Merkatoja “monstër” e Parisit, UEFA nis hetimet

86
Paris St. Germain nuk i mjafton “maskimi” i operacionit në merkato, që solli në kryeqytetin francez Mbappe nga Principata e Monakos në formë huazimi me të drejtë blerjeje.
UEFA ka nisur tashmë hetimet formale në lidhje me dyshimet për shkeljen e mundshme të rregullit të “Fair Play”-t financiar.
“Hetimi do të përqëndrohet mbi pajtueshmërinë e barazimit të bilancit, – komunikon organizmi qeverisës i futbollit europian, – veçanërisht pas transferimeve të fundit në këtë merkato verore”.
Një epilog i paevitueshëm ky për ekipin nga “Parc des Princes”, e madje i nevojshëm pas merkatos së frikshme të bërë nga Parisi, që bleu Neymarin nga Barcelona për shumën prej 222 milionë eurosh, ndërsa në ditën e fundit kompletoi edhe huazimin e Mbappe nga Monako, për të paguar vitin e ardhshëm plot 180 milionë euro.
“Muajt e ardhshëm, Komiteti i Inspektimit financiar të klubeve të UEFA-s do të mblidhet si rregullisht për të vlerësuar me kujdes të gjithë dokumentacionin përkatës mbi këtë rast. UEFA i qëndron besimit se, rregulli i ‘Fair Play’-t financiar është një sistem fundamental për të siguruar qëndrueshmërinë financiare të futbollit europian”, përfundon komunikata e publikuar nga UEFA.