Kukësi “mbyt” Teutën në Durrës, e mund pa shumë mundime 3-0

564
Sigal

Kryendeshja e javës Tirana-Skënderbeu luhet në “Qemal Stafa”

Teuta-Kukësi: Dje u luajt ndeshja e parë e javës së 16-të e Superligës me Teuta-Kukësi që u mobilizuan para të gjithave në ndeshjen e djeshme. Gjithçka shkoi mirë për kuksianët që ia dolën të fitojnë me shumë lehtësi në fushën e durrsakëve, duke e mbyllur ndeshjen që në pjesën e parë, 3-0. Sigurisht që kjo ishte fitorja që i duhej skuadrës së Kukësit, që ndodhej në një situatë jo shumë të mirë e në qoftë se edhe këtu nuk do të kishte marrë maksimumin e pikëve, situata do të ishte ndërlikuar edhe më për të besuarit e Artim Shaqirit. Në fakt u vu re që në fillim të ndeshjes se futbollistët kishin ardhur me qëllimin për të fituar, ndryshe nga futbollistët e Teutës që dukeshin si pa busull brenda në fushën e tyre dhe kujtojmë që brenda harkut kohor të një jave, kanë pranuar në portën e tyre plot 6 gola. Duke parë ecurinë javë pas jave të Kukësit, vihet re se është një skuadër që ka ulje ngritje pothuaj drastike, duke mos mundur të mbajë të njëjtin ritëm në më shumë se dy ndeshje rresht, por edhe një tjetër fakt penalizues për kuksianët është se akoma nuk e kanë treguar veten përballë skuadrave të mëdha, si ndaj Partizanit, Skënderbeut apo Tiranës, duke lënë pikë gjithmonë, diçka që nuk i lejon të jenë përpara në renditje ndaj skuadrave të tjera rivalizuese për titull. Fitorja e djeshme e vë në vendin e dytë të renditjes, me plot 32 pikë, duke lënë pas vetes Skënderbeun që ka 30 pikë. Në fakt, për Kukësin, që të mbante këtë pozicion do ti ishte e nevojshme një barazim i Tiranës dhe Skënderbeut sot, pasi përsëri të dyja skuadrat do të ngelnin në -1 pikë ndaj verilindorëve. Ndeshja e djeshme, rikonfirmoi edhe një herë si golashënuesin më të mirë të Superligës, sulmuesin kuksian Pejiç që me dy golëshin e djeshëm shkon në 9 të tillë në kampionat, duke pasur pas vetes Bakajn me 5 gola. Ndërkohë sot do të “ftohen” në fusha të gjitha skuadrat e tjera, pasi asnjë takim nuk është lënë për ditën e diel. Takimi më interesant i ditës së sotme sigurisht që është ndeshja mes Tirana-Skënderbeu, ndeshje që do të luhet në “Qemal Stafa” dhe jo në “Elbasan Arena”. Ky takim është thjeshtë i paparashikuar, pasi takohen dy skuadra që synojnë titullin por edhe që ruajnë të njëjtin nivel loje. Në fakt, kjo ndeshje do të vërë në provë forcën e secilës skuadër, pasi kujtojmë që ndeshja do të luhet në një fushë asnjanëse e për më tepër pa tifozë. Ky është një nga ata takimet e drejtpërdrejta që lejon një skuadër të ecë përpara, ndërsa tjetra humbet terren, si në aspektin e pikëve ashtu edhe nga ana psikologjike. Kujtojmë që humbja që Tirana pati ndaj Partizanit mund të jetë një faktor që ndoshta ndikon negativisht tek kjo skuadër, por që gjithsesi janë të detyruar të harrojnë çdo gjë që ndodhi ditën e të hënës, për tu përqendruar vetëm tek tre pikët e sotme, ndaj një prej skuadrave më të forta në kampionat. Ndërkohë që Skënderbeu nga ana tjetër luan vetëm për të dërguar në dy, numrin e fitoreve rresht. Kujtojmë që janë dy nga skuadrat që përbëjnë katërshen “fantastike” të këtij viti në kampionat, bashkë me Kukësin që fitoi dje dhe me Partizanin që do të ketë përsëri një ndeshje të vështirë me Flamurtarin sot, si ajo ndaj Tiranës. Në fakt kjo është një provë shumë e fortë për skuadrën kryesuese, pasi i duhet të kalojë vlonjatët që pavarësisht formës jo të mirë, e kanë cilësinë për të mundur çdo skuadër në kategori. Ndërkohë që dy takimet tjera luhen për skuadrat e fundit të renditjes (Apolonia-Elbasani) dhe mesit të renditjes (Vllaznia-Laçi). Sigurisht që ndeshje më e vështirë dhe më e bukur cilësohet Vllaznia-Laçi, ku shkodranët sot kanë mundësinë të “hakmerren” ndaj kurbinasve për atë humbjen në fazën e parë, dhe ta dërgojnë në katër numrin e fitoreve rresht. Sigurisht që kjo është një ndeshje shumë e ekuilibruar, pasi janë dy skuadra që po gëzojnë një formë shumë të mirë, e sidomos Vllaznia, prandaj çdo rezultat është i pranueshëm në këtë ndeshje, për të dyja skuadrat. Takimi i fundit për sot do të jetë ai i orës 16:00 mes Apolonisë dhe Elbasanit, takim që luajnë dy skuadrat e fundit në renditje që fitoret i kanë sa të nevojshme aq edhe të pamundura, pasi çdo ditë e më shumë po konfirmohen si më të rrezikuarat për ta lënë Superioren sezonin e ardhshëm.

