Tirana, përballë misionit “Kukësi 3”

505
Sigal

Bardheblutë janë pranë një eliminimi historik në Kupë. Sot përcaktohen tetë çerekfinalistët

Tirana është shumë pranë një eliminimi të pazakontë në Kupën e Shqipërisë. Asnjëherë më parë ajo nuk është ndodhur në këtë situatë, kur mund të dalë jashtë loje qysh në turin e dytë eliminator të kompeticionit. 15 herë fituesve të Kupës dhe mbajtësit në fuqi të trofeut u duhet të përmbysin një dizavantazh 0-4 me Kukësin të arritur në ndeshjen e parë. Një mision thuajse i pamundur, nisur edhe nga fakti, se vetëm tri ditë më parë, kuksianët fituan 2-1 në “Qemal Stafa” (për kampionat) dhe renditen katër vende më mirë se bardheblutë në Superligë. Gjendja psikologjike në kampin bardheblu është e rënduar dhe këtë e pranoi dhe trajneri Alban Tafaj. Tirana e këtij sezoni, të paktën për momentin duket e dështuar, dhe këtë në një farë mënyre e pranojnë dhe drejtuesit. Tre trajnerë në nëntë javë: Hulian Rubio, Artur Lekbello dhe Alban Tafaj; vetëm tre fitore me tre nga katër ekipet që mbyllin renditjen, me një krizë besimi dhe të rënduar psikologjike, me një grup lojtarësh të paimpenjuar dhe tërësisht jashtë formës. Është për të ardhur keq që, klubi më i titulluar në Shqipëri, të “notojë” në këtë situatë kaorike. Tirana ishte e vetmja nga të katër skuadrat shqiptare që morën pjesë në kompeticionet europiane, që kaloi një tur, pavarësisht se eliminoi luksemburgasit modestë të Grevenmaherit, ndërkohë që Skënderbeu, Flamurtari dhe Teuta dështuan. Kur bardheblutë fituan me Skënderbeun në finalen e Superkupës (me spanjollin Hulian Rubio në bankinë), shumëkush besoi se pas tre sezonesh pa titull (dy të fituar nga Skënderbeu dhe një nga Dinamo), Tirana do të luftonte fort për trofeun e 25-të, për ta thelluar edhe më shumë rekordin. Por, pas nëntë javësh kampionat, Tirana ndodhet në vendin e shtatë (tetë pikë larg Skënderbeut kryesues) dhe thuajse e eliminuar nga Kupa e Shqipërisë (humbi ndeshjen e parë 4-0 me Kukësin). Nuk është turp të të mundë kampioni Skënderbeu, dhe as debutuesi Kukësi, por mënyra sesi po rrjedhin gjërat te Tirana janë një sinjal alarmi për reflektim të thellë. A do të gjejë forca Tirana për të përmbysur rezultatin e thellë 0-4? Këtë do ta tregojnë 90 minutat apo dhe më shumë në “Qemal Stafa”. Në ndeshjet e tjera, Skënderbeu duket se nuk do ta ketë problem kualifikimin me Kamzën, dhe po ashtu Kastrioti me Apoloninë. Për përmbysje të rezultatit kanë nevojë Vllaznia kundër Shkumbinit, Besa kundër Flamurtarit si dhe Bylisi ndaj Luftëtarit. Teuta-Lushnja dhe Laçi-Tomori i mbyllën në barazim pa gola ndeshjet e para midis tyre.