në Shkodër. “Britma e një gruaje” flet për ngjarjen e njohur të Kupe Danes (për të cilën ka edhe këngë) që shpëtoi nga çnderimi i përdhunshëm i ushtarëve turq një vajzë të re shkodrane të besimit katolik në fundin e shekullit të XIX. Ngjarjet janë gërshetuar në mënyrë të atillë që jehona e tyre kaloi edhe në Kosovë dhe popullësia atje mori pjesë aktive në zhvillimin e këtyre ngjarjeve. Ndërsa në romanin e dytë “Balada e nënës” dalin po ashtu në pah lidhjet shpirtërore midis Shkodrës e Gjakovës, me të njëjtat doke e zakone, me të njëjtat tradita e virtyte. Në të dy romanet personazhet kosovarë janë mbresëlënës.

Pyetje: Me kaq sa u tha, ju jeni shkrimtari më produktiv dhe që vazhdoni të shkruani për skenën. Kohët e fundit janë vënë në skenë nga teatri “Migjeni”, me shumë sukses,  dy komeditë tuaja. Por për temën e Kosovës e jeni duke vazhduar?

Përgjigje: Nuk resht të shkruaj për Kosovën dhe besoj se nuk do të resht deri sa të mbylli sytë. Sepse tema e Kosvës është bërë pjesë e gjakut tim…e shpirtit tim. 1)

1)      Më 25 tetor 2011, në qytetin e Ferizajt, në festivalin e 41-të teatrove, u dha me shumë sukses premiera e dramës “Dy jetë” të Fadil Krajës, pa u shfaqur ende në Shkodër.