Shpëtim Duro: “Bariç, s’i vjen më Shqipërisë!”

563
Sigal

Flet për “Telegraf”, trajneri i njohur Shpëtim Duro: “De Biazi duhet ta çojë punën deri në fund”

Shpëtim Duro, një nga trajnerët e njohur shqiptarë, ka punuar si ndihmësi i Oto Bariçit, teknikut kroat të Kombëtares në vitet 2006-2008. Në staf, atëherë bënin pjesë edhe kroati tjetër Slavko Kovaçiç, ndërkohë që trajneri i portierëve ishte Foto Strakosha. Në atë kohë, Duro mbante edhe detyrën e trajnerit të Kombëtares U-17. “E konsideroja të privilegjuar veten që, isha asistenti i një trajneri me një eksperiencë të çmuar ndërkombëtare. Bariçi është tipi i teknikut që krijon marrëdhënie shumë të afërta me ndihmësit. Mendoj se, nuk i vjen më Shqipërisë një trajner si Otoja”, – tha Duro për gazetën “Telegraf”. Shpëtimi foli me respekt edhe për punën e kryer nga Josip Kuzheja, teksa vlerësoi edhe ecurinë e deritanishme të ekipit të Xhani De Biazit.

– Zoti Duro, pas barazimit 1-1 me Norvegjinë, Shqipëria ndodhet në vendin e dytë në grupin E, pas gjashtë ndeshjeve të para. Si do ta komentonit këtë ecuri?

– Shumë pozitive. Madje të paparashikueshme, në raport me atë që të gjithë mendonin kur u hodh shorti i eliminatoreve të Botërorit të Brazilit. Atëherë specialistët thanë se, ramë në një grup ku mund t’i humbisje të gjitha ndeshjet, ashtu edhe si mund të fitoje të gjitha. Pra, në një grup konkurrues. Jashtë parashikimeve në ecurinë e këtyre gjashtë ndeshjeve ishte Norvegjia, pasi ajo ishte dhe koka e grupit tonë. Nga dhjetë pikë të grumbulluara deri tani, katër ia kemi marrë norvegjezëve dhe kjo flet jo pak. Do ta konsideroja një punë të mirë të trajnerit Xhani De Biazi.

– Kanë mbetur edhe katër ndeshje nga mbyllja e fushatës kualifikuese, ku tri prej tyre janë në transfertë, ndërkohë që brenda kemi vetëm Zvicrën, ekipi që kryeson grupin tonë. Si e parashikoni skenarin?

– Ecuria e ekipit tonë është shumë pozitive dhe tashmë i njohim të gjithë kundërshtarët, siç na njohin edhe ata neve. Pikërisht, në këtë moment ku ndodhemi duhet të dimë të tregojmë forcën tonë, pasi në fakt, momente të tilla të mira kemi pasur edhe me Bariçin, Kuzhenë, por më pas finishi nuk ka qenë i mirë, pra nuk e kemi çuar punën deri në fund.

– Ju keni qenë një nga ndihmësit e trajnerit të Kombëtares, kroatit Oto Baric, së bashku edhe me kroatin Slavko Kovaçiç, ndërkohë që kryenit e dhe detyrën e trajnerit të Përfaqësueses  U-17. Si ishte të punoje me Bariçin?

– Me Oto Bariçin punova për një periudhë dyvjeçare (2006-2008). Ishte një trajner profesionist që, nuk besoj se i vjen më Shqipërisë. Ishte një njeri fantastik. Kishte një karrierë të gjatë si trajner, si në nivel klubesh ashtu dhe në nivel Kombëtares, pasi kishte drejtuar Kroacinë, Austrinë dhe Shqipërinë. Kombëtarja jonë pati rezultate shumë të mira me të, deri në dy ndeshjet e fundit, ato me Bjellorusinë dhe Rumaninë, ku humbëm me rezultat të thellë. Bariçi bëri ndeshje shumë të mira me Holandën, Bullgarinë, Slloveninë, Bjellorusinë, madje nënshkroi edhe një parakontratë, por e përsëris takimet e fundit prishën gjithçka.

– Si do ta vlerësonit Oton, tani pas pesë vjetësh?

