Pero Pejiç, “mbreti” i golave

507
Sigal

Sulmuesi kroat i Skënderbeut mund të bëhet i huaji i parë që, fiton “Këpucën e Artë” në Shqipëri

Pero Pejiç i ka të gjitha shanset të hyjë në librin e rekordeve të historisë së futbollit shqiptar, për të qenë i huaji i parë që fiton “Këpucën e Artë”, pra trofeun e golashënuesit më të mirë të Kategorisë Superiore. Sulmuesi kroat i Skënderbeut kryeson me 14 gola renditjen e “topçinjve”, dy më shumë se rivali i tij më i afërt, Sokol Cikalleshi i Kukësit, 12 gola. Pejiç shënoi një dygolësh në ndeshjen e fundit, atë të humbur 3-2 me Tiranën në Korçë, një takim që ka ngjallur shumë debate në lidhje me një kompromis të heshtur midis Skënderbeut dhe bardhebluve, ku në këmbim të fitores “shpërblimi” ishin shënimi i golave nga ana e kroatit. Sulmuesi kroat ka shënuar pesë dygolësha, përkatësisht kundër Vllaznisë, Partizanit, Laçit, Lushnjë dhe Tiranës. Ajo që është më interesante në statistikat e kroatit është fakti se, ai nuk ka realizuar asnjë gol me penallti. Pejiç ka veshur fanellat e Dinamos, Tiranës, Flamurtarit e tani Skënderbeut, por asnjëherë nuk ka mundur të shpallet golashënuesi më i mirë i Superligës. Ai e ka fituar dy herë kampionatin, një herë Kupën dhe një herë Superkupën e Shqipërisë. Dy rivalët për trofeun individual janë Sokol Cikalleshi i Kukësit me 12 gola, Daniel Xhafaj i Teutës (11 gola) dhe kroati Tomislav Bushiç i Vllaznisë (11 gola). Cikalleshi është duke bërë një vit të shkëlqyer 2014, ku ai ka shënuar 10 nga 12 golat e tij (2 me penallti). Me këtë ecuri, nuk është aspak habi që kavajasi ta kalojë kroatin Pejiç. Deri në përfundim të sezonit kanë mbetur edhe gjashtë ndeshje, kështu që lufta për trofeun e “Këpucës së Artë” është tërësisht e hapur. Daniel Xhafaj është dhe fituesi i fundit i “Këpucës së Artë”, pikërisht sezonin e kaluar me Flamurtarin ndërkohë që për vlonjatin bëhet fjalë për trofeun e dytë pasi, ai e ka fituar atë edhe në radhët e Besës në sezonin 2010-2011. Lojtar tjetër që, është ende në aktivitet në Kategorinë Superiore dhe që ka fituar “Këpucën e artë” është Migen Memelli (2012-2013), atëherë fitues me Flamurtarin, por që aktualisht luan me Partizanin.

GOLAT E PEJÇIT

Skënderbeu-Lushnja 2-0  1

Vllaznia-Skënderbeu 1-3  2

Skënderbeu-Partizani 3-0 2

Skënderbeu-Flamurtari 1-0     1

Laçi-Skënderbeu 2-2        2

Skënderbeu-Kastrioti 2-0 1

Skënderbeu-Kastrioti 3-1 1

Lushnja-Skënderbeu 2-4  2

Skënderbeu-Tirana 2-3            2

Gjithsej: 14 gola

RENDITJA E GOLASHËNUESVE

Pejiç             Skënderbeu         14

Cikalleshi    Kukësi         12

Bushiç   Vllaznia       11

Xhafaj   Teuta                   11

Sefa              Besa                    10

Ribaj            Skënderbeu         7

Vuçaj           Laçi                     7

 Gjoka: “Nuk heqim dorë nga Kupa”

 Flamurtari mori një fitore të rëndësishme në Laç, falë një goli të vonshëm të realizuar nga Polizoi Arbëri (89’), duke mbajtur të gjalla shpresat për mbijetesë në Kategorinë Superiore. Trajneri Ernest Gjoka e konsideroi një fitore qetësie. Megjithatë, Flamurtari nuk ka kohë për të shijuar suksesin, pasi në horizont është sfida e kthimit të gjysmëfinales së Kupës së Shqipërisë, në Korçë ndaj Skënderbeut. Për trajnerin Gjoka nuk ka preferenca, pasi Kupa është një objektiv i skuadrës, ashtu si dhe mbijetesa. Takimi i parë në Vlorë përfundoi në barazim pa gola, duke e lënë gjithçka të hapur në Korçë, ku Flamurtari mund të kualifikohet edhe një barazim me gola. “Në Kupë e kemi thënë që dëshirojmë të shkojmë sa me larg dhe të japim maksimumin. Rezultati i ndeshja e parë na e jep këtë mundësi”. Flamurtari është në rrugën e duhur për të realizuar mbijetesën, por edhe për të shkuar në finalen e Kupës së Shqipërisë dhe për të fituar atë për herë të katërt. Nëse realizohet ky skenar atëherë për trajnerin tiranas të kuqezinjve, sezoni mund të konsiderohet i suksesshëm për vetë situatat që ka përjetuar ekipi. “Ne e kemi thënë që Flamurtari dëshiron të mbetet në elitën e Futbollit shqiptar dhe i kemi te gjitha mundësitë për ta bërë diçka të tillë”. Flamurtari ndodhet aktualisht në vendin e 7-të me 35 pikë, po aq sa Vllaznia e vendit të gjashtë, duke pasur nga një pikë më shumë se Tirana e Besa.

