Shou në Kukës, këndon Genta Ismaili dhe jepet trofeu

562
Sigal

Sot bie perdja e sezonit 2012-2013. Kukësi-Skënderbeu vlen për stastikë, pasi verdiktet janë dhënë

Kategoria Superiore do të luajë sot aktin e fundit të sezonit 2012-2013, njëherësh edhe java e 26-të e Kampionatit të 74-t Kombëtar të Futbollit. Verdiktet janë dhënë: kampion është Skënderbeu (e fiton për të tretin vit rresht); në Ligën e Europës do të shkojnë Kukësi (debutim historik) si dhe Teuta. Nga kategoria ranë Shkumbini (pas 19 vjetësh pjesëmarrje në elitën e futbollit shqiptar), Luftëtari, Apolonia dhe Tomori. Java e 26-të nisi me të enjten me fitoren e bujshme 4-1 të Tomorit me Teutën, por që shërbeu sa për t’u dhënë pak kënaqësi atyre pak tifozëve beratas në ndeshjen e lamtumirës nga Kategoria Superiore. Dje, Laçi-Tirana u ndanë në barazim pa gola, një takim që pati shumë pak emocione dhe u provuan lojtarë të rinj.

 DORËZOHET TITULLI

Përtej shifrave që do të dhurojë ky takim përmbyllës i sezonit, drejtuesit e skuadrës verilindore kanë menduar në detaje organizimin e feste madhështore. Në orën 15:00 autobusi me stafin teknik dhe futbollistët, i shoqëruar nga ultrasit do të niset nga hoteli, ku është grumbulluar skuadra, drejt “Zeqir Ymerit”, I cili do të hapë dyert për të pritur një numër rekord tifozësh. Në orën 16:00 do të nisë një koncert festiv me protagoniste këngëtaren e njohur kosovare Genta Ismaili, e cila do të shoqërohet nga një grup balerinësh profesionistë. 15 minuta para nisjes së takimit, do të përshëndesin presidenti  Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, kryebashkiaku i Kukësit, Hasan Halili si dhe presidenti i skuadrës verilindore Safet Gjici. Gjatë pushimit të ndeshjes, Bashkia e Kukësit do t’u akordoi titullin qytetar nderi presidentit Safet Gjici dhe ish-mundësit Lutfi Mecka. Në përfundim të 90 minutave të fundit të sezonit Federata Shqiptare e Futbollit do t’u dorëzojë skuadrave medaljet e vendit të parë dhe të dytë. Festa e vendasve do të kulmojë në orët e vona me një mbrëmje festive me të ftuar të shumtë jo vetëm nga fusha e sportit.

 NDESHJE PËR “QEJF”

Kuksianët do të luajnë shumë lirshëm përballë kampionëve të tre sezoneve të fundit, pasi tashmë kanë plotësuar një objektiv, ndoshta të pabesueshëm në fillim të sezonit, pasi prenë një biletë për në Ligën e Europës, duke u bërë skuadra e 15-të shqiptare që paraqitet në aktivitetet ndërkombëtare. Komentet në “Facebook” janë të shumta nga tifozët. Ja një prej tyre nga kampi kuksian: “Sa qytete kishte kundër ekipi i Kukësit, apo që flisni me ironi për këtë qytet, që nuk i dinin vlerat e këtij qyteti apo këtyre djemve qe i dhanë jehon gjithë kampionatit shqiptar. Presidenca jonë solli traditën në Kukës, më pune përkushtim vullnet dhe dëshirë për të ecur përpara. Dhe nesër do e djegim si kampion dhe jo si nen kampion, se e meriton ky qytet, ky popull kjo tifozeri kaq e mrekullueshme!”. Edhe nga kampi korçar nuk mungojnë komentet: “Të gjithë së bashku takohemi para stadiumit “Skenderbeu”, për t’u nisur drejt Kukësit. Le të nisë festa. Një fundjavë super na pret në Kukës për ta vazhduar të dielën me dorëzimin e Kupës në sheshin para katedrales. Muzi  kë, fishekzjarrë spektakël madhështor. Korçarët dinë të festojnë!”.

