Shpëtim Gjoshi: “Federata ka punuar me katër standarde”

564
Sigal

Specialisti: “Absurde ta përjashtosh një ekip dhe për tjetrin të marrësh dënime qesharake”

Shpëtim Gjoshi, një nga specialistët e njohur të futbollit shqiptar, tha për gazetën “Telegraf” se kampionati i Kategorisë Superiore ndodhet në kulmin e tij, teksa kanë mbetur edhe pesë javë nga përfundimi i tij. “Tani kanë mbetur ndeshjet më interesante të sezonit, si ato që kanë të bëjnë me luftën për një vend në Europë, por dhe ato për ekipet që luftojnë për mbijetesë”. Gjoshi veçoi faktin se, gjatë këtij sezoni kemi parë katër standarde të ndryshme të gjykimit nga ana e Komisionit të Disiplinës, pasi janë trajtuar krejt ndryshe rastet e Flamurtarit, Kukësit, Bylisit e Besës. “Është e pakuptueshme që, një ekip ta përjashtosh, një tjetri ta dënosh minimalisht; dikujt t’ia heqësh pikët dhe tjetrit edhe pse ia heq, ia rikthen prapë. Nuk mund të vazhdohet kështu”. Sipas Gjoshit, kampionati ka rivalitet, por i mungon cilësia.

 – Gjoshi, kampionati ndodhet në fundin e tij, por ende nuk janë zbardhur asnjë nga verdiktet e tij. Cili është gjykimi juaj?

– Mendoj se, tani kur kanë mbetur edhe pesë javë nga përfundimi i sezonit, kampionati po bëhet me të vërtetë shumë interesant, jo vetëm për drejtuesit e klubeve, trajnerët e ekipeve, medias, por dhe për sportdashësit. Këto javë ngjallin një interes jashtëzakonisht të madh, pasi nuk bëhet fjalë vetëm për ekipet që do të dalin nga kategoria, por dhe për titullin kampion dhe ekipet që do të dalin në Europë.

– Edhe pse ishte menduar një rrugë e qetë e Skënderbeut drejt titullit të katërt rresht, diferenca me Kukësin e vendit të dytë tashmë është reduktuar në pesë pikë. Çfarë skenarësh parashikoni, kur do të kemi dhe përballje direkte midis skuadrave kryesuese?

– Edhe pse pas përfundimit të fazës së dytë, diferenca midis Skënderbeut dhe ndjekësit më të afërt, Kukësit, shkoi deri në 14 pikë, tashmë ajo është reduktuar vetëm pesë pikë. Nëse Skënderbeu i humbi tri ndeshjet e fundit, ndërkohë që Kukësi ka bërë hapa galopantë, duke i fituar të pesë ndeshjet e fundit. Kukësin e shoh një pretedent për titull, por çdo gjë për kuksianët do të varet nga rezultati i tyre me Partizanin këtë fundjavë.

– Lufta për një vend në Ligën e Europës është shumë e ashpër, pas daljes në finale të Flamurtarit së bashku me Kukësin, kjo për vetë faktin se në rast se do ta fitojnë vlonjatët trofeun atëherë në Europë do të shkojnë ekipet që do të renditen në vendet 2-3. Si e parashikoni?

– Edhe për luftën për një vend në Ligën e Europës e shoh të fortë, pasi do të vihen përballë njëra-tjetrës të gjitha skuadrat e kreut. Kështu, do të kemi Partizani-Kukësi, Partizani-Laçi apo Partizani-Skënderbeu, ashtu si do të kemi Laçi-Teuta, Skënderbeu-Kukësi, apo Kukësi-Laçi. Kështu që, jo vetëm një hap fals, por dhe një gjysmëhapi fals po të bësh mund të të kushtojë shumë. Edhe një barazim kushton.

– Në finalen e Kupës dolën Kukësi dhe Flamurtari. A e prisnit skuadrën vlonjate në të stad?

– Për të qenë i sinqertë, jo. Duke u nisur edhe nga fakti se, Flamurtari ishte më tepër i interesuar për qëndrimin në Superligë, e shihja më pak të interesuar për Kupën, sidomos kur shorti i gjysmëfinaleve e vendosi përballë Skënderbeut. Por, vlonjatet e mposhtën Skënderbeun me një lojë të bukur dhe rezultative.

