Mërgim Mavraj: “Po vuajmë nga gabimet tona”

499
Sigal

Skuadra e kapitenit shqiptar të Grojther Furthit nuk fiton prej dhjetë ndeshjes në Bundesligën gjermane

Kapiteni shqiptar i Grojther Fyrthit, nuk ka humbur asnjë minutë gjatë këtij fillimsezoni të Bundesligës 1 gjermane, duke u aktivizuar në të 12-ta ndeshjet. Mbrojtësi i Kombëtares analizoi gjatë një interviste të gjatë për faqen zyrtare të Bundesligës, Bundesliga.de, ecurinë jo të mirë të skuadrës së tij, përfshirë dhe humbjen e radhës me Borusian e Dortmundit. Kjo ishte ndeshja e dhjetë pa fitore e Grojther Fyrthit. Mavraj thotë se, skuadra duhet të luajë me guxim dhe besim në derbin kundër Nurembergut në fundjavë.

– Zoti Mavraj, humbja me Borusian e Dortmundit ishte mjaft e qartë. A e gjykoni dhe ju të tillë?

– Ishte një fitore e merituar e Dortmundit. U duk qartë, se përse dortmundasit kanë qenë gjatë dy viteve rresht aq lartë në renditje, dhe tani javë pas jave po e tregojnë atë. Është shumë e vështirë të përballosh sulmin e tyre. Ata e shfrytëzojnë në maksimum çdo gabim. Ne e dinim që, në këtë ndeshje nuk mund të pretendonim shumë. Por, megjithatë, ne u përpoqëm sa ishte e mundur, që të mos dilnim pa pikë.

– Çfarë nuk funksionoi realisht?

– Është e vërtetë që, ne e arritëm barazimin. Por, nuk arritëm ta mbronim dot atë. Ne i pësuam dy golat e tjerë me shumë lehtësi. Dhe ta bësh këtë në atë stadium dhe kundër një ekipi të atillë, është më të vërtetë shumë e rëndë. Ne pësojmë shumë shpejt gola. Ata janë dhe faji unë.

 – Fyrthi pret prej dhjetë ndeshjes të arrijë një fitore. A ju nervozon pritja kaq e gjatë?

– Natyrisht, nuk është aspak mirë, kur nuk fiton prej një periudhe kaq të gjatë. Një rezultat pozitiv do të na bënte më të sigurt në lojën tonë. Nga ana tjetër, mund t’i konsiderojmë tre barazimet në ndeshjet e fundit, edhe si një sukses. Edhe në humbjen në shtëpi kundër Gladbahut, ne bëmë një lojë të mirë, por fatkeqësisht ne nuk fituam. Për ne tani është e qartë që, Bundesliga është tepër e vështirë. Gjithsesi, në këtë situatë ne duhet të ruajmë qetësinë dhe të punojmë më tej. Rezultatet do të vijnë. Unë jam i bindur për këtë.

 – Fyrthi është pas Hofenhajmit ekipi i dytë që ka pësuar më shumë gola në Bundesligë. A e keni tani qëllim primar, që mbrojtja të funksionojë më mirë, madje dhe të mos pësojë gola?

– Të mos pësojë gola një ekip është thuajse e vështirë. Sa më gjatë të mos pësojmë gola, aq më shumë besim do të krijohet te ekipi. Nëse ti pëson gola shumë shpejt, si ato kundër Frankfurtit dhe Dortmundit, atëherë të duket një punë mamuthësh e kundërta. Për ne si ekip është shumë e rëndësishme, që ta ruajmë sa më gjatë të paprekur portën.

– Ndeshja e radhës është ajo kundër Nurembergut, pikërisht Fyrth. Një derbi që vjen në kohën e duhur, për të lënë shenjë, apo jo?

– Do të jetë një ndeshje klasi. Një derbi vjen gjithmonë në kohën e duhur dhe është gjithmonë i mirëpritur. Natyrisht, ne presim që të luajmë shanset tona.