  TË TJERËT – Ndeshjet e Flamurtarit kundër Apolonisë pritet të jetë sa për statistikë, pasi kundërshtari e vlonjatëve ka kohë që i kanë dhënë lamtumirën Superligës. Për Flamurtarin mund të quhet një sezon i dështuar, pasi shpenzuan jo pak, por rreth 1 miliard lekë të vjetra, duke futur këtu dhe faturën e rëndë financiare të tre trajnerëve: Shkëlqim Muça, Hulian Rubio (spanjoll) dhe Ernest Gjoka, plus një skuadre të mirëpaguar. Tirana, Vllaznia, Laçi, Kastrioti, Besa, kompletuan mesin e artë, por me 24 herë kampionët që nuk fitojnë një titull kampion nga sezoni 2008-2009. në fakt, tani ka mbetur vetëm për t’u përcaktuar se, kush do të jetë fituesi i Kupës i Shqipërisë në finalen Laçi-Bylis, me të dyja skuadrat që kanë shansin të hyjnë në histori si ekipi i dhjetë që e fiton këtë trofe, e shoqëruar kjo edhe me një biletë në Ligën e Europës. Duhet thënë se, Superliga tashmë ka të njohur të 12 skuadrat që, do të marrin pjesën në sezonin 2013-2014. Ato janë Skënderbeu, Kukësi, Teuta, Flamurtari, Tirana, Kastrioti, Laçi, Vllaznia, Bylis, Besa, si dhe  Lushnja e Partizani të ardhura nga Kategoria e Parë. Kampionati i 75-të Kombëtar do të zhvillohet me tri faza dhe 36 ndeshje, ku në fazën e tretë në javën e fundit do të luajnë vendet 1-2, 3-4, 5-6, e kështu me radhë. Sipas skemës së përcaktuar për sezonin 2014-2015, ku do të marrin pjesë 10 skuadra, në një kampionat me katër faza dhe 36 ndeshje, nga kategoria do të bien katër skuadra.

 KATEGORIA SUPERIORE JAVA 26 DHE E FUNDIT

Të enjten, 9 maj 2013

Tomori-Teuta 4-1

Të premten, 10 maj 2013

Laçi-Tirana

Sot, 11 maj 2013

Luftëtari-Shkumbini

Bylis-Besa

Apolonia-Flamurtari

Vllaznia-Kastrioti

Kukësi-Skënderbeu

RENDITJA

1    Skënderbeu      25   58

2    Kukësi          25   49

3    Teuta           26   48

4    Flamurtari      25   45

5    Tirana          26   43

6    Laçi            26   38

7    Vllaznia        25   35

8    Kastrioti       25   34

9    Besa            25   31

10   Bylis           25   29

11   Shkumbini       25   26

12   Luftëtari       25   19

13   Tomori          26   19

14   Apolonia        25   12

 Ndeshje për  “luftë a vdekje” në Kategorinë e Parë

  Sot do të luhet java e fundit e Kategorisë së Parë, përveç takimit Lushnja-Partizani (luhet të dielën). Disa nga ndeshjet priten të jenë një “luftë për jetë a vdekje”, pasi sot do të përcaktohen edhe dy skuadra e tjera që do të shoqërojnë Naftëtarin dhe Gramshin drejt Kategorisë së Dytë. Në lojën e “rënies” janë aktualisht të gjashtë ekipe: Himara, Burreli, Dinamo, Butrinti, Iliria dhe Besëlidhja, kështu që lufta për mbijetesë është e hapur dhe skenarët janë nga më të paparashikueshmit, pasi në lojë do të futen si ndeshjet direkte, por dhe aleancat e mundshme. Kombinacionet janë të shumta. Iliria është ndër më të rrezikuarat e mëdha për të rënë, kjo dhe për faktin e pikëve që ka, kur ka mbetur edhe një javë nga përfundimi i sezonit. Barazimi pa gola me Dinamon i dha një goditje të rëndë shpresave për mbijetesë të fushëkrujasve. Iliria do të përballet në Lezhë me Besëlidhjen, kundërshtarin direkt për mbijetesë. Ilirinë e shpëton vetëm fitorja, kjo e kombinuar edhe me humbjet e Butrintit, Dinamos, Burrelit dhe Himarës, që kanë pak gjasa që të ndodhin. Barazimi i Ilirisë me  Besëlidhjen i nxjerr jashtë loje të dyja skuadrat që, kështu do të shoqëronin Gramshin dhe Naftëtarin drejt Kategorisë së Dytë. Himara mbetet sërish e rrezikuar, pasi do të luajë në javën e fundit në Elbasan. Për momentin burrelasit janë jashtë rënies me klasifikimin e tanishëm, pasi renditen në vendin e 10-të me 39 pikë. Por, ndeshjet e javës së 30-të, pra asaj të fundit mund ta nxjerrin jashtë loje Burrelin nëse humbet ndeshjet direkte me Mamurrasin, kjo e kombinuar edhe me rezultatet e ndeshjeve të rivalëve direkt për mbijetesë. Dinamos i mjafton fitorja me Pogradecin, të dalë nga objektivat. Një fitore me liqenorët i çon blutë në kuotën e 40 pikëve. Besëlidhja, një skuadër që dikur ka qenë simpatike në Kategorinë Superiore është më e rrezikuara për të rënë në Kategorinë e Dytë, pasi janë në vendin e 14-të me 35 pikë. Besëlidhja shpëton vetëm në rastin se, fiton ndaj Ilirisë, ndërkohë që humbasin Butrinti me Naftëtarin dhe Dinamo me Pogradecin, pasi lezhjanët nuk i arrijnë dot me pikë Himarën dhe Burrelin, edhe nëse këto të dyja humbasin me Elbasanin dhe Mamurrasin.

