Kosta Rika shokon Italinë, Franca tallet me Zvicrën

452
Sigal

Eliminohet Anglia. Turpërohet Zvicra e shqiptarëve, por shënon shqiptari Blerim Xhemaili

Kosta Rika mposhti Italinë (1-0), ndërsa Franca masakroi Zvicrën (5-1), duke prerë nga një biletë për 1/8-t, ndërkohë që fati i italianëve e zviceranëve do të vendoset në ndeshjet e fundit, respektivisht ndaj Italisë dhe Hondurasit. Në një ndeshje me shumë ritëm, Franca shënoi dy gola në harkun e dy minutave. Olivier Zhiru shënoi një gol të bukur me kokë, pas një goditje këndi në minutën e 17-të – goli i 100-të i Francës në Kupën e Botës-  ndërsa në të 18’, një pasim i gabuar i Valon Behramit në drejtim të Karim Benzemasë, i dha këtij të fundit mundësinë për të pasuar për Blez Matuidi, i cili nuk fali. Benaljo i mohoi penalltinë Benzemasë në minutën e 32-të, dhe topin e rikthyer në lojë Johan Kabaje shpërdoroi duke goditur shtyllën horizontale. Tetë minuta më vonë, Franca shënoi golin e tretë me anë të Matieu Valbuenës, pas një kundërsulmi të shpejtë kombinativ. Në minutën e 67-të ishte radha e Karim Benzemasë të shënonte golin e katërt. Sisoko pasoi për Pogbanë, ky i fundit dha një asist për Benzemanë, i cili në limitet e pozicionit jashtë loje ia kalon tolin midis këmbëve Benaljos. “Gijotina” franceze vazhdoi me golin e 5-të me anë të Sisokos në të 73’, pas një asisti të Benzemasë (i dyti në këtë ndeshje). 5-0! Zvicra e shqiptarëve është dorëzuar plotësisht. Gjithsesi, shqiptari nga Maqedonia, Blerim Xhemaili, i hyrë në fushë si zëvendësues shënoi golin ngushëllues me një goditje të bukur, duke u bërë kështu shqiptari i dytë që shënon në Botëror pas Admir Mehmedit (realizoi kundër Ekuadorit). Në takimin e orës, 18:00, Kosta Rika fitoi 1-0 me Italinë, duke siguruar kalimin për në turin tjetër. Një minutë para mbarimit të kohës së  rregullt të pjesës së parë kapiteni i Kosta Rikës, Ruiz, shënon. Teknologjia hyn në punë edhe në këtë rast, pasi kalimi i vijës fatale të portës së Bufonit nga topi nuk dukej me sy të lirë. Të mundësh Uruguajin dhe Italinë do të thotë shumë, më tepër se kualifikim në 1/8 finale të Botërorit. Kjo është Kosta Rika, e cila vetëm një herë në histori ka arritur deri më tani ta kalojë fazën e grupeve në vitin 1990. Një realitet thuajse i përmbushur edhe kësaj here, me lojë bindëse dhe rezultate pozitive. Dy ndeshje, dy fitore, 6 pikë, që i mundësojnë kreun e Grupit D skuadrës së trajnerit Pinto. Situata bëhet kritike për Italinë, që gjendet në kuotë pikësh të barabarta me Uruguain. Përplasja direkte mes tyre do të vendosë, sipas të gjitha gjasave, edhe skuadrën që do të përparojë më tej në këtë kompeticion. Kosta Rika veniti përfundimisht shpresat e anglezëve, me të cilët do të luajë ndeshjen e tretë në grup. Anglia u eliminua zyrtarisht nga Kampionati Botëror, edhe pse “tre luanët” kanë edhe një ndeshje për të luajtur, pikërisht me Kosta Rikën, me këtë të fundit që i nxori jashtë “Brazil 2014”, pas fitores shokuese ndaj Italisë (1-0). Kjo është hera e parë që, Anglia eliminohet në grup qysh nga viti 1958.

 Boatengu kundër Boatengut

 Gjermani-Ganë ka dhe një duel brenda saj. Madje shumë të veçantë. Dy vëllezërit ganezë Boateng do të përballen kundër njëri-tjetrit. Ashtu siç bënë edhe në Botërorin e vitit 2010. Zherom Boateng luan me Kombëtaren gjermane, ndërkohë që vëllai tij, Kevin-Prins Boateng luan me Ganën. Vendin e tij. Të dy kanë lindur në Gjermani, kanë baba të njëjtë, por nëna të ndryshme. Zherom Boateng ka zhvilluar 41 ndeshje me Gjermaninë, ndër Kevin Prins ka 25 ndeshje me Ganën.

 Tre parashikimet e ndeshjeve të sotme

  Kompanitë më të mëdha të basteve parashikojnë fitoret e Argjentinës ndaj Iranit, Gjermanisë me Ganën dhe Bosnjës me Nigerinë. Kështu, fitorja e Argjentinës ndaj Iranit parashikohet me koeficientin 1.13 kundrejt 21.09 të iranianëve (barazimi 8.74). Fitorja e Gjermanisë është parashikuar me koeficientin 1.31 kundrejt 9.73 të Ganës (barazimi 5.51). Edhe fitorja e Bosnjës ndaj Nigerisë kuotohet 1.89. Fitorja e Hondurasit është kuotuar me 4.24. Barazimi është 3.46.

