Talljet për barazimin ndaj Beneventos, reagimi zyrtar i Milanit: Ne jemi në Europë…

241
Tepër i hidhur ka qenë fundi i ndeshjes me Beneventon për Milanin. Si për ironi të fatit ekipi i vendit të fundit në Seria A mori pikën e parë për këtë sezon pikërisht ndaj Milanit. Përveç kësaj, fakti që ishte ndeshja debutuese e trajnerit të ri Gatuzo dhe fakti që goli u shënua nga portieri kundërshtar në minutën e 95-të ishin të tjera goditje për moralin e ekipit milanez.
Sikur të mos mjaftonin gjithë këto “probleme” për Milanin, iu shtua edhe tallja e gjithë rrjeteve sociale këto ditët e fundit. Por trajneri i ri dhe klubi i Milanit po planifikojnë ringritjen nga kjo situatë e zymtë. Klubi që për momentin ndodhet shumë larg objektivave që i vuri vetes në fillimin e sezonit, ka reaguar përballë gjithë lumit të talljeve të këtyre ditëve përmes një deklaratë në faqen e saj zyrtare.
“Jo, nuk është Cavese. Milan është befasuar në Benevento, aty ku disa skuadra kanë fituar bindshëm, ndërsa disa të tjera kanë fituar me vuajtje, pikërisht siç po bënin kuqezinjtë deri në minutën e 94-t. Por, sot, skuadra jonë është në Europë dhe pozicioni në renditje, edhe pse zhgënjyes në krahasim me atë që pritej, nuk na përjashton nga arritja e objektivave europian.
Tentativa për të transformuar një rezultat befasues në një tragjedi sportive është e ekzagjeruar. Skuadra është shumë e kënaqur me punën që ka filluar të bëjë me Rino Gatuzo-n dhe mundësitë për t’u përmirësuar nuk mungojnë. Fusha do ta tregojë këtë”, reagoi klubi i Milanit.