Sulmi i Partizanit “në zjarr”, 27 gola në 5 ndeshje, më mirë se çdo skuadër tjetër

457
Sigal

Një skuadër në sulm pa filluar mirë kampionati, do të thotë një arsye më shumë për rivalitet gjatë sezonit. Në qoftë se skuadra e Partizanit shihej si ekipi me mbrojtjen më të mirë, e në fakt ashtu rezultoi gjatë fazës së parë, nuk mund të themi të njëjtën gjë për sulmin, ku sigurisht ky repart nuk ka pasur të njëjtën ecuri me mbrojtjen. Në këtë fazë parapërgatitore, skuadra e Partizanit mund të quhet si më e mira, nisur jo vetëm nga fitoret por edhe nga rezultati, ku në 5 ndeshje kanë shënuar 27 gola, duke u bërë kështu, sa u përket statistikave, skuadra me një sulm të frikshëm e që padyshim “tremb” kundërshtarët e kampionatit. Skuadra e parë që do të ndeshet me Partizanit për 2015-ën në kampionat është Laçi, që aktualisht po zhvillon fazën përgatitore në Portugali, nga ku po zhvillon edhe ndeshje miqësore, pas përgatitjes që bëri në Shqipëri. Partizani, sa i përket kampionatit dhe renditjes aktuale, është skuadra me më pak gola të shënuar nga katër të parat, me 16 të tillë ndërkohë që nga ana tjetër është skuadra që ka pësuar më pak, duke e balancuar disi ritmin e mangët të sulmit. Partizani ia ka arritur që të fitojë takime me rezultate të ngushta, pa u “lodhur” shumë në sulm, duke qenë kështu disi mbrapa ekipeve të tjera që bëjnë pjesë në katërshen e parë. Duke parë formën që po kalon sulmi i Partizanit aktualisht, fillesa për gjysmën e dytë do të jetë shumë më ndryshe, ku edhe pse deri më tani ekipi nuk ka bërë blerje në këtë repart, përsëri futbollistët po përgjigjen mirë, duke u ftilluar më shumë para porte. Në qoftë se shohim ekipet e tjera, nuk e kanë të njëjtën ecuri gjatë kësaj faze, ku padyshim “demat” e kuq shihen si pretendentë shumë të fortë për të fituar. Do edhe pak ditë që të fillojë Superliga, por që të gjitha ekipet e kanë filluar në distancë “luftën” e tyre, që nga blerjet e shumta të futbollistëve, por edhe nga rezultatet në miqësore, që padyshim janë një tregues i qartë për vazhdimësinë e ecurisë pozitive. Me datë 24, do të ulë “siparin” edhe Superioria, për të luajtur aktin e tretë të gjysmës së dytë të kampionatit, e deri atëherë, skuadrat kanë edhe pak ditë në dispozicion për t’u përgatitur.

 “Shpresa” e futbollit shqiptar përgatitet në Turqi, miqësore me Iranin, Ukrainën dhe Kinën