Parashikimet e basteve 1X2

18:00 Argjentinë-Iran      1.13  8.74 21.09

21:00 Gjermani-Ganë       1.31  5.51 9.73

00:00 Nigeri-Bosnjë       4.24  3.46 1.89

Parashikimet e “Telegraf”

18:00 Argjentinë-Iran      (fiton Argjentina)

21:00 Gjermani-Ganë       (fiton Gjermania)

00:00 Nigeri-Bosnjë       (barazim)

Partizani bën goditjen e radhës, firmos sulmuesi serb

 Stefan Raçiç: “Dua titullin në Shqipëri”

 Stevan Raçiç është blerja e radhës e Partizanit, me të kuqtë që vazhdojnë intensivisht punën për kompletimin e grupit të ri. Sulmuesi serb firmosi për një sezon me 15 herë kampionët. Lojtari shtatlartë, 193 cm, vjen nga ekipi serb Javor Ivanjica. 30-vjeçari ka veshur fanellën e disa klubeve në Serbi përpara se të bashkohej me Ivanjican në vitin 2006. Ai e ndihmoi këtë skuadër që të ngjitej në Superligën e Serbisë në vitin 2008. Pas një sezoni në ligën e më të mirëve në Serbi, ai u transferua te koreanojugorët e Daejeon në vitin 2009, por aventura në Azi u mbyll brenda pak muajsh dhe sulmuesi u rikthye sërish në Serbi.

RAÇIÇ

Gjatë prezantimit të tij, Raçiç, u shpreh se kishte ardhur në Shqipëri, për të fituar tizullin. “Shpresoj që të arrij titullin kampion me skuadrën e Partizanit në sezonin e ardhshëm. Jam bindur të bëhem pjesë e këtij ekipi për këtë objektiv dhe besoj se do t’ia arrijmë”, – tha sulmuesi me një eksperiencë mbi 12 vjeçare në futbollin e luajtur. “Normalisht që e di se Partizani është një klub i madhe këtu në Shqipëri do të jap maksimumin tim. Mezi po pres të fillojë kampionati që të shënojë sa më shumë gola për këtë skuadër”, – shtoi serbi Raçiç, i cili në karrierën e tij ka luajtur me Novi Sadin, Shakash Kovilj, CSK Pivara, Obliç, Çelik, Volin Lutsk, Naprodak dhe Javor Ivanjica, më këtë të fundit luajti në sezonin 2003-2014, duke realizuar 1 gol në 11 ndeshje.

DURO – Trajneri Shpëtim Duro dha vlerësimet e tij për blerjen e re. “Sa i takon Raçiç është një lojtar të cilin e kam parë vetë dhe kam dashur ta kem në skuadër. Gjatë përgatitjeve të janarit kemi qëlluar në të njëjtin vend në fazën përgatitore. Raçiç ka qenë aty me skuadrën e Javorit ndërsa unë me Shkëndijën. E kam ndjekur dy ndeshje miqësore dhe është një lojtar më përvojë. Ka luajtur në ligën serbe dhe jam i bindur se është një futbollist i cili do t’i shërbejë shumë skuadrës. Normalisht që presim edhe një tjetër sulmues, pasi të paktën në skuadër duhet të jenë dy sulmues, ndoshta me karakteristika të ndryshme dhe jemi në pritje përsëri për afrimin e një lojtari.

BLERJET – Në fakt, më të me Partizanin kanë firmosur disa lojtarë, por asnjë nuk ka zhvilluar provë. “I kam parë në dy-tre ndeshje miqësore dhe për afrimin e tyre mbaj unë përgjegjësi. Normalisht që do t’i shohim edhe në fushë, por unë i kam parë. Ju (media) merruni me “Facebook” apo me prezencat apo mosprezencat. Është merkato dhe për këto afrime janë i bindur vetë. Se si do të shkojnë punët pastaj është një problem tjetër”, – tha Duro.

Gjatë merkatos verore Partizani është forcuar edhe me disa element të tjerë. I pari në listë ishte Idriz Batha që u pasua nga Arbnor Fejzullahu, Mentor Zhdrella, Lorenc Trashi, Dashamir Xhika, Bunjamin Shabani, Ardian Cuculi dhe Ignat Dishliev. Vijon revolucioni te Partizani.

Ikja e Anglisë, plas ironia

 Anglezët po përjetojnë sërish zhgënjim të thellë, kur të gjithë shpresonin se nën drejtimin e Hoxhson, kjo gjeneratë lojtarësh të rinj e të talentuar do të bënte surprizë. Menjëherë pas disfatës së dytë kundër Uruguait, në rrjetet sociale ka plasur tallja, ironia e sarkazma. Kur pyet ditë se, cila është diferenca mes një bustine çaji dhe kombëtares angleze dhe përgjigja është se bustina e çajit qëndron më gjatë në filxhan sesa Anglia në Botëror.

Sondazhi: “Largohu Del Boske!”

 E përditshmja spanjolle “Marca” organizoi një sondazh në lidhje me të ardhmen e trajnerit Vicente del Bosque në krye të stolit të Spanjës pas dështimit në botëror. Pjesa dërrmuese e tifozëve të “La Rojas” besojnë se aventurës së   teknikut në krye të skuadrës i ka ardhur fundi. Pas disfatave të rënda kundër Holandës dhe Kilit, 68.6 % e votuesve mendojnë se një tjetër trajner duhet ta drejtojë skuadrën spanjolle në eliminatoret drejt Euro 2016.