Presidenti i FSHN, Agim Çiraku: Rekordet, të rëndësishme por garat dimërore janë gjithnjë të vështira

146

Presidenti i Federatës Shqiptare të Notit: “Më vjen mirë që ka notarë shqiptarë të ardhur nga jashtë, sepse sjellin një tjetër nivel paraqitjeje

Çiraku: Të rëndësishme rekordet, garat dimërore janë gjithnjë të vështira

Gjergj VYSHKA

Agim Çiraku, presidenti i Federatës Shqiptare të Notit, i është kënaqur numrit të rekordeve në kampionatin kombëtar dimëror për të rritura, të rritur, të reja dhe të rinj, që për dy ditë u zhvillua tek “Te Stela”. Jo vetëm kaq, por i pari i notit shqiptar vlerëson dhe ardhjen e notarëve që jetojnë jashtë, të tillë si Katie Rok. I ka cilësuar të vështira garat dimërore, që janë një parapërgatitje për ato të verës. Por në përgjithësi, aktiviteti ka shkuar në mënyrë fantastike, ndërsa gjithçka ka ecur me ritme të kënaqshme. Ja dhe intervista e dhënë për gazetën “Telegraf” nga presidenti i Federatës Shqiptare të Notit, Agim Çiraku…

-Dhjetë rekorde kombëtare, si do ta vlerësonit kampionatin?

“Dhjetë rekorde nuk janë pak, aq më tepër që bëhet fjalë për gara dimërore, që në një farë mënyre janë të vështira. Megjithatë ne i kemi si parapërgatitje për garat e verës në pishina të hapura. Rekordet, por dhe masiviteti për mua është i mbarë. Shpresojmë të vazhdojmë kështu.”

Shqiptarë të ardhur nga jashtë…?

“Po, është e vërtetë. Është fjala për një notare që vjen nga Amerika si Katie Rok. Sigurisht që përgatitja e saj për kushtet ku bën stërvitje është krejt e ndryshme nga tanët. Megjithatë, kështu i rrit vlerat kampionatit tonë dhe ne jemi të hapur për çdo sportist shqiptar që do dhe vjen nga jashtë. Besoj se do të kemi dhe pjesëmarrje të tjera në të ardhmen.”

Çfarë e pret notin në të ardhmen?

“Ne kemi para një sërë aktivitetesh ndërkombëtare dhe kombëtare. Sigurisht që qëllimi kryesor do të jetë arritja në normën e kualifikimit për në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”. Besoj dhe duhet ta arrijmë. Unë jam i kënaqur për çfarë janë duke dhënë deri më tani notarët shqiptarë. Ky sport ka nevojë të rritet edhe më tej.”

-Që do të thotë?

“Pishinat në ato qytete që nuk e kanë traditë. Pra në Durrës e Tiranë kemi pishinat, por kemi dhe skuadrat. Tani çështja është që të hapen pishina si në Sarandë, apo dhe në ndonjë qytet tjetër. Sepse vetëm kështu do të kemi masivitet më të madh. Dhe normalisht duhet të ndodhë.”

Së fundi, ndonjë mesazh për të gjithë familjen e notit?

“Punë dhe stërvitje! Të vazhdohet me rezultatet dhe rekordet dhe në aktivitetet ndërkombëtare, sepse na duhet që notin ta kthejmë në sport cilësor dhe kryesor në vend.”

Sekretarja Haxhija: Kemi prurje tek femrat…

Sekretarja e përgjithshme e Federatës Shqiptare të Notit, Suela Haxhija, ka vlerësuar faktin e rritjes së masivitetit tek femrat. “Është një pikë – thotë Haxhija për “Telegraf” – në të cilën kemi qenë dobët. Tanimë kemi prurje, por dhe rezultate dhe kjo është shumë e rëndësishme për ne. Sa për të ardhmen e tyre duhet pritur, sepse është ende shpejt të flitet, por që ajo çka u pa në dy ditët e garave për të rritur është mirë”. Ndërkohë kryekzekutivja e Federatës Shqiptare të Notit, Suela Haxhija, tregon se tek meshkujt ka pasur konkurrencë të madhe. “Shihni pikët FINA dhe vihet re se janë ndarë me një, apo dy pikë. Spiro Goga, Deni Baholli, Kristo Petko, Ergi Veli janë notarët që kanë bërë konkurrencën e madhe në këtë aktivitet”. E në fund Haxhija tregon të ardhmen e notit për vitin 2019. “Janë një sërë aktivitetesh që do të nisin më Lojërat Komen në Bullgari, Festivalin Evropian Rinor në Baku, Botërorin e të rriturve në Kore, apo i të rinjve në Budapest. Pa harruar aktivitetet kombëtare, ndërsa takimi ndërkombëtar që do të zhvillohet në Durrës, ndërkaq shpresojmë të kemi pjesëmarrës dhe nga vendet fqinje, sepse tanimë është dhe në kalendarin e Federatës Evropiane, është shumë i rëndësishëm për ne. Një sërë aktivitetesh me qëllimin final, Tokio 2020”.