Agron Kaja: Ky brez nuk ka cilësi për kualifikim në Evropian

509
Sigal

FSHF/ Në konferencën e djeshme për shtypin e mediat sportive, trajneri i Kombëtares U 21 u tregua i sinqertë me realitetin në këtë skuadër

Trajneri i ri i kombëtares shqiptare U-21, Alban Bushi, ka filluar dje punën, teksa ka publikuar edhe listën e tij të parë të grumbullimit të ekipit që drejton nga muaji dhjetor 2016. Sipas tij, nga data 18 e deri më 25 janar 2017, do të mbledhë në Shqipëri për t’i vëzhguar nga afër disa futbollistë, të cilët planifikon t’i ketë pjesë në skuadrën U21 për kualifikueset e ardhshme në Kampionatin Europian. Në konferencën për shtyp të mbajtur dje në FSHF, Bushi ju përgjigj edhe pyetjeve të gazetarëve të pranishëm, ku kryesisht i veçua një përgjigje: Objektivi i ekipit Shpresa U21 është vetëm të nxjerrë lojtarë për ekipin e parë, dhe jo kualifikimi në Kampionatin Evropian. Ky është grumbullimi i parë që Alban Bushi bën me skuadrën U21 në rolin e trajnerit, pas zëvendësimit një muaj më parë të Redi Jupit. “Është grumbullimi i parë me U-21 dhe është shumë i rëndësishëm për ne dhe për ata lojtarë që vijnë për herë të parë. Ka qenë një periudhë e shkurtër për të parë disa lojtarë, sepse kam vetëm një muaj që e kam marrë detyrën e trajnerit dhe shumica e lojtarëve në këtë kohë kanë qenë pushim. Unë i kam parë me video, dhe mendoj se e kam një ide, por në grumbullim do krijojmë një ide edhe më të qartë”, kështu e nisi bashkëbisedimin me mediat Alban Bushi, i cili më pas tregoi edhe PSE-në e emrave të rinj në këtë skuadër. “Nuk kemi si bazë të ekipit lojtarët e vitit të kaluar, nga të cilët kanë mbetur katër apo pesë vetë, sepse jemi në kërkim të lojtarëve të rinj. Në muajin shkurt do ketë një tjetër seleksionim me lojtarë nga Shqipëria, Maqedonia, Greqia dhe ndonjë vend tjetër. Jemi në një fazë që do ndërtojmë boshtin e ekipit”. Ndërkohë Alban Bushi nuk i shpëtoi kureshtjes së gazetarëve, të cilët kërkuan edhe PSE-në e mungesës së disa emrave që kanë qenë më parë pjesë e Kombëtares U21 dhe e kanë ende moshën të jenë pjesë e saj. Por, për Bushin, në këtë periudhë, pengesë është data jo e lirë nga FIFA. “Mendoj se Keidi Bare është lojtar i konfirmuar, por ky grumbullim nuk është në datë të lirë nga FIFA dhe ai nuk ka lejë nga klubi që të jetë në grumbullim, e po kështu edhe Qazim Laçi. Them i konfirmuar që ka qenë pjesë me ekipin e kaluar, por nuk them i konfirmuar për këtë vit, sepse ne do marrim vetëm ata që luajnë me ekipet e tyre. Por, çdo lojtar është në planet tona dhe ne do të përzgjedhim më të mirët. Gjithçka do të varet nga forma e çdo lojtari, sepse do thirren vetëm ata që janë në formë, njësoj si në kombëtaren e parë”. Duke qenë se në këtë grup që sot nis grumbullimin ka edhe futbollistë nga Kosova, Bushi u tregua i hapur, teksa për secilin tha se, ata bëjnë zgjedhjet e tyre. “Ne po interesohemi për shumë lojtarë, por nuk do i bëjmë të ditur se janë shumë. Dy prej tyre, Elvir Maloku dhe Taulant Seferi, po u bëhet në mënyrë urgjente pasaporta. Deri tani nuk ka refuzuar njeri, dhe me këta lojtarë që kemi kontaktuar, e kanë pranuar ftesën, ndërsa të tjerët do të shohim në vazhdimësi. Nëse ne mendojmë se janë të vlefshëm, lojtarët do jenë pjesë e kombëtares, pavarësisht se nga janë. Por, nëse një lojtar është shqiptar, ne kemi detyrë ta kontaktojmë, qoftë nga Kosova apo nga Shqipëria dhe vendimin më pas e merr vetë lojtari”, vazhdoi më pas tekniku i Kombëtares U21, i cili më pas e mbajti derën e hapur edhe për futbollistët e U17 dhe të U 19, të cilët janë në aktivitet me skuadrën ku luajnë. Por sipas tij, ata nuk kanë shumë nivel për të ardhur te skuadra Shpresa. “Ky është një grumbullim që nuk kap futbollistë të U 19, edhe pse janë katër apo pesë që kanë qenë pjesë e U-17 dhe U-19. Për momentin, ata nuk kanë nivelin e duhur për momentin”. Ndoshta e kishte lënë për në fund përgjigjen “finale”, teksa Bushi deklaroi se, objektiv i kësaj Shprese është vetëm furnizimi me elementë cilësorë në Kombëtaren A. “Me këtë grumbullim, dhe me disa ndeshje miqësore që do të zhvillojmë më pas, unë nuk e kam menduar në aspektin se po krijojmë bazat për të pretenduar më vonë kualifikimin. Objektivi ynë nuk është të bëjmë ekip për kualifikim në Kampionatin Evropian të ardhshëm, por ne duam të nxjerrim lojtarë për ekipin e parë. Brezi i datëlindjes 1996 nuk ka shumë lojtarë të mirë, ndaj dhe ne kemi afruar më shumë futbollistë të datëlindjes 1997”. Në finalet e Kampionatit Evropian 2017 që zhvillohen në Poloni në muajin qershor, kanë të drejtë të aktivizohen lojtarët e datëlindjes nga 1 janar 1994 e sipër.