FEDERATA GJERMANE KRYQËZON XHERDANSHAQIRIN PAS PËRSHËNDETJES USHTARAKE

Federata Gjermane e Futbollit u tërhoqi vëmendjen mesfushorit kosovar, Xherdan Shaqirit dhe sulmuesit kroat, Mario Mandzukiç, në lidhje me festimet e tyre të tejkaluara në gjeste, kur Mandzukiç shënoi golin 1-0 të Bajernit të Munihut në ndeshjen kundër Nurembergut. Kroati Mandzukiç shënoi pas vetëm tri minutash lojë, ndërkohë që festoi me krahun e djathtë të shtrirë lart, çka të kujtonte përshëndetjen naziste të kohës së Adolf Hitlerit, apo lëvizjes “Ustash” në Kroaci. Pranë tij u afrua dhe Xherdan Shaqiri, por kosovari festoi me gjeste nderimi si ushtarak. Mediat gjermane aluduan se, përshëndetja e Mandzukiçit isthte një përshëndetje ndaj gjeneralëve kroatë Ante Gotovim dhe Mladen Markaç, të cilët u liruan nga akuzat për genocid nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës. Të dy lojtarët e mohuan se, përshëndetja e tyre kishte ngjyrim politik. Gjithsesi, Federata Gjermane e Futbollit, reagoi duke i adresuar një letër dy lojtarëve të Bajernit, ku u sugjerohej që herë tjetër të hiqnin dorë nga ai lloj festimi, për të shmangur kështu keqinterpretimet. Presidenti i Bajernit, Karl-Heinc Rumenige deklaroi se, të dy lojtarët ia kishin bërë të qartë, se gjesti i tyre nuk ishte i motivuar politikisht.

KLODIAN DURO: JA PSE PO VUAN TIRANA

Mesfushori i Tiranës, Klodian Duro, u tregua shumë kritik dhe i drejtpërdrjtë në lidhje me situatën që po kalon klubi kryeqytëtas. “Tirana e nisi kampionatin pa trajner, sepse ai që ishte, Rubio, pavarësisht se ishte një specialist, në atë periudhë nuk mendoi për Tiranën, por për veten e tij. Të mendosh për Tiranën do të thotë të bashkëpunosh me klubin dhe të mbyllësh kontratën, gjë që ai nuk e bëri. Ai pa interesin e tij dhe zgjedhjet duhet t’i bënte përpara, jo t’i linte në minutën e fundit. Për dy ditë që mbeti nga merkato dhe për t’i bashkëngjitur ekipit lojtarë cilësorë ishte shumë vonë. Të nisësh kampionatin në këto kushte do të thosha që është shumë e vështirë dhe futbollistët e Tiranës janë heronj. Ne na kërkohet të fitojmë titullin dhe të dalësh kampion të gjitha instancat e klubit duhet të funksionojnë në të njëjtën mënyrë dhe në të njëjtën kohë. Unë nuk pres që presidenti i klubit që është kryetar i Bashkisë së Tiranës të vijë e të merret personalisht me ekipin, por ai ka vënë njerëzit e duhur, një administrator që pavarësisht se nuk është njeri i sportit, është për administrimin e parave të klubit”, – tha Duro gjatë “Procesit Sportiv”. “Edhe gjetja e trajnerit po nga ky grup specialistësh që duhet të kontribuonin për ta ngritur Tiranën siç ata e mendonin, bënë zgjidhjen e gabuar. Nuk mund të nisesh nga emri, thjesht se ka luajtur me këtë skuadër. Nuk mund të ecet më me këtë ide që ka qenë lojtar i madh i Tiranës dhe të bëhet trajner. Mendoj se pasojat e këtyre lëvizjeve të gabuara që u bënë nga këta njerëz, të cilët janë të bordit dhe kishin detyrën të merreshin me merkaton, Sulejman Mema dhe Indrit Fortuzi, nuk kanë pse t’i vuajnë lojtarët dhe ekipi i Tiranës sot”, – përfundoi ish-lojtari i Kombëtares.