Sigal

Kur Uruguai shënoi golin e fitores në ndeshjen e parë të Botërorit në minutën e fundit ndaj Egjiptit, Oscar Tabarez duhej të frenohej në festimin e tij për shkak të sëmundjes së neuropatisë kronike që e detyron të mbështetet gjithmonë mbi një patericë, por një trajner i brishtë në pamje të parë është një gjeneral i vërtetë në drejtim.

Uruguai i tij, ja doli të mbyllte me pikë të plota grupin dhe të nxirrte jashtë dhe kampionen e Europës së Portugalisë duke e gjetur veten për herë të dytë në çerekfinale. Një arritje që mungonte prej dekadash në kombëtaren dy herë kampione të Botës.

Kur Tabarez mori drejtimin e Uruguait në vitin 2006, arritja më e madhe prej dy dekadash për këtë kombëtare ishte në pjesëmarrje kalimtare në vitin 2002. Gjenerali siç njihet ndryshe në vendin e tij brenda katër vitesh do të ndryshonte plotësisht paraqitjet e kombëtares uruguaiane duke i bërë të ndihen ushtarë përpara tij yje si Suarez, Cavani apo Godin.

Në 2010-ën provoi shijen e parë të suksesit me një vend të katërt në Botëror duke qenë dhe kombëtarja amerikano-jugore që mbërriti më larg në këtë turne.

Ndërkohë që pas një viti uruguaianët u rikthyen të fitojnë Copa America në një kompeticion të dominuar nga fillimi në fund. Në Brazil sërish kombëtarja Celeste kapi fazën e 1/8 ku u eliminua nga Kolumbia ndërsa në Rusi po tregon dhe njëherë tjetër se Uruguai po i ritkhehet ditëve të lavdishme, falë një trajneri që suksesin e tij e ka ndërtuar mbi thjeshtësinë, në metodat e të punuarit dhe stilin e të luajtir.

Uruguai i Tabarez është shëmbëlltyra e tij, një skuadër jo shumë dëfryese në lojë, por për një gjeneral si në fushë dhe në luftë, i rëndësishëm është rezultati përfundimtar dhe 71-vjeçari, përtej çdo vështirësie, qoftë dhe fizike, po e dërgon Uruguain në shtigje të pashkeluara prej dekadash, për të rikthyer emrin e një skuadre që dikur ishte e madhe, nga një vend i vogël.