Misioni “Superligë” vazhdon, pretendentet përballën me “pengesat” e radhës

55

Një fazë e dytë që ka nisur me jo edhe aq surpriza për Kategorinë e Parë, ku ekipet filluan edhe një herë aty ku e lanë misionin e tyre, disa për të qëndruar edhe për një sezon në të njëjtën kategori dhe disa për të kaluar në Superligë. Zhvillimet në javën e fundit shfaqen edhe një herë forcën me të cilën përballet si Tërbuni, Mamurrasi dhe Besëlidhja në grupin A, ashtu edhe Lushnja me Dinamon, Butrintin, Pogradecin dhe Tomorin në grupin B. Diferencat mes dy grupeve, të veriut dhe të jugut, vihen re pasi në grupin A, janë vetëm tre ekipe që ndodhen në luftë për titull, duke filluar me të parën:

Grupi A

Tërbuni-Ndoshta ekipi më në formë nga të dy grupet, kjo nisur vetëm nga një fakt i thjeshtë por shumë domethënës në futboll, nuk ka asnjë humbje dhe mban prej javësh vendin e parë, duke kaluar para Besëlidhjes dhe Mamurrasit që në fillim të kampionatit dukeshin sikur luftonin vetëm këto të dy skuadra me njëra-tjetrën, por mbetën pas, duke qenë gjithmonë në ndjekje të pukjanëve. Sot, këta të fundit kanë një ndeshje delikate me Burrelin, ku në rast fitoreje marshimi drejt fitimit të titullit do të ishte edhe një hap më përpara.

Mamurrasi- Vendi i dytë, Mamurrasi vazhdon të bëjë hapa përpara, të paktën ndaj Besëlidhjes, për të luajtur shansin e radhës në përpjekjen për fitore, e këtë herë përballë nuk do ketë Adën por Kamzë, që në fakt mund të konsiderohet një ndeshje shumë delikate, por me avantazhin e vetëm që luan në shtëpi.

Besëlidhja- Skuadra që është pjesë e tre ekipeve të para dhe me shumë mundësi ekipet e vetme që do t’i shkojnë deri në fund “ëndrrës Superiore”. Edhe pse ka hasur në disa luhatje, skuadra lezhjane ka treguar potencial në këtë kategori, duke arritur që të shfaqet si ekipi  më i fortë në linjë, pavarësisht se ndodhet në vendin e tretë të renditjes, me 4 pikë diferencë me vendin e parë. Ndeshjen e sotme lezhjanët e luajnë ndaj Kastriotit që në këtë sezon futet në grupin e skuadrave mesatare, duke shfaqur ndoshta edhe ndonjë problematikë për ekipet që ka përballë. Në fakt, Besëlidhjes nuk i lejohen më gabime të tjera, duke e cilësuar në këtë mënyrë fitoren si një detyrim për të mos lëshuar më terren ndaj kundërshtarëve.

Grupi B

Sa i përket këtij grupi, situata ndryshon në mënyrë rrënjësore, pasi vazhdojnë akoma të ruhen balancat mes skuadrave, ku janë jo 3 por shumë e më shumë ekipe që qëndrojnë akoma në shanset e tyre për titull.

Lushnja– Si vendi i parë në renditje, Lushnja ka treguar si di të luajë mirë ndaj çdo kundërshtari, duke mos harruar edhe ndeshjen e fundit ndaj Dinamos që e mundi 2-0, rezultat që e la në krye të renditjes e mbi të gjitha e dërgoi në 4 pikë diferencën me vendin e dytë. Sot lushnjarët ndeshen me Shkumbinin e vendit të parafundit duke synuar edhe tre pikët e radhës.

Dinamo- Vendi i dytë i renditjes, ekipi i blerjeve të shumta por që nuk po shkëlqen ashtu siç pritej këtë sezon, pasi rezultatet nuk kanë qenë ato të duhurat,. Ndërkohë që sot,  ka një takim me Tomorin e vendit të 6-të por që nuk ndodhet më shumë se 2 pikë larg, çka e bën edhe më interesante këtë takim, duke parë një ndeshje që luhet drejtpërdrejtë për titull.

Butrinti-Pogradeci-Sopoti- Skuadrat e barazive të mëdha, ku secila prej tyre ndodhet në kuotën e 19 pikëve, me të njëjtin numër fitoresh, barazimesh e humbjesh. Sot, nga këto tre ekipe, provën më të vështirë e ka Sopoti që ndeshet me Bylisin, e edhe kjo e fundit ka vetëm dy pikë më pak se këto tre ekipe.

