“MILAN DAY”/ “TAÇI OIL” U DHURON “ËNDRRËN” 15 TALENTEVE

471
Sigal

Një kujtim që do të mbetet gjatë në mendjen e tyre. Si do që të jetë e ardhmja, edhe nëse nuk do të behën futbollistë profesionistë, gjithmonë do të kujtojnë se kanë jetuar një ëndërr, një ëndërr e bërë realitet falë bashkëpunimit të grupit “Taçi Oil” me klubin e Milanit. 15 fëmijët nga Shqipëria dhe Kosova, fitues të edicioneve të fundit të “Milan Junior Camp” kanë mbyllur me sukses edicionin e këtij viti të “Milan Day”, një organizim gjigand i klubit më të titulluar në botë. Për dy ditë me radhë talentet shqiptarë janë përballur në Milano me moshatarët e tyre nga 40 vende të botës, ndërsa edhe një herë kanë konfirmuar pritshmëritë e trajnerëve të moshave të Milan që i përzgjodhën gjatë edicioneve të “Milan Junior Camp” në Tiranë, Prishtinë e Mitrovicë. Një mundësi e artë për të evidentuar talentin në sytë e skautëve të skuadrës kuqezi italiane, por edhe të ekipeve të tjera, të pranishëm në të gjitha ndeshjet e turneut të “Milan Day”. Por kjo është vetëm një anë e medaljes. Tjetra i përket emocioneve që ofron rasti, që vjen vetëm një herë në jetë: të veshësh fanellën dhe të ndjehesh pjesë e një prej skuadrave më të mëdha të historisë së futbollit. E kanë përjetuar këtë 5 fëmijët e edicionit të pestë të “Milan Junior Camp” në Shqipëri dhe 10 të dalë nga dy edicionet e para zhvilluara në Kosovë, të cilët kanë zënë edhe një vend nderi në “Milan Day 2012”. Por qërshia mbi tortë e kësaj eksperience, kulmi i emocioneve për të gjithë futbollistët e vegjël ishte të shihnin nga afër dhe në tempullin e futbollit italian “San Siro”, idhujt e tyre të Milan në ndeshjen e kundër Kievos të mbyllur me fitoren 5-1 të kuqezinjve. Vitin e ardhshëm të tjerë fëmijë nga Shqipëria dhe Kosova do të kenë mundësi të jetojnë këtë ëndërr. Grupi “Taci Oil” dhe Milan e kanë kthyer në traditë “Milan Junior Camp”, një projekt gjigand ku protagonistë janë vetëm fëmijët.