Dje

Teuta-Kukësi                  0-3

Sot

Vllaznia 13:00 Laçi

Tirana   13:00 Skënderbeu

Apolonia 16:00 Elbasani

Flamurtari 16:00 Partizani

Kategoria e Parë/ Tërbuni luan sot për të vënë në “rresht” grupin A

 Sot luhen 10 ndeshjet e javë së 10-të të Kategorisë së Parë, me të gjitha skuadrat e angazhuara në takimet që do të luhen në të njëjtin orar, 13:30. Në fakt ky sezon i kësaj kategorie ka treguar se ndeshjet e bukura dhe rivaliteti nuk ekzistojnë vetëm në Superligë, por edhe në ato liga që vijnë më pas. Situatat në të dyja grupet kanë rritur nivelin e lojës për të gjitha skuadrat, ku është e vështirë të gjesh një skuadër, sidomos në grupin B, që nuk mund të rivalizojë tjetrën, qoftë edhe nëse ndeshen vendi i parë me të fundit. Deri më tani janë disa skuadra në grupin B që rivalizojnë për titull, ndërsa në grupin A tre vendet e para janë “hipotekuar” me meritë të plotë nga vetëm tre skuadra, duke i lënë të tjerat gjithmonë e më pas. Kjo vjen si pasojë e rezultateve shumë të mira dhe gabimeve të pakta që kanë bërë gjatë të gjitha javëve, ku si Tërbuni që kryeson, ashtu edhe Besëlidhja dhe Mamurrasi kanë treguar potencial të lartë dhe se janë gati të ngjiten një kategori më sipër. Diçka e tillë nuk mund të thuhet për skuadrat e grupit tjetër, pasi janë të gjitha që rivalizojnë me njëra-tjetrën, kjo ndodh edhe sepse skuadrat kanë shpërdoruar shumë ndaj njëra-tjetrës, dhe nuk pas pasur një skuadër që të ketë mbajtur një ecuri pozitive në mënyrë të vazhduar. Po të shohim në renditjen e skuadrave të grupit B vendi i parë me vendin e fundit kanë 10 pikë diferencë, ndërsa në grupin A kanë plot 19 pikë, e kjo është një tregues mjaft i qartë për ecurinë në secilin grup. Sot ka takime shumë të forta në të dy grupet, ku në A Tërbuni do të presë në shtëpi Besën e duke parë rezultatet e fundit dhe renditjen, nuk duket shumë e vështirë që vendasit të korrin një tjetër fitore, fitore që do të bëhej pengesa e radhës për Besëlidhjen në synimet për renditjen. Kjo e fundit e ka testin e radhës ndaj skuadrës së Burrelit, që për hir të së vërtetës nuk duhet të përbëjë problem, por përsëri është fusha ajo që thotë të fjalën e fundit. Ndërkohë që Mamurrasi luan në shtëpi sot ndaj Kastriotit,  nuk pritet të ketë vështirësi për të marrë fitoren e dytë rresht, pas asaj me Besëlidhjen javën që shkoi. Ndërkohë që në grupin B, situata sot është e ndryshme, pasi janë të shumta skuadrat që mund të ndërrojnë pozicionet në mes tyre pasi nga vendi i pestë që është Dinam, e deri në vendin e parë që e mban Sopoti, diferenca është thjeshtë 3 pikë. Situata sigurisht që mund të ndryshojë, pasi Sopoti ka një ndeshje të vështirë në Sarandë, ndeshje që po e fitoi, do i jepte përparësi ndaj të tjerave, pasi fiton ndaj një kundërshtari direkt, ndërkohë që Lushnja e vendit të dytë luan me Bylisin e vendit të tetë, që edhe pse kanë kaq shumë diferencë në pozicione, në pikë janë po tre pikë. Sot do të provojë fatin e vet edhe Dinamo që pret në shtëpi Luftëtarin, e këtu fitorja është e detyrueshme për kryeqytetasit nëse duan që të jenë deri në fund pjesë e “ëndrrës” që e kanë përjetuar shumë herë, Kategoria Superiore.

Grupi A

Tërbuni-Besa

Veleçiku-Kamza

Ada-Iliria

Burreli-Besëlidhja

Mamurrasi-Kastrioti

Grupi B

Dinamo-Luftëtari

Lushnja-Bylis

Butrinti-Sopoti

Shkumbini-Tomori

Naftëtari-Pogradeci