Në fakt, në grupin B situata është aq e ngjeshur sa në fund të sezonit mund të kemi edhe surpriza, e deri më tani askush nuk mund ta zvogëlojë në tre numrin e skuadrave pretendente për titull, diçka që tek grupi A ka ndodhur.

Takimet e sotme

Grupi A

Besa-Iliria

Mamurrasi-Kamza

Tërbuni-Burreli

Kastrioti-Besëlidhja

Veleçiku-Ada

Grupi B

Dinamo-Tomori

Sopoti-Bylis

Butrinti-Naftëtari

Shkumbini-Lushnja

Luftëtari-Pogradeci

 

Lufta për titullin dhe mbijetesën, pak nga të dyja në ndeshjet e sotme

 Me pak fjalë mund të thuhet shumë për ndeshjet e sotme, ku sigurisht hapësirën më të madhe e zë takimi mes Kukësit dhe Partizanit, që do të ketë në përbërje tifozë të shumtë, duke marrë parasysh hyrjen e lirë në stadium dhe autobusët e shumtë që janë vënë në dispozicion të tifozëve të Partizanit. Ekipi që fiton këtë ndeshje është padyshim fituesi i madh i javës, e nga ana tjetër të dy skuadrat e dinë që barazimi do të ishte thjeshtë një rezultat negativ më tepër, prandaj vëmendja kryesore do të jetë tek fitorja, çka do të bëjë që të dy ekipet të luajnë në sulm dhe vetëm për fitore. Se si do të përfundojë, kjo mbetet për tu parë, por garancinë për spektakël e kanë dhënë që në deklarata të dy ekipet. Nëse kjo është lufta për kreun, të tjera “luftime” kemi në kampin fundor, ku nuk mungon përfshirja e ekipeve në fund, por për fatin e keq të tyre, iu duhet të ndeshen me ekipe më të forta, duke bërë të tyren fitoren vetëm me shumë mund dhe për hir të së vërtetës edhe me shumë fat. Teuta do të ndeshet me Laçin dhe Laçi është ekipi që mundi Kukësin, nga ana tjetër Elbasani do të ndeshet me Tiranën dhe Tirana është ekipi që kryeson renditjen aktuale të kampionatit, e fundit për nga fundi është Apolonia që pret në shtëpi Skënderbeun dhe Skënderbeu është kampionia në fuqi dhe pretendente për të mbrojtur titullin. Por, siç dihet në futboll ekziston gjithmonë një “por” që ndryshon shumë nga ajo çfarë paraqitet në letër, e ndoshta këto tre ekipe edhe mund të përfitojnë nga ndonjë e papritur. Nëse flasim për ndeshjen tjetër, të fundit për nga radha por jo nga rëndësia, është Flamurtari-Vllaznia, takimi më i paparashikuar nga të gjithë, pasi të gjithë janë në njohuri të faktit se çfarë mund të bëjë Vllaznia në një ditë të mirë të saj, e duket se kësaj dite i ka ardhur koha, prandaj Flamurtari duhet të ketë kujdes, sidomos që të mos e pësojë si herën e parë, në fazën e parë, që barazoi 1-1 në fushën e vet.

Ultrasit e Sopotit kundër ekipit, bojkot ndaj Bylisit në ndeshjen e nesërme

Ashtu siç u vendos, ndeshja mes Bylisit dhe Sopotit do të luhet nesër dhe jo sot, duke ndryshuar pak oraret e zakonshme në këtë kategori. Por, një ndryshim tjetër do të vijë për skuadrën e Sopotit, që nuk do t’i kenë si gjithmonë tifozët pas vetes, kjo nisur nga humbja në Berat javën që shkoi. Ky rast, ose më saktë, kjo humbje, ka irrituar së tepërmi tifozët që kanë vendosur të bojkotojnë pjesëmarrjen e tyre në mbështetje të ekipit. “Ultras Sopoti” ka vendosur të mbajë rezerva ndaj ekipit, ku gjithashtu shprehen se edhe pse kanë qenë gjithmonë të pranishëm në çdo takim të luajtur, këtë ndeshje nuk do të jenë, kjo për shkak të paraqitjes që po bën ekipi. Diçka e tillë në fakt nuk është se ka ndodhur shumë shpesh në futbollin shqiptar, ku të gjithë tifozët, njëzëri, vendosin të bojkotojnë ndeshjet e skuadrës për ta bërë këtë të fundit që të reagojë në kërkim të rezultateve më të mira.