– Bylisi është tashmë i përjashtuar, cilat skuadra mendoni se do ta shoqërojnë skuadrën ballshiote, kur sipas formulës do të dalin katër ekipe?

– Bylisi është përjashtuar nga Komisioni i Disiplinës dhe tashmë ai është konfirmuar nga Apeli. Kështu që, mbeten tre ekipet e tjera. Sipas asaj që shohim në renditje, mendoj se Lushnja është drejt rënies, ndërkohë që dhe Kastrioti, pavarësisht se për momentin ia lejon matematika mbijetesën është në atë drejtim. Mendoj se, e vetmja enigmë është emri i skuadrës së katërt që do të largohet, pasi në lojë janë Besa, Tirana, Vllaznia dhe Flamurtari. Java paraardhëse nxori Besën, pas barazimit me Laçin, e shoqëruar kjo edhe me fitoret e Vllaznisë, Tiranës e Flamurtarit. Ka disa ndeshje direkte midis tyre si Besa-Vllaznia, Tirana-Vllaznia, Tirana-Besa, të cilat do të vendosin përfundimisht edhe skuadrën që do të largohet.

– Fakti që, Besa do të luajë me Skënderbeun në Korçë dhe Tirana fiton automatikisht ndeshjen me Bylisin, e penalizon direkt Besën…

– Po, është e vërtetë. Ndeshja me Skënderbeun vjen në momentin me të keq për Besën. Korçarët synojnë fitoren, pasi nëse do të bënin edhe një hap tjetër fals, atëherë do ta komprometonin jo pak çështjen e titullit. Pas të humbasësh katër ndeshje, do të thotë që skuadra të humbasë vetëbesimin. Për fat të keq, Besës i mungon sulmuesi kryesor i saj, Fatjon Sefa. Gjithsesi, futbolli është interesant, pasi nuk mund ta parashikosh kurrë dhe ka të papriturat e veta.

– Ky edicion do të mbahet mend edhe për përjashtimin e Bylisit…

– Në fakt, kur tani shikoj vendimin që mori Komisioni i Disiplinës ndaj Besës, me zhvillimin e vetëm një ndeshjeje pa shikues, nuk arrij ta kuptoj se përse ndaj Bylisit u morr ai vendim i ashpër dhe absurd, ashtu sikundër e konsideroj absurde vendimin për heqjen e tri pikëve të Flamurtarit, apo heqjen e tri pikëve Kukësit dhe rikthimin tyre nga Apeli. Minamilisht, Besa duhet t’i ishte dënuar me zhvillimin e të gjitha ndeshjeve të mbetura jashtë. Gjykoj se, Komisioni i Disiplinës ka punuar jo vetëm me dy standarde, por me katër të tilla, pasi ndaj katër ekipeve të lartpërmendura janë marrë masa krejt të ndryshme: standard tjetër ndaj Bylisit, standard tjetër ndaj Besës, tjetër ndaj Flamurtarit dhe tjetër ndaj Besës.

– Kampionati i ardhshëm do të jetë me 10 skuadra. A e shihni më të fortë se ky aktual?

– Sezoni i ardhshëm do të jetë me 10 ekipe dhe katër faza. Duke menduar se në të do të luajnë skuadrat më të mira të vendit, besoj se do të ketë më shumë rivalitet. Fakti që, ato do të ndeshen katër herë më njëra-tjetrën do të thotë se do të kemi jo vetëm më shumë ndeshje, por dhe më shumë sportdashës në stadium.

Ministri Tahiri: “Shqyrtoni gjykimin e Kapllanajt”

 Në një letër të Ministrit të Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri drejtuar Presidentit, Bujar Nishani lidhur me vendimet e fundit të gjykatave në vend nuk janë anashkaluar dhe çështjet e dhunës në sport. Në listën me rreth 65 vendime të gjykatave, që sipas Tahirit meritojnë një shqyrtim të hollësishëm nga Presidenti Nishani, në cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ministri nuk lë pa përmendur dhe rastin e ish-presidentit të Bylisit, Besnik Kapllanaj, i cili u denoncua nga shefi i sektorit të garave në FSHF, Besnik çela, për ushtrim të dhunës fizike ndaj tij në ndeshjen Bylis-Laçi. Kapllanaj u la i lirë nga Gjykata e Fierit, me detyrim paraqitjeje, dhe sipas Tahirit, ky rast duhet marrë në konsideratë nga KLD. “Policia e Shtetit në datë 19.03.2014, me urdhër të Prokurorit Genci MANE, ka bërë ndalimin e shtetasit Besnik Kapllanaj, banues në fshatin Ngraçie/Mallakastër, pasi ky shtetas me datën 15.03.2014 në qytetin e Ballshit ka konsumuar veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”, parashikuar nga neni 237, i Kodit Penal. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës se Parë Fier, me Prokuror të çështjes Genci Mane, ka kërkuar masën e sigurimit “Arrest në burg”. Gjykata e Shkallës së Parë Fier, me gjyqtar të çështjes Z. Pirro Sota, me vendim Nr. 257, datë 20.03.2014, ka vendosur masën e sigurimit “Detyrim për paraqitje”.

