Modeli shqiptar i futbollit është larg atij të përparuar Europian

740
Sigal

 “Dobësia e klubeve tona e ka zanafillën me braktisjen e madhe që iu bë nga shteti në vitet ’90”

  – Zoti Prodani, gjatë drejtimit tuaj administrativ të FSHF-së u kryen disa reforma, duke filluar nga shndërrimi i klubeve në shoqëri aksionare apo shoqata. Çfarë mund të na thoni për to?

 – Në komentet që, kam bërë për ndryshimet që janë ndërmarrë në FSHF gjatë periudhës time, kam insistuar të them se ato kanë qenë në çdo rast fryt i diskutimit dhe vendimmarrjes kolektive. FSHF-ja është një institucion vendimet e së cilit prekin interesat e një komuniteti të gjerë që ky institucion menaxhon. Për më tepër FSHF-ja është një organizëm kompleks, me karakteristika unike dhe në përmirësim të vazhdueshëm. Me përjashtim të ndonjë manipulatori, askush nuk mund të thotë se e njeh dhe di me saktësi se cila është zgjidhja më e mirë për këtë apo atë problem. Për vetë natyrën e punës dhe karakterin e institucionit,  nuk ka asnjë mundësi që ndokush të mendoje se, kjo apo ajo arritje e rëndësishme është merite e tij duke vlejtur i njëjti pohim edhe për dështimet. Duke njohur dhe duke qenë i përgjegjshëm për sa më sipër, unë jam përpjekur të jem sa më konsensual dhe i konsultuar edhe për vendimet që i takonin tërësisht pozicionit të Sekretarit të Përgjithshëm. Ndryshimet dhe reformat që janë ndërmarrë gjatë periudhës kur unë kam qenë Sekretar i Përgjithshëm i FSHF-së kanë ardhur si kërkesa dhe domosdoshmëri për nevojat dhe vete stadin e zhvillimit të futbollit në Shqipëri. Këto lëvizje në çdo rast janë menduar dhe diskutuar gjatë dhe me gamën më të gjerë të mundshme të grupeve të interesuara. Ky ka qenë dhe një proces ku gabimet janë korrigjuar në ecje e sipër dhe nëpërmjet tyre kemi mësuar.

Reformat dhe përmirësimet e kryera nga FSHF-ja në këto vite janë programuar në Asamblenë e vitit 2010, e cila miratoi disa objektiva 4-vjeçarë për institucionin dhe futbollin Shqiptar. Në këtë kuadër institucioni ndërmori disa lëvizje dhe reforma ku mund të përmendet vënien në zbatim e skemës së menaxhimit të centralizuar të të drejtave për kampionatet kombëtare, reformimi juridik i klubeve, lançimin e sistemit të reformuar të ekipeve kombëtare të moshave dhe ndjekjes se talenteve, reformën e kuadrit ligjor dhe sistemit të drejtësisë sportive, vënien ne funksionim të sistemit te menaxhimit elektronik te garave, etj.

Ndonëse qëndrova më shumë se tre vjet në një pozicion që, të lejon të vrojtosh dhe njohësh çdo sektor, përsëri jam i sigurt se nuk e kam kompletuar njohjen e plotë të natyrës dhe problematikës së FSHF-së dhe futbollit shqiptar në përgjithësi. Megjithatë, ajo për të cilën jam i sigurt është që futbolli ynë ka nevojë për kontributin e sa më shumë njerëzve profesioniste dhe me vizione moderne për të ardhmen. Këtu nuk e kam fjalën vetëm për aparatin e FSHF-së, por për çdo segment të futbollit kombëtar.

 Në këndvështrimin tuaj, cila janë problemet më të cilat përballet futbolli ynë?

  – Natyrisht që, mund të flitet gjatë për problemet dhe pengesat që has sot futbolli shqiptar. Ato janë të karakterit kulturor, infrastrukturor, ligjor, financiar, institucional, etj. Diskutimi për futbollin shqiptar duhet të bëhet patjetër në dy plane: futbolli i luajtur në Shqipëri dhe futbolli i ekipeve kombëtare.

