Filmi “Shkallët” një film për 100-vjetorin

1157
Sigal

INTERVISTA/ Flet regjisori dhe producenti i filmit “Shkallët”, Ilir Harxhi: Artan Minarolli penalizon padrejtësisht krijuesit

Problemet e shumta që ka sot shoqëria shqiptare janë të shumta. Është mirë që në të gjithë kinematografinë shqiptare të zënë vend filma me karakter social. Në Festivalin e 13-të të Filmit këta filma zënë vendin kryesor. Si duket filmi është më pranë halleve, shqetësimeve që ka populli.

Një film me temë sociale. Pse zgjodhët këtë temë?

Unë zgjodha këtë skenar jo më kot. E zgjodha se sot në Shqipëri ka një “bum”, ndërtimesh dhe mund të them me plot bindjen se mund të zëmë vend të parë në Ballkan për frymë të popullsisë për ndërtime banesash. Shihen ndërtime nga më të ndryshmet, që nga shtëpitë e thjeshta, pallate shumëkatësh, vilat, duke përfunduar edhe tek gradaçelat. Ka ndërtime shumë cilësore, por edhe shumë të tjera që për nga cilësia vlejnë për të dëshiruar.

Subjekti filmit këtu përmblidhej në një pallat i ndërtuar pa kritere, pa parametrat që kërkon koha…

Po është e vërtetë. Subjekti i filmit tregon që një pronar ndërtimesh, i etur për fitime të mëdha, shfrytëzon në maksimum hapësirat për të pasur shumë hapësira të shitshme dhe duke lënë sa më pak hapësira për shkallët dhe për ashensorë. Korridoret e shkallëve janë shumë të ngushte që mezi kalojnë dy njerëz jo më mobilje. Në një nga hapësirat e pambaruara për ajrim pronari rrëzohet dhe humb jetën. Problemi ishte që më pas nuk mund të nxirrej arkivoli me trupin e tij. Pra, është një subjekt që ka shumë të vërteta brenda. Ndaj mendoja se do ishte me shumë interes të vihej në skenë?

“Pse e titulluat “Shkallët”

Pasi pjesa më e madhe e filmit realizohet në shkallë. Nga  ato shkallë u rrëzua pronari dhe në ato shkallë do të zbriste arkivoli i tij. Pra, thuajse drama zhvillohet aty.

Ky është një film artistik me metrazh të shkurtër? Si u zgjodhën aktorët?

Po. Mbasi u vendos përfundimisht skenari erdhi momenti për përzgjedhjen e aktorëve. Aktorja e parë ishte Margarita Xhepa. Ajo e pranoi pasi e lexoi skenarin. Unë isha dhe regjisori dhe producenti. E krijova stafin, por më duhej një personazh kryesor që ishte infermierja. Kontakte të shumta kisha pasur me aktore, por nuk vendosja dot. Doja diçka të veçantë. Në atë kohë vajza ime u zgjodh Miss Albania dhe ajo kërkohej në Prishtinë se po zhvillohej Miss Kosova dhe duhej të ishte aty në Juri. Ishte dhjetor i vitit 2007. Kur mbërritëm me aeroplan në Prishtinë që natën e parë takova Agnesa Vuthaj. Sa e pashë mendova se kjo është e duhura. Ajo e pranoi rolin, por më tha që nuk më pëlqen skena me puthje. Ajo është puthje artistike i thashë dhe ke për ta parë që gjatë xhirimeve, seksi është gjëja e fundit që do mendosh. Dhe ashtu ishte.

Aktorët ja dolën mbanë?

Po. Plotësisht. Madje mund të them se ishin mbi parashikimet e mia.

Cili ka qenë emocioni më i madh i këtij filmi?

Nga emocionet e veçanta që lidhet me filmin “Shkallët” gëzimi më i madh ka qenë kur çova filmin në Francë dhe mora Çmimin e Dytë nga pesë mijë filma që ishin me përzgjedhje. Nga 25 filma që ishin në konkurrim, unë dola i dyti. Të gjitha mediat e pasqyruan këtë çmim. Çmimin e Parë e mori një slloven.

