Ronaldo sfidon Mesin me trofe, Juventus-Barcelona, çifti i parakohshëm

592
Nga Agron KAJA
SHORTI/ Dje u përcaktuan grupet në Ligën e Kampioneve, u dhanë çmimet e më të mirëve të UEFA-s për sezonin e kaluar
Pas përfundimit të ndeshjeve të Ligës së kampioneve, dje në orën 18:00 u hodh shorti i grupeve, pasi një ditë më parë UEFA kishte zyrtarizuar katër vazot. Me përjashtim të vazos së parë të shortit, që përbëhet nga ekipet kampione të 8 vendeve të para në renditjen UEFA-s, pjesa tjetër e skuadrave ishin ndarë në bazë të koeficientit personal që kanë në renditjen e klubeve në Evropë. Në një mjedis shumë ekselent, procedura e shortit ishte e ndërthurur edhe me dhënien e disa çmimeve që UEFA kishte menduar për sezonin e kaluar në Ligën e Kampioneve, për meshkuj e femra. Duke e ndjekur hap pas hapi këtë short, veçohet që, fituesi i sezonit të kaluar të kësaj lige, Real i Madridit në Grupin H, sfidën kryesore e ka kundër Borusias së Dortmundit, më pas edhe Totenhemit. Nga duart e Françesko Totit dhe Andri Shevçenkos, dy ikonat e futbollit evropian, u tërhoqën goglat e shortit, të cilat rezervuan kundërshtarë shumë të fortë kampionëve në fuqi të Evropës. Në këtë grup, “Los Blankos” duhet ta marrin shumë seriozisht fazën e grupeve, për të shmangur ndonjë surprizë të pakëndshme ndaj rivalëve gjermanë dhe atyre anglezë. Barcelona në Grupin D takon sërish Juventusin, ekipin që i eliminoi “blaugranat” në çerekfinalen e sezonit të kaluar, e në këtë grup interesant është fakti se është shortuar edhe Olinpiakosi i trajnerit Besnik Hasit, ndërsa skuadra e fundit është Sportingu i Lisbonës. Shorti u tregua i pamëshirshëm në Grupin C, ku do të ketë beteja të ashpra për dy vendet e para mes Çelsit, Atletiko Madridit dhe Romës. Do të ketë fatin të përballet me këto skuadra të mëdha evropiane edhe futbollisti i Kombëtares sonë, Ansi Agolli, pasi Karabagu ishte skuadra që plotësoi këtë grup. Në Grupin B spikat dueli Bajern Mynih- PSG, ndërsa dy kundërshtarët e tjerë të këtij grupi janë relativisht më pas, Anderleht dhe Sëlltik. Në këtë short ka qenë me shumë fat Mançester Junaited, skuadra kampione në fuqi e Europa Ligë, ku “Djajtë e Kuq” do të kenë si kundërshtarë Benfikën, Bazelin e Taulant Xhakës dhe CSKA-në e Moskës. Në Grupin E, Livepruli duhet të jetë shumë i kënaqur me shortin, pasi goglat e kanë hedhur së bashku me Spartakun e Moskës, Sevilja dhe Maribor. Në Grupin F, Mançester Siti dhe Napoli duhet të bëjnë llogaritë edhe me Shaktjor Donjetsk, ndërsa Fejenordi do të synojë të bëjë surprizën në këtë grup. Ndryshe erdhën skuadrat e Grupit G, me ekuilibër të plotë, ku përveç kampiones së Francës, Monako, janë Porto, Beshiktashi dhe Leipzigu debutues.
SHORTI NË GRUPE
GRUPI A 
Benfika, Mançester Junajtid, Bazel, CSKA Moskë
GRUPI B 
Bajern Mynih, PSG, Anderleht, Sëlltik
GRUPI C 
Çelsi, Atletiko Madrid. Roma, Karabak
GRUPI D 
Juventus. Barcelona, Olimpiakos, Sporting Lisbonë
GRUPI E 
Spartak Moskë, Sevilja, Liverpul, Maribor
GRUPI F 
Shakhtar Donjeck, Mançester Siti, Napoli, Fejenord
GRUPI G 
Monako, Porto, Beshiktash, RB Lajpcig
GRUPI H 
Real Madrid, Borusia Dortmund, Totenhem, APOEL
Datat e ndeshjeve në grupe
Ndeshjet e para
Datë 12 dhe 13 shtator 2017 
Ndeshjet e dyta
Datë 26 dhe 17 shtator 2017 
Ndeshjet e treta
Datë 17 dhe 18 tetor 2017 
Ndeshjet e katërta
Datë 31 tetor-1 nëntor 2017 
Ndeshjet e pesta
Datë 21 dhe 22 nëntor 2017 
Ndeshjet e gjashta
Datë 5 dhe 6 dhjetor 2017 
Raundi i 1/16
Takimet e para
13/14 dhe 20/21 shkurt 2018 
Takimet e dyta
6/7 dhe 13/14 mars 2018 
1/4 të finales
Takimet e para 
Datë 3 dhe 4 prill 2018 
Takimet e dyta
Datë 10 dhe 11 prill 2018 
Gjysmëfinalet
Takimet e para
Datë 24 dhe 25 prill 2018 
Takimet e dyta
Datë 1 dhe 2 maj 2018 
Finalja
Datë 26 maj 2018 
Stadiumi: NSK Olimpiyski, Kiev
Çmimi i Presidentit të UEFA-s, 
Aleksandër Ceferin
Françesko Toti (Roma+Italia)
Para fillimit të ceremonisë së shortit të Ligës së Kampioneve, presidenti i UEFA-s, Aleksandar Çeferin, i ka dhënë “Çmimin Presidencial” ish-sulmuesit italian Françesko Toti për karrierën e shkëlqyer që ia kushtoi vetëm klubit të Romës. I datëlindjes 27 shtator 2017, sot 41 vjeç, Françesko Toti ka luajtur vetëm me Romën në Serie A, në 25 sezone 1992-2017. Në këtë karrierë ai luajti në 619 ndeshje me fanellën e skuadrës kryeqytetase, me të cilën shënoi 250 gola. Gjatë kësaj karriere, Toti ka qenë edhe pjesë e Kombëtares së Italisë, ku ka luajtur në 58 ndeshje, dhe ka shënuar 9 gola. Aktualisht ai është pjesë e stafit drejtues të Klubit roman të Futbollit.
UEFA CHAMPIONS LIGË
Më të mirët e sezonit 2016-2017
Real Madrid “kampion” në fushë
Që nga sezoni 1955-1956 që u lançua Kupa e Kampionëve, Reali i Madridit është i pari dhe i fundit fitues, në sezonin 2016-2017. Por, veç kësaj historie, skuadra madrilene sfidoi me fituesit e këtij sezoni të kaluar, edhe me lojtarët, ku nga katër repartet, fituesit ishin me një juventin në portë, të tjerët nga “Santiago Bernabeu”. Një fitore e madhe kjo sa i përket Ligës së Kampioneve, por edhe një fitore e dyfishtë për Kristiano Ronaldon, i cili njëherësh fitoi edhe çmimin “Lojtari më i Mirë” në këtë ligë për sezonin 2016-2017. Këtë çmim për femra e fitoi holandezja Lieke Mertens, e cila luan me Bajernin e Mynihut.
Sigal