Futbolli i luajtur në Shqipëri has sot në një spektër të gjerë problemesh që e pengojnë atë të ngrihet në standarde bashkëkohore dhe të na përfaqësojë më mirë në kompeticionet europiane në nivel klubesh. Natyrisht që, për të shpjeguar me hollësi këtë problematikë duhet më shumë se një intervistë prandaj po përqendrohem në atë që mendoj se është “tulla” themeltare mbi të cilën ngrihet tërë godina e futbollit të një vendi: klubin e futbollit. Dobësia dhe handikapet që manifestojnë klubet tona sot e kanë zanafillën me braktisjen e madhe që ju bë futbollit që në vitet ’90 kur, nga një aktivitet i subvencionuar dhe mbështetur 100% nga shteti, futbolli u la praktikisht në fatin e tij, pa asnjë politike mbështetëse apo strategji tranzicioni. Për të ruajtur ekzistencën, klubet e futbollit mbeten shpesh në mëshirën e parave me burim të dyshimtë dhe u morën në menaxhim nga individë pa garancitë e nevojshme profesionale, kulturore apo dhe morale. Si rezultat i drejtpërdrejtë i asaj braktisjeje sot trashëgojmë klube futbolli larg të qenit ne modelin dhe efikasitetin që kërkon tregu shumë dinamik i futbollit bashkëkohor. Ndonëse nga viti 2011 kemi të paktën klube me status juridik të përcaktuar, ata nuk mund të dalin  nga vështirësitë në qoftë se shteti nuk do të ndryshojë qëndrim dhe nuk do të merret seriozisht me futbollin. Ata që pretendojnë se këtë situatë mund ta ndryshojë FSHF-ja nuk e kanë kuptuar si organizohet dhe si funksionon futbolli. FSHF-ja është thjesht bashkimi i klubeve dhe e vetme ajo mbetet me mundësi të kufizuara për të vepruar. Duhet kuptuar se janë klubet ata që e bëjnë FSHF-në dhe jo kjo e fundit klubet. Komponenti i futbollit të ekipeve kombëtare është një histori tjetër. Në qoftë se, ekipet kombëtare do të mbështeteshin vetëm në klubet e vendit dhe futbollin e luajtur në Shqipëri atëherë do të ishim duke folur në të njëjtën mënyrë si më sipër. Cilësia e lojës dhe rezultatet e ekipeve tona kombëtare do të ishin njehsuar tashmë me ato të minishteteve të Europës, ndoshta më keq. Arsyet kuptohen lehtë. Duhet thënë se, ne jemi mbrapa edhe minishteteve të Europës për kushtet që i krijojmë prodhimit dhe zhvillimit të talenteve te futbollit. Këtu mund të përmend pa ngurrim infrastrukturën, mbështetjen financiare, burimet njerëzore, etj. Argumente dhe prova për këtë mund të jepen plot dhe s’kam pse zgjatem. Realiteti është se, ekipet kombëtare të Shqipërisë mund të mbështeten në një potencial të madh lojtarësh cilësorë që ofrojnë sot djemtë dhe vajzat nga trevat dhe komunitetet shqiptare nëpër Bote. Ndonëse në këtë argument ka pasur dhe zëra në parim kundër, unë mendoj se ata duhet te heshtin jo vetëm për faktin se, ne nuk bëjmë dot pa pjesëmarrjen e tyre, por dhe se askujt nuk duhet t’i shkoje në mendje t’u mohojë djemve dhe vajzave të diasporës të drejtën për të veshur fanellën kuq e zi. Për këtë çështje FSHF-ja ka qenë shumë e qartë dhe e shpejtë në të vepruar. Unë jam i sigurt se, masat që janë marrë dhe politika që po ndiqet do të na dhurojë shpejt një ekip Kombëtar aspak më inferior në cilësi ndoshta se ata të vazos ëe dytë me të cilët ndeshemi. Koha do të na tregojë, por padyshim që kemi përpara një të ardhme premtuese kuq e zi.

   – Sa afër është modeli shqiptar i futbollit, me atë të përparuar dhe bashkëkohor europian?

 – Modeli shqiptar i futbollit është larg atij të përparuar Europian kur vjen fjala për mënyrën se si janë organizuar, si funksionojnë, si financohen, si përgatiten, etj, klubet shqiptare te futbollit. Si e preka dhe me sipër, mendoj se kjo prapambetje i dedikohet mungesës thuajse totale te politikave dhe kujdesit shtetëror për futbollin në tërë periudhën 20-vjeçare të pas viteve ’90 gjë që vijon e pa ndryshuar edhe sot. Ndonëse jo më pak i dashur dhe i ndjekur, futbolli në Shqipëri është larg modelit që kanë zhvilluar sot vendet e zhvilluara. Kjo jo sepse është i varfër por, sepse ndryshe nga ata nuk është në gjendje të vihet në rrugën e një veprimtarie ekonomike që gjeneron të ardhura, nuk mund të prodhojë mjaftueshëm lojtarë cilësorë, nuk mund t’i imponohet tregut te marketingut, nuk mund të arrijë marrëveshje të qëndrueshme afatgjata midis klubeve, etj. Problemet janë shumëplaneshe dhe duken si dekurajuese por mendoj se zgjidhjet nuk janë krejt te pamundura. Vendet që kemi rreth e qark nuk janë superiore krahasuar me futbollin tone nga pikëpamja e cilësisë sportive ndërkohë që janë shume më të konsoliduar nga modeli se si klubet funksionojnë dhe sigurojnë të ardhura. Jam i bindur se ky avantazh i dedikohet në masën më të madhe rolit aktiv që, kanë luajtur dhe luajnë shtetet e këtyre vendeve. Me sa duket atje është kuptuar më drejt rëndësia e ruajtjes dhe zhvillimin e futbollit si sport cilësor, si lëvizje masive sportive, si reklamë efektive për vendin por dhe si veprimtari ekonomike në rritje dhe me perspektiva të qarta zhvillimi.

