Partizani i vogël ndaj Botev, humbja sinjal eliminimi

463
Nga Agron KAJA
LIGA E EVROPËS/ Luajtën tre skuadrat shqiptare, dje kryeqyteti nuk ishte në ditën e mirë me futbollin në Europë 
Nëse në historinë e dy klubeve, Partizani-Botev Plodviv, kishte diferenca në favorin e Partizanit, në fushën e lojës dje në “Selman Stërmasi” ndodhi e kundërta. Diferencat dukshëm ishin në favorin e skuadrës bullgare, e cila jo vetëm se e fitoi ndeshjen e parë, por tregoi se ishte shumë më superiore nga Partizani, le të themi në të gjithë treguesit e lojës. Goli i Sukajt në minutën e 5-të, sikur e “gënjeu” paksa kundërshtarin bullgar, pasi vetëm në minutën e 23-të arritën të rrezikonin seriozisht portën e Partizanit, me anë të Kosoko, një sulmues që kishte klas në lojë. Dhe nëse në këtë rast portieri Hoxha e priti topin e gjuajtur prej tij, në minutën e 27-të Kosoko lëshoi një goditje të fortë jashtë zonës, duke e gjetur paksa të “fjetur” portierin, i cili e shoqëroi topin në rrjetën e tij. Nga ky moment le të themi se në fushë dirigjoi vetëm skuadra bullgare, dhe këtë e tregoi jo vetëm kronika e lojës me raste e shumta shënimi, por edhe niveli që skuadrat shfaqën në fushën e lojës. Edhe në pjesën e dytë, këto diferenca ishin prezent në favorin e skuadrës bullgare, e cila ishte shumë e freskët fizikisht, në raport me Partizanin, që dukej i lodhur nga vapa. Kjo u reflektua kryesisht në momentet e pësimit të dy golave të tjerë, për të cilët edhe amatorizimi është pak për të thënë. Në minutën e 56-të, Mazrekaj shmang kundërshtarët nga krahu i majtë dhe futet në zonë, por pengohet nga njëri prej kundërshtarëve. Pretendon për penallti, gjyqtari nuk e akordon, duke mos e mundësuar barazimin e rezultatit, e shpresën e përmbysjes së tij për Partizanin. Gjithsesi, në minutën e 62-të ishte Nedelev që shënoi një tjetër gol të bukur, duke i përmbysur shifrat në 1-2, ndërkohë që Partizani mbeti vetëm në nivelin e krijimit të rasteve të humbura. Dhe goli i tretë u pësua nga veprim amatoresk i mbrojtësit Atanda të Partizanit, i cili i dha mundësinë Kosokos që të shmangë edhe portierin Hoxha, për të shënuar e vulosur rezultatin 1-3 në favorin e Botev Plodviv. Tashmë, misioni për t’u kualifikuar në turin e dytë tashmë është i vështirë për Partizanin, edhe pse trajneri Starova pas ndeshjes, deklaroi se shanset për kualifikim janë 50 me 50! Por, dje Partizani ishte i vogël ndaj Botev Plodviv, dhe humbja duket një sinjal eliminimi nga UEFA Evropa Ligë. Kjo ndeshje, ndoshta duhet të vlejë edhe për një skuadër më kompakte, të formatuar në kohë dhe me cilësi, jo vetëm në ecje e sipër, sikundër edhe aktualisht.
E enjte 29 qershor 2017, ora 17:00 në stadiumin “Selman Stërmasi”
PARTIZANI-BOTEV PLODVIV 1-3
Shënues: Sukaj 5’/ Kosoko 27’, 87’, Nedelev 62’
Partizani: Hoxha, Fejzullahu, Ibrahimi, Atanda, Kotobelli, Batha, Trashi, Progni (Bardhi 54’), Vila (Xhixhua 74’), Mazrekaj (Fili 63’), Sukaj. Trajner: Sulejman Starova
Botev Plovdiv: Çvoroviç, Panov, Dimov, Genev, Minev, Nedelev, Omnibes, Sjojanov (Marin 84’), Baltanov, Brisola (Tasev 80’), Kosoko. Trajner: Nikollaj Kirov
Gjyqtar: Bryn Markhan-Xhons, Daniel Beket, Ljuis Eduards, David Morgan (Uells)
KV: Kotobelli/ Sjojanov, Baltanov
Sigal