– Për mua ka qenë një eksperiencë e paharrueshme të punoja me Oto Bariçin. Kam mësuar shumë prej tij. Kemi zhvilluar mijëra biseda sportive rreth trajningut. Për mua, e përsëris, nuk i vjen më Shqipërisë një trajner si Bariçi. Ishte njëri i thjeshtë, tepër komunikues dhe praktik. Ishte jashtëzakonisht fantastik në zgjidhjen e situatave të lojës. Në këtë drejtim merrte notën 10″ për lëvizjet taktike, ndërrimet e skemave. Ky është një vlerësim jo vetëm i imi, por i të gjithë lojtarëve më të mirë shqiptarë që, Oto Bariçi i drejtoi, si Altin Lala, Ervin Skela, Erjon Bogdani, por edhe i Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.

– Qysh nga korriku i vitit 2002, Kombëtarja shqiptare drejtohet nga trajnerë të huaj. De Biazi është i gjashti. Në opinionin tuaj, sa e arrijnë ata ta njohin mentalitetin e futbollit tonë?

– Në fakt, Shqipërinë më mirë e njohim ne trajnerët shqiptarë, por ka arsye të tjera që të huajt preferohen. E rëndësishme që ata të krijojnë një ekip kompakt. Mendoj se, grupi aktual është shumë konkurrues, nuk kemi lojtarë yje, por kemi lojtarë të mirë në të gjitha repartet, çka ka shtuar dhe konkurrencën dhe cilësinë e lojës.

“KUZHEJA ISHTE REKOMANDIMI I OTOS”

Një tjetër trajner kroat e drejtoi Shqipërinë ishte Josip Kuzhe, i cili ndërroi jetë vetëm para tri ditësh, në moshën 61-vjeçare. Por, si e kujton Duro atë? “Një trajner dhe një njeri shumë komunikues. Patjetër që, dhe Josip Kuzheja do të ishte një trajner i mirë, pasi ishte një sugjerim i drejtpërdrejtë i Oto Bariçit. Kuzheja pati rezultate pozitive, por dhe ai nuk i shpëtoi dot serisë së fundit të ndeshjeve, ku Shqipëria nuk arrin ta mbajë vazhdimësinë. Skuadra jonë edhe me atë nuk arriti ta bëjë atë hapin e madh, të domosdoshëm për ekipe të nivelit tonë. Gjithsesi, Kuzheja do të mbahet mend në vendin tonë si një trajner shumë i zoti. Ai tani është ndarë nga jeta, në një moshë relativisht të re. E konsideroj një humbje të madhe, për familjen e tij dhe i shpreh ngushëllimet e mia. E kujtoj me shumë respekt”- tha Duro.

“KUR MË DËRGOI BRIGELI, PËR TË SPIUNUAR GREQINË”

Shpëtim Duro vlerësohet shumë në ambientet futbollistike, për njohuritë e tij dhe mënyrën sesi ai e përgatit një ndeshje. Mund ta konsiderosh edhe një “Murinjo” shqiptar, pasi Shpëtimi është një njëri i detajeve dhe di ta lexojë shumë mirë kundërshtarin. Pikërisht, këtë aftësitë të Duros e kishte pikasur edhe ish-trajneri i Kombëtares, gjermani Hans-Peter Brigel. Në atë kohë, Duro ishte trajneri i Kombëtares U-19 dhe Brigeli e ngarkoi për të kryer disa misione të posaçme “spiunimi” për të grumbulluar të dhëna ndaj Greqisë, kundërshtares së parë në eliminatoret e Botërorit 2006. “Është e vërtetë. Shpesh herë kam shërbyer si konsulent i Brigelit dhe kam zbatuar me korrektësi kërkesat e vendosura prej tij. Kam qenë i pranishëm në disa ndeshje miqësore dhe zyrtare, kryesisht të ekipit grek. Kam vrojtuar ndeshjen miqësore Çeki-Greqi në Pragë (gusht 2004), vetëm dy muaj pasi Greqia ishte shpallur kampione e Europës, një takim që përfundoi 0-0. I përgatita një raport të detajuar. Brigeli mbeti shumë i kënaqur. Siç e dini, Shqipëria u përballe me Greqinë në shtator 2004 dhe fituam 2-1, pikërisht kur ajo tre muaj më parë ishte shpallur kampione e Europës. Pas tre-katër muajsh më dërgoi në “Karaiskakis” të Pireut, për të vëzhguar ndeshjen Greqi- Danimarkë, dy kundërshtarët tanë. Kam respekt për Brigelin”, – tha Duro.