  – Liga Profesioniste e futbollit duket si një ëndërr në vendin tonë. Pse është kaq e vështirë për ta krijuar?

 – Është folur disa here për Ligën Profesioniste të Futbollit. Kam vene re se, shpesh krijimi i saj mendohet dhe sugjerohet si zgjidhje e problemeve që kalon futbolli ynë. Në të vërtetë, ligat janë mekanizma, qëllimi më kryesor i të cilave është maksimalizimi i fitimit. E thënë ndryshe, ato mbrojnë interesat e ekonomike të anëtarëve të tyre duke u përqendruar vetëm për aspektin komercial te futbollit. Liga përgjithësisht merret me organizimin e kampionatit përkatës, por çështje të rëndësishme si arbitrimi, disiplina sportive, etj. i mbeten në çdo rast Federatës. Ata që predikojnë ligat, si struktura që përjashtojnë federatën ose nuk e dine se për çfarë flasin ose përpiqen të manipulojnë. Ndërsa është e vërtetë që pjesa më e madhe e vendeve të Europës kanë liga profesioniste futbolli unë nuk mendoj se, është FSHF-ja shkaku për mungesën e tyre në Shqipëri. Që të formohet një Ligë është e nevojshme që klubet e futbollit së pari të jenë operatorë të mirëfilltë ekonomike të cilat nëpërmjet Ligës do të arrinin të menaxhonin në mënyrë me efikase biznesin dhe do të mbronin më mirë interesat ekonomike të tyre.

Realiteti ynë i periudhës deri në vitin 2011 ishte që dy të tretat e klubeve të futbollit nuk kishin as personalitet juridik ndërkohë që ata që mund te klasifikohen si subjekte të aftë për biznes sot numërohen me gishtat e dorës. Klubet tona janë subjekte që mbijetojnë, duke u financuar nga burime jo të garantuara ndërkohë që kostot e kampionatit ku marrin pjese subvencionohen në një masë të konsiderueshme nga FSHF.

Statuti i FSHF-së e lejon krijimin e ligave. Por, për të krijuar një ligë, klubet duhet së pari të arrijnë një akord juridik midis tyre, të merren vesh për kuotat e financimit, formulën e shpërndarjes së të ardhurave, etj. Më pas ato duhet t’i drejtohen FSHF-se e cila nuk ka pse të mos e miratojë në rast se statuti dhe aktet e tjera të Ligës që propozohet janë në përputhje me atë të FSHF-së si dhe ato të FIFA/UEFA-s.

 – Federata Shqiptare e Futbollit, shpesh herë konsiderohet si një institucion “bunker”. Ju si do ta përshkruanit për publikun?

– FSHF-ja është një institucion kompleks. Aty administrohen dhe udhëhiqen interesat e një sektori që, pavarësisht volumit të ulët të qarkullimit të parave, tërheq në masë të konsiderueshme vëmendjen e opinionit dhe shpesh kontribuon në klimën sociale të komuniteteve. FSHF-ja nuk operon me fonde publike, por për vete natyrën e saj ajo është në të vërtetë një institucion “publik”, përgjegjës për menaxhimin me sa me efektivitet të fondeve dhe interesave të komunitetit shqiptar të futbollit. Mund të pohoj pa ngurrim se, në Federatën Shqiptarë të Futbollit është punuar për përmirësimin e mentalitetit dhe praktikave të punës së aparatit drejt një përgjegjshmëri maksimale ndaj të gjithë atyre subjekteve që operojnë në futbollin shqiptar po dhe ndaj publikut. Në këtë funksion, në Sekretariatin e Përgjithshëm janë ndërmarrë dhe ndryshime strukturore, rregullative dhe njerëzore që kanë rritur transparencën, kane përmirësuar kapacitetet menaxhuese, kanë ngritur standardin e performancës, etj. drejt një institucioni modern në standardet europiane.

