Orges Shehi: Me Partizanin ndeshje e rëndësishme, do luajmë për fitore

801
Nga Agron KAJA
KATEGORIA SUPERIORE/ Për kryesfidën e javës së tretë Skënderbeu-Partizani, flet kapiteni 40-vjeçar i skuadrës korçare. Të dy trajnerët tregojnë pikat e dobëta të kundërshtarëve dhe të fortat e tyre
Në dy javë, Skënderbeu ka grumbulluar 4 pikë, këto kanë qenë mundësitë tuaja?
Nuk mund të them se mundësitë tona kanë qenë për më pak, por se në 2 ndeshjet e para kemi arritur 1 fitore dhe 1 barazim, kemi marrë më pak nga mundësitë që kemi. Ndoshta gabuam pak në Kamzë, por gjithsesi, ky ka qenë edhe fati në këto dy ndeshje.

Çfarë ka treguar Skënderbeu në dy ndeshjet e para të këtij sezoni të ri?
Natyrisht që skuadra nuk është shprehur ende në mundësitë që ka. Janë luajtur 180 minutat e para, dhe jo vetëm Skënderbeu, por të gjitha skuadrat nuk besoj se e kanë pasur kohën e mundshme të tregojnë vlerat që kanë. Ne kemi një ekip shumë të mirë, dhe gradualisht besoj se do të përmirësohemi në lojë e në rezultate pozitive.

Kanë ndikuar për ju ndeshjet që po luani në UEFA Evropa Ligë?
Kjo është thënë e dëgjuar shpesh në media, por ne nuk jemi të këtij mendimi. Ndoshta i referoheni vetëm barazimit me Kamzën, ndërsa ne kemi fituar në javën e parë edhe me Lushnjen. Ndeshjeve në Evropa Ligë nuk ka qenë moment negativ për dy ndeshjet tona, sepse ato më shumë e kanë mbajtur të mirë formën fizike të të gjithë futbollistëve.

Keni treguar më të mirën, sepse jeni ndeshur vetëm me dy skuadrat debutuese të këtij sezoni?
Ndoshta më duhet të përsëris diçka sa më sipër, se nuk është koha e mundshme për të treguar më të mirën. Ne na kërkohet në çdo ndeshje të bëjmë maksimumin, dhe këtu besoj se duhet parë, se sa është dhënë në fushë ky maksimum. Por, ne jemi të sigurt se çdo lojtar i Skënderbeut, në fushën e lojës jep më të mirën e tij.

Java e tretë ju vendos përballë Partizanit, së pari, si e keni përgatitur këtë sfidë?
Patjetër që përgatitja për një ndeshje ndaj Partizanit, ka më shumë emocion, duke qenë se luhet ndaj një skuadre të madhe në futbollin shqiptar. E tha edhe trajneri ne deklaratën e tij, dhe unë e përforcoj, se na duhet shumë përqendrimin, pasi kundërshtari ka lojtarë me eksperiencë.

Në sezonin e kaluar, në 4 ndeshje me Partizanin keni marrë 3 barazime e keni pësuar 1 humbje, do të ndikojë kjo për ndeshjen e sotme?
Absolutisht që nuk ndikon, sepse ato janë rezultatet e sezonit të kaluar, dhe nga ai sezon, të dyja skuadrat kanë ndryshime, në përbërje dhe në drejtim. Partizani ka më shumë, ndaj mendoj se në raport me sezonin e kaluar, kjo ndeshje nuk ka të krahasuar.

Po bilanci negativ që ka Skënderbeu ndaj Partizanit, do të ketë ndikim në këtë përballje?
Bilancet i takojnë historisë, e cila ka pasur ndryshime, ulje e ngjitje për çdo skuadër. Duke qenë se historia nuk i jep asgjë realitetit, ne e sfidojmë atë bilanc që kemi me Partizanin, dhe nesër (sot) do të luajmë vetëm për fitore.

Cilat skuadra i shikoni si rivale të Skënderbeut në këtë sezon?
Deri tani, Kukësi mbetet i tillë si Kampioni në fuqi, ndërkohë që Partizanin duhet ta shoh në fushë nesër (sot), që të them se sa rival do të jetë. Ne si Skënderbe kërkojmë të gjithë trofetë e sezonit, ndaj edhe është ndërtuar një skuadër me elemntë që e garantojnë suksesin, por se çfarë do të sjellë fati, kjo është ana tjetër.

Ditën e hënë ju keni ditëlindjen, festoni 40-vjetorin, si ndjeheni në këtë moshë, si një portier i skuadrës më të mirë të momentit në Shqipëri?
Për të gjithë njerëzit ka një datë lindjeje, dhe për mua është 25 shtatori. Është një ditë e madhe në aspektin sportiv, e veçantë se është e 40-ta, por e zakonshme, sepse do të presim shumë të tjera.
Përgatitja për një ndeshje ndaj Partizanit, ka më shumë emocion, duke qenë se luhet ndaj një skuadre të madhe në futbollin shqiptar. E tha edhe trajneri ne deklaratën e tij, dhe unë e përforcoj, se na duhet shumë përqendrimin, pasi kundërshtari ka lojtarë me eksperiencë
40 vjeç
Në datën 25 shtator 2017, portieri i Skënderbeut ka ditëlindjen e tij të 40-të, ndërsa luan sezonin e 7-të me skuadrën korçare
Sigal