Futbollistët e kombëtares “Shpresa” në futbollin shqiptar, janë nisur dje drejt Turqisë për të zhvilluar një fazë përgatitore, para se të hidhet shorti për  Kampionatin e ardhshëm Europian, me 5 shkurt. Gjatë qëndrimit të tyre në Turqi, përfaqësuesit tanë do të zhvillojnë tre ndeshje miqësore, ku ajo që bie në sy në të përzgjedhurit e Skënder Gegës është se ka vetëm 8 futbollistë që militojnë në kampionatin shqiptar, ndërsa të tjerët aktivizohen në ligat europiane, që nga klubet belge e deri tek ato gjermane. Gjatë përzgjedhjes, disa klube nuk kanë pranuar që të dërgojnë futbollistët e tyre në këtë grumbullim, pasi fillon edhe kampionati dhe datat e grumbullimi nuk janë të favorshme për skuadrat dhe futbollistët. Sa i përket futbollistëve që janë thirrur por nuk do të shkojnë, janë 6 të kampionatit shqiptar, ku dy aktivizohen me Vllazninë, dy me Teutën dhe dy me Partizanin, ndërkohë si përfaqësues të vetëm të Superligës shqiptare do të jenë vetëm dy futbollistë, ku njëri aktivizohet për Skënderbeun dhe tjetri për Teutën. Në bazë të përzgjedhjes që ka bërë trajneri, skuadra e Teutës ka më shumë futbollistë të përfshirë në Kombëtaren e “vogël”, me tre të tillë, ndërkohë që janë vetëm katër skuadrat që kanë talente të thirrur në kombëtare, si Vllaznia, Skënderbeu, Partizani dhe Teuta. Ndeshjen e parë Shqipëria do ta luajë ndaj Iranit nesër, për tu pasuar me 23 nga ndeshja me Ukrainën, ndërsa si takim përmbyllës është ai ndaj Kinës, ditën e diel të kësaj jave. Këto ndeshje zhvillohen në sajë të një faze parapërgatitore që vlen më shumë për trajnerët e skuadrave, për të testuar dhe për të grupuar futbollistët që do të grumbullohen për kampionatin Europian, shorti i të cilit do të hidhet me datë 4 të muajit të ardhshëm.

 Miqësoret e fundit, e mbyllin me humbje Skënderbeu dhe Kukësi

Janë mbyllur edhe miqësoret e fundit për skuadrat e Kukësit dhe Skënderbeut, ku këta të fundit u ndeshen dje pasdite me ekipin e Fortuna Dyseldorfit të Gjermanisë, duke humbur me rezultatin 2-0 në një ndeshje të realizuar mirë nga të dyja skuadrat ku edhe Skënderbeu tregoi një nivel shumë të mirë gjatë gjithë lojës, pavarësisht rezultatit. Në gjithë këto ndeshje miqësore, Skënderbeu ka pësuar shumë gola, por të paktën arriti që të fitonte ndaj Fraiburgut me rezultatin 1-0. Në total, faza e Skënderbeut nuk është se ka qenë e ndritur, por mbetet për tu parë gjatë javëve në vazhdim nëse ia kanë dalë që të sjellin ndryshim në grup, ku përsëri do të luajnë për të mbrojtur titullin e kampionit. Nga ana tjetër, edhe Kukësi nuk është se e mbyll në mënyrën më të mirë të mundshme këtë fazë, pasi pësoi një humbje 3-0 ndaj skuadrës turke të Kaiserisporit.

 Flamurtari përsëri në merkato, blen 23 vjeçarin Yani Udinov

Godet Flamurtari në merkato, kur dukej se çdo gjë ishte mbyllur për këtë skuadër. Dje është zyrtarizuar marrëveshja me futbollistin 23 vjeçar maqedonas, që luan në pozicionin e mbrojtësit të krahut të majtë. Ky zyrtarizim është një arritje për Flamurtarin që në grupin e vet afroi edhe një futbollist që njihet për cilësitë e tij të mira në pozicionin që ai mbulon. Flamurtari gjatë kësaj faze pushimi ka lëvizur shumë në merkato, kjo nisur edhe nga fakti se largoi shumë futbollistë nga skuadra, duke u bërë kështu një pikë blerjeje për të gjitha ekipet e tjera, ku skuadrat elitare nuk ngurruan që të merrnin futbollistë shumë cilësor që nuk bënin më pjesë në planet e vlonjatëve.

 Portieri Elvis Kotorri i bashkohet Dinamos, lë Elbasanin

Elvis Kotorri më në fund ka vendosur për të ardhmen e tij, duke u bërë pjesë e Dinamos, skuadër që militon në Kategorinë e Parë. Kjo zgjedhje duket shumë praktike nga Kotorri që lë një skuadër pothuaj të fundosur dhe që e ka shkruar fatin e tij për të rënë nga Superiorja këtë sezon, ndërkohë që është bashkuar me Dinamon, një nga ekipet pretendente për tu rikthyer në Superligë. Blerjet që ka bërë Dinamo këtë merkato e vënë padyshim si një nga skuadrat më të forta dhe kundërshtare e fortë e Lushnjës për të ndarë vendin e parë në klasifikim.