FIFA dhe Serbia poshtërojnë futbollin kosovar

 Nuk na doli siç u tha. E as vendim historik në të mirë të futbollit të Kosovës, duket se nuk ishte. Futbollistët, klubet, të rinjtë, trajnerët, investitorët, udhëheqësit e klubeve, punëtorët sportivë dhe të gjithë dashamirësit e futbollit edhe njëherë u lanë në lloç, u gënjyen dhe u zhgënjyen nga FIFA dhe “miku” i madh i FFK-së, Sepp Blatter. E ç’është më e keqja ajo që u tha ishte historike, doli të jetë asgjë më shumë se një poshtërim i të gjithë atyre po e mbajnë futbollin gjallë në Kosovë. Konsultimi apo marrja leje në Beograd para çdo takimi që kosovarët dëshirojnë ta zhvillojnë e kthen futbollin Kosovës prapa në një kohë të cilën asnjëri prej nesh nuk dëshiron ta kujtojë më. Menjëherë kanë reaguar klubet duke i quajtur këto modalitete poshtërim i radhës për futbollin tonë. “Vendimi i FIFA-së është poshtërues dhe nënçmues për futbollin e Kosovës” ka thënë presidenti i FC Prishtinës, Remzi Ejupi, “ Ky është një diskriminim ndaj rinisë kosovarë, që i është bërë viteve të fundit. Nuk mund të kuptohet ndryshe ky vendim i FIFA-së. Si duket as FIFA e as UEFA nuk e njohin realitetin tonë dhe kjo është gjë e keqe për të dy këto asosacione të futbollit. Ne kemi treguar se jemi për t’u bashkangjitur botës së futbollit dhe kemi punuar me përkushtim gjatë gjithë kësaj kohe, andaj assesi nuk e kemi merituar një trajtim të tillë”, përfundoi presidenti i FC Prishtinës, Remzi Ejupi. I zhgënjyer dhe i fyer ka mbetur edhe kryetari i klubit futbollistik Trepça, Nexhmendin Haxhiu. “Ky është mjerim”, ka thënë Haxhiu. “Nuk ka asgjë serioze në këtë vend. Ne për vite me radhë kemi luftuar që të pavarësojmë vendin dhe sportin tonë, ndërsa sot një vendim që Federata e quajti historik, na del të jetë kthim në pikën zero dhe na qet për tokë të gjithë ne”, vazhdoi Haxhiu. Ndërkohë sa i përket reagimit të kryetarit Vokrri, se ai i ka folur me të parin e FIFA-së, Sepp Blatter dhe se i është premtuar ndryshim i këtyre modaliteteve, Haxhiu ka shtuar. “Nuk ka asgjë në këtë drejtim. Në atë federatë duket se të gjithë japin deklarata sa të dalin në foto. Edhe njëherë këto modalitete jo që janë të papranueshme, mirëpo shumë të dëmshme dhe zhgënjyese”, përfundoi Haxhiu. Federata Serbe e Futbollit i lejon seleksionet e Kosovës të zhvillojnë ndeshje miqësore në territorin e Kosovës dhe Metohisë, por paraprakisht ato duhet të kërkojnë leje nga ajo. Këtë vendim krerët e futbollit serb e kanë marrë të premten, në mbledhjen e KE-s të FSF-s. “FSF ka ardhur në përfundim se për çdo ndeshje që seleksionet kosovare dëshirojnë të zhvillojnë në territorin e Kosovës dhe Metohisë, është e nevojshme që të kërkojnë pëlqimin e anëtarëve të KE të FSF-s. Disa ndeshje që do ti zhvillonin jashtë vendit, në kategoritë e reja, femrave dhe klubeve, duhet të zhvillohen pa ngritjen e simboleve kombëtare”, thuhet në kumtesën e FSF-s. “FSF-ja edhe më tutje do të shfrytëzojë të gjitha drejtat legjitime edhe juridike në luftë për të ruajtur respektimin e rregulloreve bazë të UEFA dhe FIFA, me qëllim të mospranimit të të ashtuquajturës Federatës së Futbollit të Kosovë, e në bazë të faktit që ata nuk janë anëtarë të OKB-së. Qysh në janar zyrtarët e FSF do të kenë takime të reja lidhur me këtë temë me ata të FIFA dhe UEFA”, thuhet në kumtesë.