Si sot para 13 vitesh debutoi “jashtëtokësori” Messi, historia e lavdishme vijon të shkruhet

82
Si sot para 13 vitesh ka debutuar si profesionist ylli botëror i futbollit Lionel Messi.
Ishte 17 tetori i vitit 2004 kur trajneri Frank Raijkaard në stadiumin Olimpik të “Montjuic” e thirri të ngrihej nga stoli ku qëndronte në pankinë për të hyrë në lojë. Shtatshkurtri me numrin 30 që do të merrte vendin e portugezit Decco ishte Lionel Messi, në atë kohë ishte vetëm 17 vjeç dhe 22 ditë.
Prej këtij momenti historik argjentinasi ka fituar 31 trofe me klubin e Barcelonës, duke përfshirë 9 “La Liga”, 4 “Champions League” dhe 5 Kupa të Mbretit. Messi është i vetmi futbollist që ka fituar 5 “Topa të Artë”, ndër të cilët 4 prej tyre radhazi duke bërë që prej shumë specialistëve të cilësohet si lojtari më i mirë që historia e futbollit ka parë.
Goli i parë me katalanasit erdhi pas 7 mujash që nga momenti i debutimit. Kalendari shënonte 1 maj dhe luhej përballë skuadrës së Albacete. Asisti për këtë moment shumë special të sot 30-vjeçarit erdhi nga Ronaldinho, ylli i skuadrës që në atë kohë mrekullonte “Camp Nou”-n. Të dy futbollistët u bënë shumë shokë në dhomat e zhveshjes pavarësisht se braziliani e dinte që argjentinasi shumë shpejt do të zinte vendin e tij. Më pas nga ajo kohë gjithçka është histori e shkruar më gërma të arta.