Somario
Me këtë grumbullim, dhe me disa ndeshje miqësore që do të zhvillojmë më pas, unë nuk e kam menduar në aspektin se po krijojmë bazat për të pretenduar më vonë kualifikimin. Objektivi ynë nuk është të bëjmë ekip për kualifikim në Kampionatin Evropian të ardhshëm, por ne duam të nxjerrim lojtarë për ekipin e parë

FUTBOLLISTËT E GRUMBULLUAR
Portierë
Emri/Mbiemri Dt/lindja Skuadra
Elhan Kastrati /02.02.1997/ Piaçenca (Itali)
Mario Dajsinani /23.12.1998/ Partizani (Shqip.)
Mbrojtës
Emri/Mbiemri Dt/lindja Skuadra
Bardhec Bytyqi 08.01.1997 Aalborg (Danim.)
Idriz Voca 15.05.1997 Luzern (Zvicër)
Laurant Sadiku 24.09.1997 Jang Bojs (Zvicër)
Arlind Amidi 15.03.1997 Altak (Austri)
Ymer Shaba 21.07.1998 Dinamo (Shqipëri)
Leonardo Maloku 18.05.1998 Peskara (Itali)
Mesfushorë
Emri/Mbiemri Dt/lindja Skuadra
Alfred Ajdareviç 20.06.1998 Orebro (Suedi)
Fabio Sakaj 02.02.1998 Modena (Itali)
Amarildo Gjoka 03.06.1997 Kortrijk (Belgjikë)
Olgert Merkaj 23.07.1997 Sampdoria (Itali)
Romeo Shahinasi 25.02.1996 Racing Roma (Itali)
Heroid Gjoshi 18.05.1997 Vil (Zvicër)
Frederiko Zenuni 19.01.1997 Tutokuoio (Itali)
Sherif Kallaku 01.03.1998 Kremoneze (Itali)
Ardit Deliu 26.10.1997 RNK Split (Kroaci)
Sulmues
Emri/Mbiemri Dt/lindja Skuadra
Ermir Sahiti 29.11.1998 Rabotniçki (Maqedoni)
Arjan Kabashi 14.03.1997 Elfsborg (Suedi)
Valdrin Mustafa 11.03.1998 Kaizersl. (Gjerm.)
Çlirim Shabani 16.06.1998 Luzern (Zvicër)

Euro 2017/ Ndeshjet eliminatore
Shqipëri në Grupin 4
Data Ndeshja Rez
28.03.2016 Litehshtein-Shqipëri 0-2
03.09.2015 Shqipëri-Izrael 1-1
08.09.2015 Shqipëri-Portugali 1-6
13.10.2015 Hungari-Shqipëri 2-2
12.11.2015 Portugali-Shqipëri 4-0
16.11.2015 Shqipëri-Litehshtein 2-0
24.03.2016 Shqipëri-Greqi 0-0
28.03.2016 Shqipëri-Hungari 2-1
02.09.2016 Greqi-Shqipëri 2-1

KAMPIONATET EUROPIANË U 21
PERIUDHA FITUESIT
1976/1978 Ish-Jugosllavia
1978/1980 Ish-BS
1980/1982 Anglia
1982/1984 Anglia
1984/1986 Spanja
1986/1988 Franca
1988/1990 Ish-BS
1990/1992 Italia
1992/1994 Italia
1994/1996 Italia
1996/1998 Spanja
1998/2000 Italia
2000/2002 Rep. Çeke
2002/2004 Italia
2004/2006 Holanda
2006/2007 Holanda
2007/2009 Gjermania
2009/2011 Spanja
2011/2013 Spanja
2013/2015 Suedia
205/2017 ?