Skënderbeu kundër Çernomoretsit dhe korçarit Vangjeli

542
Sigal

Me skuadrën ukrainase aktivizohet edhe mesfushori i Kombtares sonë, Elis Bakaj

Skënderbeu do të përballet në ukrainasit e Çernomorets Odesës, në fazën e “play-off”-it të Ligës së Europës, duke u bërë kështu skuadra e dytë shqiptare që do të sfidojë një ekip nga vend, pas Kukësit që eliminoi Metalurgun e Donteskut. Skuadra nga Odesa është e njohur për ambientin futbollistik shqiptar, pasi me të luajnë dy lojtarët e Kombëtare sonë, mesfushori Elis Bakaj dhe mbrojtësi Kristi Vangjeli, ky i fundit është nga Korça, duke e bërë më tërheqëse këtë sfidë. Në fakt, nëse Teuta do të kalonte moldavët e Daçia Kishinaut në turin e parë do të ndeshej me Çernomoretsin, por fati e deshi që ukrainasit të përballeshin me një ekip shqiptar në turin e katërt të Ligës së Europës, apo në “play-off”. Skënderbeu vjen nga Liga e Kampioneve, pra në letër konsiderohet si ekip më i fortë. Sigurisht që, informacionet për Çernomoretsin nuk mungojnë dhe trajneri Mirel Josa, i ka të gjitha mundësitë ta përgatisë ekipin për një kualfikim historik në fazën e grupeve të Ligës së Europës. Çernomorets është themeluar në vitin 1936. Ai i luan ndeshjet në “Stadion Chornomorets”, që ka një kapacitet prej 34164 vendesh. Sa u përket trofeve kombëtarë, Çernomorets ka fituar dy Kupa të Ukrainës, në edicionet 1993/1994 dhe 1992. Nënkampion në kampionatin ukrainas ka dalë në sezonet 1995/1996 dhe 1994/1995. Për sezonin e ri futbollistik 2013-2014, pas katër javësh kampionat, Çernomorets Odesa pozicionohet në vendin e tetë, me 5 pikë, nga 16 skuadra që ka “Premier League” e këtij vendi. Gjatë rrugës për në “play-off”, Çernomoretsi eliminoi në turin e dytë, Daçia Kishanau (Moldavi) me rezultatin e përgjithshëm 3-2 (2-0, 1-2) dhe në turin e tretë, Crevena Zvezdën (Serbi) me rezultatin e përgjithshëm 3-1 (3-1, 0-0).

Liga e Europës Faza “play-off”

Çernomerts-Skënderbeu      22.08

Skënderebeu-Çernomorets    29.08

Trabzonspor-Kukësi         22.08

Kukësi-Trabzonspor         29.08

Bilanci me ukrainasit

Ka vetëm një precedent me ekipet ukrainase. Pikërisht, ai Kukësi-Metalurg Dontesk. Secila skuadër ka firuar nga një ndeshje: Kukësi fitoi në “Qemal Stafa” 2-0, Metalurg fitoi 1-0 në Dontesk.

Josa: “Çernomorets, me eksperiencë”

Trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa, e sheh me sy pozitiv shortin e Europa Ligë, që i rezervoi si kundërshtare kampiones së Shqipërisë skuadrën ukrainase Çernomorets Odesa. Trajneri tiranas kujton se ekipi ku aktivizohen dy futbollistët e kombëtares shqiptare Elis Bakaj dhe Kristi Vangjeli nuk ka eksperiencë në kompeticionet europiane. Josa e ka të qartë që trajneri i Chernomorest do të ketë privilegjin ta njohë në detaj Skënderbeun nëpërmjet Vangjelit dhe Bakajt. Fakti që Çhernomorest ka eliminuar Cvrna Zvezden, një emër të madh të futbollit serb, sipas Josës nuk është argument për t’ua pasur frikën ukrainasve.

Josa shpreson që, takimi i kthimit Skënderbeu-Çernomorets të zhvillohet në stadiumin Skënderbeu, para publikut korçar.

Në fazën “Play-off” të Ligës së Europës, Josa mund të aktivizojë edhe Gjergji Muzakën, i cili është afruar pak ditë më parë pas shkëputjes së parakohshme të marrëdhënieve me Flamurtarin.