 Të dielën në “Qemal Stafa” do të luhet supersfida Partizani-Kukësi

 Allmuça: “Me Partizanin shumë e vështirë”

 Igli Allmuça është formuar si futbollist te Partizani, por sot tiranasi pasi ka veshur edhe fanellat e Tiranës, Dinamos e Skënderbeut, është pjesë e Kukësit dhe në “Qemal Stafa” do të zbresë pikërisht si kundërshtar i të kuqve. Kukësi po kalon një moment shumë të mirë. Pesë fitore rresht janë ilaçi më i mirë për verilindorët, pas periudhës negative të fillimsezonit, duke hyrë madje edhe në garën për titullin. Skuadra veriore që ka konsoliduar pozitat në vendin e dytë, shkon e sigurt drejt ndeshjes të së dielës kundër Partizanit në “Qemal Stafa”. Ish-i i kësaj sfide, Igli Allmuça e konsideron këtë përballje si të vështirë, por shton se morali i grupit është i lartë pas 15 pikëve të fituara në 5 javët e fundit të kampionatit. “Është një ndeshje shumë e vështirë dhe shpresoj që ta kalojmë me sukses. Morali i skuadrës është i lartë”. Në vijim, mesfushori i Kukësit shton se grupi mbetet i karikuar për të mos e ndalur në sfidën me të kuqtë ecurinë pozitive. Por a pret Allmuça një hap fals nga Skënderbeu për të afruar edhe më shumë Kukësin me kampionët. “Ne mendojmë vetëm për Kukësin dhe jo për Skënderbeun. Jemi të përqendruar te ecuria e skuadrës tonë. Pas 28 javëve të para, Kukësi mban vendin e dytë në klasifikim me 49 pikë, 5 më pak se skuadra korçare. Ekipi verior ka prerë gjithashtu edhe biletën për në finalen e Kupës së Shqipërisë ku do të ndeshet me Flamurtarin.

KATEGORIA SUPERIORE

JAVA 29

E shtunë, 19 Prill

Kastrioti-Vllaznia 14:00

Tirana- Bylis 3-0*

(fitore në tavolinë)

E diel, 20 Prill

Lushnja–Flamurtari 14:00

Laci-Teuta 16:00

Partizani-Kukësi 17:00

Skënderbeu–Besa 17:00

RENDITJA

1     Skënderbeu         54

2     Kukësi         49

3     Partizani             44

4     Teuta                  42

5     Laçi                     41

6     Vllaznia       38

7     Flamurtari           38

8     Tirana          37

9     Besa                    35

10   Kastrioti             29

11   Lushnja        26

12   Bylis*          24

* Bylisi është përjashtuar nga Kategoria Superiore

* Flamurtarit i janë zbritur 3 pikë nga FSHF-ja

JAVËT E TJERA

Java 30/(26 prill)

Teuta-Skënderbeu

Kukësi-Laçi

Partizani-Kastrioti

Besa-Lushnja

Flamurtari-Bylis

Tirana-Vllaznia

Java 31/(30 prill)

Skënderbeu-Kukësi

Laçi-Partizani

Lushnja-Teuta

Bylis-Besa

Vllaznia-Flamurtari

Kastrioti-Tirana

Java 32/(3 maj)

Partizani-Skënderbeu

Laçi-Kastrioti

Kukësi-Lushnja

Teuta-Bylis

Besa-Vllaznia

Flamurtari-Tirana

Java 33/(10 maj)

Skënderbeu-Laçi

Lushnja-Partizani

Bylis-Kukësi

Vllaznia-Teuta

Tirana-Besa

Kastrioti-Flamurtari