Presidenti Safet Gjici ul euforinë: Short i mirë, por asnjë nënvleftësim Valetës

523
Sigal

Nga Agron KAJA

LIGA E KAMPIONEVE/ Dje në Nion të Zvicrës, Kukësi njohu kundërshtarin e turit të parë eliminator, por edhe të mundshmin e turit të dytë

Dje në Nion të Zvicrës u hodh shorti i Ligës së Kampioneve, për turin paraeliminator, si dhe për turin e parë eliminator. Në turin e parë Kukësi do të luajë me skuadrën malteze Valeta, i cili teorikisht shikohet si një kundërshtar i lehtë, por që Presidenti i Kukësit, Safet Gjici, nuk kërkon nënvleftësim nga skuadra e tij. Në një deklarim të djeshëm mediatik, Gjici e vlerësoi si të mirë shortin për skuadrën e tij, por kërkojë që të mos nënvleftësohej prej saj. “Duke e vlerësuar si kundërshtar, mendoj se Valeta është një short i mirë, por nga ana jonë, nuk ka shanse që ta nënvlerësojmë. Në këtë fazë luajnë të gjithë kampionët, e kështu që skuadra jonë (Kukësi) duhet të jetë serioze dhe të kalojë patjetër turin e parë në Ligën e Kampioneve”, ka qenë kjo deklarata e Njëshit të klubit të futbollit kuksian, i cili ka lënë të hapur që para këtij starti në Europë, ai mund të sjellë një përforcim të rëndësishëm në sulm. Dhe nëse e kalon Valetën e Maltës në turin e parë eliminator, Kukësi do të ndeshet me fituesen e çiftit Olimpia Ljubljanë-Karabak. Të dyja këto janë skuadra me kualitet e me më shumë përvojë nga kuksianët në Europë, ndërkohë që si favorit për të kaluar në turin tjetër, mendohet Karabaku nga Azerbaixhani, skuadër ku aktivizohet tiranasi Ansi Agolli. Historia e skuadrave shqiptare në përballjen me ato malteze, e pikërisht me Valeta-n, ka nisur në verën e vitit 2002, në Kupën e atëhershme që quhej Intertoto. Në Durrës fitoi Teuta 2-1, ndërsa në Maltë ndeshja u mbyll në barazimin 0-0. Po cila është historia e kundështarit të Kukësit? Skuadra e Valetës është themeluar në vitin 1886, fillimisht si klubi i futbollit Malta Athletic Club. Në vitin 1906 ajo mori emrin Valeta Junajted, të cilin e mbajti deri në vitin 1943, kur filloi të quhej Valeta Futboll Club. Kjo është skuadra me më shumë histori në Maltë: 24 herë kampione, 14 herë fituese e Kupave të Maltës, 11 herë fituese e Superkupës. Ndërsa Kukësi i përballet maltezëve me më shumë sukses në Evropë, edhe pse me më pak vite pjesëmarrje. Në sezonin 2013-2014, Kukësi luajti në katër ture të UEFA Europa Ligë, ndërsa në këtë sezon luan për herë të dytë në Ligën e Kampioneve, në sezonin e kaluar u eliminua në turin e parë nga Sherif Tiraspol e Moldavisë. Dje, Kukësi ka zhvilluar miqësoren e parë në Slloveni, ku ka nisur fazën përgatitore. Ndaj Mariborit ka humbur thellë 0-4, me gola të Kramariç 12’, Tavares 44 ’, Masanoviç 84’ dhe dhe Mlakar 89’.

Kukësi në Evropë

Në UEFA Europa Ligë

30 ndeshje, F 7, B 6, H 17, 35:47

Në Ligën e Kampioneve

2 ndeshje, F 1, H 1, Golat 2-2

 

LIGA E KAMPIONEVE

Turi parë eliminator

Ndeshja e parë

Datë 10/11 korrik 2018

Kukësi-Valeta

(Stadiumi “Loro Boriçi”)

Ndeshja e kthimit

Datë 17/18 korrik 2018

Valeta-Kukësi