Jo morët një çmim edhe në Festivalin “Shqip Film  Fest”  të zhvilluar në Pejë…

Gjej rastin të falënderoj gjithë organizatorët e këtij eventi. Nga pesë çmimet një çmim e mori filmi im. Ndërsa aktorja më e mirë u cilësua Margarita Xhepa.  Ky ishte çmimi i katërt Ndërkombëtar. Çmimi i parë ka qenë në Francë, i dyti në Maqedoni, i treti në Film Festival 2008.

Keni ndonjë skenar tjetër në dorë?

Unë kam jo një, por tre skenarë, një me Pëllumb Kullën një tjetër me Petit Rukën, etj… Por mendoj se sa të jetë Artan Minarolli në krye të QKK, ato do të ngelën në sirtar.

Pse?

Për shumë arsye, por kryesorja është se ai ka ndryshuar rregulloren për paraqitjen për konkurs, për aprovim të filmit nga QKK. Një nga këto pika është që patjetër regjisori duhet të ketë diplomë për regji.

Me sa di unë filmi që keni sjellë për konkurs e keni realizuar me Artan Minarollin?

E vërtetë. Minarolli ishte skenarist. Skenari u miratua nga bordi i QKK-së kur nuk ka qenë Minarolli drejtor. Patëm një bashkëpunim shumë të mirë deri atëherë.

Kur jeni ndjerë më keq në vlerësimet e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë (QKK)?

E kam pasur në konkursin për filmin e shkurtër. Në këtë konkurs  paraqitën 12 projekte   midis të cilëve edhe unë paraqita një projekt jo fizikisht. Çuditërisht filmi im nuk u pranua, besoj padrejtësisht se e di se çfarë filmi ishte.

Ku u binde për këtë?

Pasi mbas bisedës ne Kryetarin e bordit Teodor Laço ai më tha se e vetmja mangësi ishte minutazhi i gjatë. Ndoshta kjo vjen edhe sepse  në QKK dhe votimi që bëhet për projektet filmike ka një mënyrë jo të rregullt. Pra sot votimi nuk bëhet i drejtpërdrejtë për çdo projekt  dhe jo me pikë të fshehta pa shkruar as emrin e votuesit. Personalisht mendoj se kjo mënyrë konkurrimi, nuk është aspak demokratike, aspak e lirë pasi lihet shteg për abuzime. Mënyra e dikurshme në mënyrë të drejtpërdrejtë ishte më transparente, më e rregullt, më demokratike që shmangte shumë të fshehta.

Ju dikur keni bashkëpunuar me Artan Minarollin. Pse ky divorc?

Divorcin e ka bërë vetë z. Minarolli, ku dhe pse kemi bashkëpunuar, kur erdhi Drejtor i QKK, e ndërroi rregulloren duke vënë si kusht që regjisori të kishte diplomë vetëm për regji që të konkurronte në QKK, kur e dinte që unë s’e kisha dhe rregullorja e parë nuk e kishte këtë kusht. Vazhdimisht kam çuar projekte në QKK me kohëproduksion, me vlerë 40 për qind dhe kjo, por Minarolli bën rregullore sipas qejfit duke na penalizuar padrejtësisht.

Ju jeni totalisht kundra rregullores së Minarollit?

Jo për të gjithë rregulloren. Konkretisht  jam kundra disa nga pikat që ai ka nxjerrë në rregulloren e projekteve, ashtu si jam kundër pikës që përjashton nga projektet ata që nuk kanë diplomë të mirëfilltë regjisori. Kjo s’do shumë koment. Kështu mund të përjashtohen  nga konkursi me projekte shumë emra me vlera të cilët nuk kanë studiuar për regjisorë, por që i kanë dhënë këtë emër që ka sot QKK-së.