KATEGORIA E PARË

JAVA 30

Sot, 11.05.2013

Besëlidhja-Iliria

Dinamo-Pogradeci

Burreli-Mamurrasi

Tërbuni-Gramshi

Elbasani-Himara

Butrinti-Naftëtari

Ada-Kamza

Të dielën

Lushnja-Partizani

RENDITJA

Ekipi           N         P

1 Lushnja       29        65

2 Partizani     29        55

3 Mamurrasi     29        43

4 Pogradeci     29        42

5 Tërbuni       29        40

6 Ada           29        40

7 Elbasani      29        40

8 Kamza         29        40

9 Himara        29        39

10 Burreli      29        39

11 Dinamo       29        37

12 Butrinti     29        37

13 Iliria       29        37

14 Besëlidhja   29        35

15 Gramshi      29        31

16 Naftëtari    29        20

Partizani feston në Lushnjë ngjitjen në Superligë

 Lushnja është kampione e Kategorisë së Parë dhe skuadra ngjitet në Kategorinë Superiore. Edhe Partizani i vendit të dytë e ka siguruar ngjitjen në Superligë. Takimi direkt midis tyre në “Roza Haxhiu” është thjesht për statistike dhe ka nuanca festive. Naftëtari dhe Gramshi kanë rënë nga Kategoria e Parë. Mbeten për t’u përcaktuar dy skuadrat e tjera që, do t’i shoqërojnë.

Supersfida e javës së fundit e kategorisë së parë, Lushnja – Partizani, ku do të përplasen dy skuadrat që kanë fituar të drejtën për të luajtur në superiore sezonin e ardhshëm, ngjall interes të vecantë te tifozët e kuq, që pritet të udhëtojnë të organizuar drejt “Roza Haxhiut”. Rezultati i kësaj përballjeje vlen më shumë për prestigj edhe për faktin se në takimin e parë në “Qemal Stafa”, lushnjarët fituan me rezultatin 1-0. Zëdhënësi për shtyp i Partizanit, Olsi Ranxhi, shpjegon detajet e organizimit të tifozëve të kuq. Tifozët e Partizanit përtej ngjitjes në superiore i ngroh më shumë projekti e presidencës së kuqe, që po ndërton në Bërzhitë një kompleks sportive me tri fusha stërvitore, që do të jenë që do të jenë funskionale në prag të sezonit të ardhshëm. Ndërkohë stafi teknik i Partizanit ka nisur punën për ndërtimin e një skuadre të fortë, për të përballuar me sukses një sezon të gjatë dhe të vështirë në superiore.

 Adnan Januzaj i Mançester Junaitid fiton “Topin e Artë”

 Talenti shqiptar i Mançester Junaitid, Adnan Januzaj, ka fituar çmimin “Topi i Artë” për të rinjtë nga “Adidas”. Mesfushori shqiptar ka fituar çmimin “Golden Ball” nga Adidas për lojtarin e ri më të mirë në Blue Stars/FIFA Youth Cup. Në këtë turne kanë qenë të pranishëm rreth 16 futbollistë shqiptarë që luanin për 10 ekipe të ndryshme pjesëmarrëse: Adnan Jonuzaj (Mançester Junajted), Lulzim Salija, Elvedin Qaushi, Egzon Kllokoqi (Cyrih), Florin Fetahu, Albanik Thaqi (Blue Stars), Lorik Aliu, Enis Gavazaj, Liridon Latifi (Borusia Dortmund), Shpëtim Sulejmani, Naser Aliji (Bazel), Genc Krasniqi, Shani Tarashaj, Imran Bunjaku, Enis Ramadani, Erzan Murteshi (Grashopers). Kjo garë organizohet nga vetë FIFA dhe në të garojnë skuadrat e të rinjve të ekipeve më të madh në botë, siç janë Manchester United, Barcelona, Milan, Arsenal, Inter etj.