Skënderbeu “pushton“ Evropën

255
Korçarët fitojnë ndeshjen e dytë dhe avancojnë në turin e tretë të Ligës së Europës 
Skuadra e Skënderbeut ka fituar dje me rezultatin 2-0 përballë Kazakëve të Kairat Almati, falë golave të realizuar në minutën e 50-të nga Sabien Lilaj dhe në minutën e 83-të nga Sebino Plaku, për t’u kualifikuar për në turin e tretë paraeliminator të UEFA Evropa League. Të favorizuar edhe nga barazimi 1-1 në takimin e parë, korçarët kanë mundur të sigurojnë kualifikimin falë rezultatit të përgjithshëm 3-1. Një kualifikim gati dramatik për Skënderbeun, i cili është detyruar të ndeshet për gati 10 minuta në inferioritet numerik, pas ndëshkimit me karton të kuq të autorit të golit të fitores, Sabien Lilaj, i cili ka regjistruar dy kartonë të verdhë, deri kur arbitri ka rivendosur barazinë numerike, me daljen e Arzo me karton të kuq për veprim anti-sportiv ndaj Vangjelit. Megjithatë skuadra ka treguar besim në fushën e lojës, njëlloj sikur të ishin duke luajtur në kompeticionin e tyre më të preferuar, më lehtë se në Kategorinë Superiore e në Kupën e Shqipërisë. Skuadra e Skënderbeut ka dominuar që në pjesën e parë të takimit. Ndonëse të favorizuar nga barazimi 1-1 në transfertë, korçarët u janë imponuar kundërshtarëve gjatë të gjithë pjesës së parë, duke zhvendosur lojën në gjysmëfushën e kazakëve. Pavarësisht lojës së spostuar në zonën e Kairat Almat, skuadra e Skënderbeut i është afruar golit realisht vetëm nëpërmjet goditjeve standarde, por pa mundur dot të finalizojë saktësisht, me Jashanicën e Nimagën protagonistë në disa raste flagrante. Në pjesën e dytë, sipas “Telesport”, vetëm pesë minuta nga rifillimi i takimit, skuadra e Skënderbeut ka kaluar në avantazh falë kualitetit dhe individualizmit të Sabien Lilaj. Ky i fundit, pasi ka mundur të rrëmbejë topin nga këmbët e mbrojtësit të Kairat Almat, është afruar në drejtim të portës dhe në djagonale ka dërguar topin në rrjetë. Një epërsi që veç kualifikimit, u ka dhuruar vendasve edhe më shumë qetësi, por jo Lilaj. Ky i fundit, në të 75’ ka lënë skuadrën në inferioritet numerik, pasi arbitri ka konsideruar të parregullt një ndërhyrje të tij në mesfushë, duke i treguar kartonin e dytë të verdhë. Vetëm një minutë pas daljes së Lilaj, është Latifi që i afrohet golit të dytë për Skënderbeun, pasi i shmanget markimit nga e majta, në hyrje të zonës gjuan por largon portieri. Në të 83-tën minutë Sebino Plaku bën mrekullinë, pasi merr në mënyrë të përsosur me gjoks një top nga mesfusha, depërton në zonë, gjuan në parabolë për të kaluar portierin dhe dërguar topin në rrjetë, duke sigluar fitoren e korçarëve në 2-0 dhe siguruar kualifikimin. Kualifikim, që një minutë më pas bëhet edhe më i lehtë, pasi në fushë rikthehen ekuilibrat, pas daljes së Arzo me karton të kuq, për një veprim antisportiv ndaj Vangjelit.

Skënderbeu-Kairat Almati 2-0 (3-1)
Shënues:Lilaj 50′, Plaku 83’
Skënderbeu: Shehi, Vangjeli, Radas, Jashanica, Mici, Taku, Lilaj, Osmani, Nimaga, Latifi, James.
Trajner: Ilir Daja
Kairat Almati: Pokatilov, Akhmetov, Arzo, Bateu, Sujumbajev, Kuat, Elek, Isael, Islamkhan, Arshavin, Guhu
Trajner: Kakhaber Tshadadze
Arbitër: Jens Mae (Danimarkë)