GJYSMËFINALET E KUPËS NDESHJET E KHTIMIT

 Të mërkurën, 9 prill

18:00 Teuta-Kukësi (2-3)

18:00 Skënderbeu-Flamurtari (0-0)

– Në kllapa janë rezultatet e ndeshjeve të para

 Mesfushori shqiptar i FSV Frankfurtit në 11-shen ideale të javës së 29-të në Bundesligën 2

 Odise Roshi, në formacion ideal të javës

 Odise Roshi u përzgjodh në formacionin ideal të javës së 29-të të Bundesligës 2. Kjo ishte hera e parë për mesfushorin e FSV Frankfurtit. Lojtari i Kombëtares shqiptare shënoi golin e vetëm të skuadrës së tij në humbjen 2-1 me Aalenin, por që i mjaftoi atij për të qenë midis më të mirëve të javës. Për fierakun ai ishte goli i parë sezonal, duke e çuar në tre numrin e realizimeve në 49 ndeshje me Frankfurtin, qysh kur ai bashkua në gushtin e vitit 2012, atëherë si i huazuar nga Këlni. Në formacionin ideal të Bundesligës 2 më përpara kanë qenë edhe mesfushori i Padebronit, Alban Meha (5 herë), si dhe sulmuesi i FSV Frankfurtit, Edmond Kapllani (2 herë). Odise Roshi dallohet për shpejtësinë e tij, ndërkohë që anësori durrsak ende nuk është i sigurt se do të vazhdojë aventurën me FSV Frankfurtit, pasi drejtuesit e klubit ende nuk janë bindur për vlerat e tij, edhe pse ai sipas kontratës duhet të luajë deri në përfundim të sezonit të ardhshëm. Përsa u përket golave të javës së 29-të, Alban Meha shënoi një gol të mrekullueshëm nga një goditje e lirë prej 25 metrash, por pa mundur të ndalë humbjen e ekipit të tij. Meha ka shënuar këtë sezon 11 gola, një më shumë se Edmond Kapllani.

Babai i Canës: “Loriku nuk ikën nga Lacio”

 Ditët e fundit është folur shumë në lidhje me qëndrimin e Lorik Canës te Lacio, me të cilën shqiptari ka një kontratë që e lidh deri në vitin 2016 me klubin italian. Për mbrojtësin kosovar kanë shprehur interesim të fortë Mançester Siti në Angli dhe Salcburgu në Zvicër. Por, babai dhe menaxheri i Lorikut, Agim Cana, i hodhi poshtë zërat që qarkullojnë: “Nuk e di nga vijnë këto njoftime, por nuk është aspak e vërtetë. Nuk e di kush i fut në qarkullim këto zëra, pasi jam unë i vetmi që marrë vendimet për të ardhmen e Lorikut dhe mund t’iu siguroj që, nuk ka asgjë të vërtetë! Ai është lacial, jo 100%, por 3000%, – deklaroi Agim Cana për portalin italian Calciomercato.it. Loriku, i cili luajti 90 minuta të plota në fitoren 2-0 të Lacios kundër Sampdorias, nuk ka gjetur shumë hapësira në formacionin titullar qysh kur ka ardhur në drejtim të skuadrës trajneri Edi Reja. Te Lacio luan edhe portieri Etrit Berisha, gjithmonë e më i preferuar se italiani Marketi, ndërsa me të rinjtë aktivizohet portieri Thoma Strakosha. Ia vlen të kujtojmë se, drejtori sportiv i klubit italian është Igli Tare.

  Liga e Kampioneve

Çerekfinalet

Ndeshjet e kthimit

Sot, 8 prill

B.Dortmund-R.Madrid     (0-3)

Çelsi-PSG                  (1-3)

Nesër, 9 prill

Atletiko-Barcelona    (1-1)

Bajern-Mançester Jun.      (1-1)