Strategjia e re e trukimeve, mafia kineze ble klubet e vogla europiane

460
Frika se kriminelët kinezë e kanë çuar sistemin e basteve të paligjshme në një nivel më të sofistikuar po rritet dita-ditës. Mendohet se është krijuar një model i ri trukimi dhe diçka të tillë e ka zbuluar nëpërmjet një shkrimi të saj e përditshmja britanike “Daily Mail”, sipas së cilës grupe kineze blejnë aksione në klube të ndryshme europiane dhe trukojnë ndeshjet.
Të qenit pjesë e organigramës së një shoqërie futbolli duket se i ndihmon këta “sipërmarrës” të manipulojnë rezultatet e ndeshjeve të skuadrës që zotërojnë. Fakti që janë klube europiane e bën skemën edhe më të besueshme për “investitorët”.
Shkrimi i gazetës britanike e ka fillesën te Atlën Tauni, një skuadër që aktualisht luan në kategorinë e dytë irlandeze. Besohet se një pjesë e aksioneve të klubit në fjalë i janë shitur një grupi bastvënësish nga Pekini dhe emri i pronarit të tij, pavarësisht së është i njohur, nuk bëhet i ditur për arsye hetimi. I njëjti individ mendohet së ka aksione në klube të vogla të kategorive të ulëta në vende si Portugalia, Letonia dhe Rumania. Ajo që rrit më shumë dyshimet, është fakti se të gjitha ekipet ku personi ka aksione janë përjashtuar ose pezulluar përkohësisht nga kompanitë e basteve.
Duke u rikthyer tek ekipi i Atlën Taunit, mund të themi se ai është nën hetim nga policia vendëse, Federata Angleze e Futbollit dhe gjithashtu UEFA, por ende nuk ka një prononcim zyrtar nga asnjë prej këtyre organeve. Në krye të listës së ndeshjeve nën lupën e hetuesve është humbja 3-1 e Atlënit në fushën e Longfordit, një ndeshje e luajtur më 29 prillin e kaluar. Një raport konfidencial i qeverisë së futbollit europian, i dërguar të premten e kaluar klubit irlandez, shkruan: “Ka elementë të qartë në sistemin bastvënës që tregojnë se kjo ndeshje është e manipuluar”.
Sipas mënyrës sesi janë vënë bastet për këtë ndeshje mund të thuhet se kuotat ku është synuar më shumë janë: të paktën dy gola që shënohen në gjysmën e parë (Longford shkoi në avantazh 2-0 pas gjysmë ore loje) dhe 4 gola brenda kohës së rregullt (ndeshja mbaroi 3-1). Koefi cientet dhe sasia e shumave të basteve për këtë sfi dë u ka sjellë bastvënësve përfi time për pothuajse 1 milion euro.
Grupi kinez që bleu aksionet e Altën Taunit pagoi 425 mijë paund për kuotën e kërkuar, ndërsa, sipas disa llogarive të thjeshta, vetëm me ndeshjen nën hetim “aksionarët” kanë rifi tuar shumën e investuar, por edhe një përfi tim të majmë, duke qenë se bëhet fjalë vetëm për një takim. Një tjetër element që shton dyshimet në këtë çështje janë edhe transaksionet e parave, shumica e të cilave u janë dërguar fituesve nga Kina.
Një tjetër ndeshje që pati tërhequr dyshime ishte ajo e Altën Taunit ndaj UC Dublin që përfundoi 4-1 për dublinasit. Kjo ndeshje kishte koeficiente tepër joshës për një rezultat përfundimtar me pak gola. Ajo që shton dyshimet është fakti se shuma të mëdha u vunë për një rezultat me mbi 4 gola pas pushimit të pjesës së parë dhe vetëm pak minutash pas një fluksi të çuditshëm bastesh UC Dublin shënoi golin e katërt në minutën e 89-të. Nga drejtuesit e klubit irlandez nuk ka ardhur akoma një koment për mediat, por nga burime të brendshme thuhet se i gjithë ambienti është shumë i tronditur nga kjo akuzë, pasi po flasim për një ekip me 130 vite histori.
UEFA ka njoftuar të gjitha federatat e saj se duhet të nisin një hetim për të zbuluar nëse ka raste të tilla në kategoritë e ulëta. Nëse një investitor ofron një shumë të kënaqshme për një klub që ndoshta nuk vlen shumë në aspektin monetar, atëherë duhen bërë të gjitha verifikimet e rastit, pasi ka një mundësi shumë të lartë që të kemi të bëjmë me një rast analog me atë në Irlandë. Duke u rikthyer te klubi i Atlën Taunit, duhet thënë se që, pas ardhjes së aksionarëve të rinj, janë bërë shumë ndryshime në stafin teknik të skuadrës dhe në organikë.
Mes risive ishte afrimi në skuadër i portierit letonez Igor Labuts, i cili ka qenë i federuar më parë edhe me klube të vogla në vende të ndryshme, dy nga të cilat kanë pasur ose kanë aksionarë aziatikë. Vetë portieri e ka pranuar se në të kaluarën është kontaktuar nga njerëz të ndryshëm, por nuk pranoi se ka gisht në manipulimin e rezultateve. “Jam i pastër në ndërgjegje, por ndihem keq për këtë dëmtim që po i bëhet imazhit tim”, deklaroi ai shkurtimisht për mediat.
Burime pranë UEFA-s konfi rmojnëse në tri vitet e fundit janë zhvilluar rregullisht hetime për 200 ndeshje në 55 vende të ndryshme. Ndër këto vetëm 14 ndeshje janë zbuluar si të trukuara dhe ekipet e përfshira janë dënuar, sipas statutit, madje në disa prej tyre ka pasur raste personash të larguar nga bota e futbollit përjetë. Dihen vështirësitë e gjetjes dhe sidomos faktimit të ndeshjeve të manipuluara, por me rastet e demaskuara janë gjurmuar vazhdimisht paratë për të neutralizuar përfundimisht këta njerëz që po shkatërrojnë futbollin.
Sigal