Grigorçuk: “Respekt për Skënderbeun”

Trajneri i Çernomoretsit, Roman Grigorçuk, foli me respekt për Skënderbeun, kundërshtarin shqiptar në Ligën e Europës.

– Si ju duket kundërshtari?

– Normalisht e prita me qetësi. Do ta trajtojmë kundërshtarin me respektin e duhur. Të gjithë e kuptojmë tani se në futboll janë shumë shembuj, ku ekipet bëjnë praktikisht atë që është e mundur, edhe pse disa mund të mendojnë se nuk kanë më shanse. Ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Kjo është ajo që unë kërkoja të thosha rresh kompeticionit europian, pasi ne tashmë e kemi filluar kampionatin.

– Kukësi ishte shembulli i parë i stilit të futbollit shqiptar. Si ju duk?

– Unë nuk mund të gjykoj futbollin shqiptar, nuk jam shumë i interesuar në të. Por, tani situata ma kërkon që ta studioj kundërshtarin dhe këtë do të bëj. Për momentin, të gjitha mendimet e mia janë për kampionatin (ukrainas).

– Kur ka qenë hera e fundit që keni parë ndeshje të ekipeve shqiptare, përveç Kukësit?

– Këtë nuk mund ta them. Me ekipet shqiptare kemi bërë disa ndeshje miqësore gjatë grumbullimeve. Në përgjithësi, eksperienca ka qenë pozitive. Ata luajnë dhe e pëlqejnë futbollin, ndërsa kanë shumë karakter.

– Me kë do të këshilloheni për këtë kundërshtar?

– Nuk kam ndonjë problem me këtë. Ne do të kemi informacionin më të mundshëm të bollshëm rreth Skënderbeut. Për këtë, nuk jam aspak i shqetësuar.

– A jeni i kënaqur me shortin?

– Ne kishim një numër rivalësh potencialë, të gjithë dukeshin të barabartë. Unë i përmbahem asaj se, shorti nuk të thotë asgjë, pasi janë vetëm dy ndeshje.

Liga e Kampioneve

Milan-PSV Eindhoven, përplasja e madhe

Milan-PSV Eindhoven është përplasja e madhe e fazës së “play-off”-it në Ligën e Kampioneve, teksa për herë të fundit të dy ekipet janë përballur në vitin 2005. Shtatë herë kampionët e Evropës, Milani, do të ndeshet me fituesit e vitit 1988 të këtij kompeticioni, PSV Eindhoven, për të siguruar një vend në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve. Ky është produkti i shortit të hedhur të premten në mesditë në Nion të Zvicrës. Ndeshjet e para zhvillohen më 20/21 gusht, ndërsa të kthimit një javë më vonë. Dhjetë fituesit e këtij raundi do të bashkohen me 22 skuadrat e tjera që hyjnë në mënyrë direkte në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve. Humbësit e fazës së “play-off”-it të Ligës së Kampioneve do të vazhdojnë të luajnë në fazën e grupeve të “Europa League”. Finalja e madhe do të luhet në “Estadio Sport Lisboa”, stadiumi i Benfikës, të shtunën e 24 majit 2014. Ndërkohë, pjesëmarrja e Fenerbahçes dhe e Metalist Kharkiv në këtë kompeticion është subjekt pritjeje i procedimeve disiplinore dhe KAS-it në Lozanë.

Liga Kampioneve/ Faza “play-off”

Grupi i skuadrave jo kampione

Dinamo Zagreb (KRO)-Austria (AUS)

Ludogorets (BUL)-Bazel (ZVI)

Viktoria Plzen (CEK)-Maribor (SLLO)

Shakhter Karagandy (KAZ)-Sëlltik (SKO)

Steaua Bukuresht (RUM)-Legia Varshavë (POL)

Grupi i skuadrave kampione

Olimpik Lion (FRA)-Real Sociedad (SPA)

Shalke 04 (GJER)-Metalist Kharkiv (UKR)

Paços de Ferreira (POR)-Zenit St.Pet. (RUS)

PSV Eindhoven (HOL)-Milan (ITA)

Fenerbahçe (TUR)-Arsenal (ANG)