Saranda përjetëson ikonën e notit Esat Mamica

569
Sigal

Pishina natyrore e qytetit pagëzohet me emrin e ish-rekordmenit: “Kompleksi i Notit Esat Mamica”

Emocionet janë rrjedha shpirtërore që ecin në përrenjtë e viteve dhe krijojnë lumenjtë e kujtimeve për tu derdhur në oqeanin e memories kombëtare. Flasim për personalitete, për njerëz që nuk i kursyen asgjë qytetit të tyre. Por, flasim edhe për drejtues të notit shqiptar si presidenti Agim Çiraku që premtoi investime dhe se do krijojë kushte moderne të pishinës së Sarandës dhe mbështetje totale të ringritjes së këtij sporti tradicional të Sarandës, duke u mbështetur së pari tek tradita, dhe kjo po realizohet. Në fjalën e tij një vit më parë, presidenti Çiraku theksoi se në axhendën sportive të federatës së notit për Sarandën dhe kudo, do të jenë respektimi i figurave që i kanë dhënë sportit të notit. Dhe kjo ka nisur si në investime dhe respektime në Sarandë. Dhe një nga yjet e ndritur të sportit të Sarandës, pa dyshim është edhe Esat Mamaca. Yje që shkëlqimi i tyre ka prekur jo vetëm kufijtë gjeografik të Shqipërisë , por edhe jashtë kufijve shtetëror. Të çash detin me not dhe të korrësh rekorde, por të çash edhe portat e historisë e të futesh në analet e sajë, ti lësh qytetit bukurinë dhe mocionet e suksesit, lumturinë e gëzimit, hijeshinë e modestisë, shpirtin luftarak sportiv me dashurinë dhe krenarinë se përfaqëson një qytet dhe një shtet. Ky qe Esat Mamaca, një nga ikonat e sportit  të notit në Sarandë, mësuesi dhe trajneri që përgatiti breza të të tërë sportistësh dhe korri suksese së bashku me shumë ikona të tjera të sportit të notit në Sarandë, me jehonë kombëtare dhe ndërkombëtare. Dhe sot ai merr nderimin më të madh. Aty ku shërbeu me shpirtin e tij, aty ku i dha qytetit të tij dashurinë me punë e përkushtim duke i shtuar krenarinë Sarandës, aty ku vetëm një vit më parë u përurua me pjesëmarrjen edhe të presidentit të Federatës së Notit Shqiptar Agim Çiraku, ndihmuar me një investim të bankës “Raifansen Bank” dhe Bashkisë së Sarandës, zadra e re e notit në Sarandë, Esat Mamaca bëri daljen e fundit në aktivitete publike, ndonëse i munduar nga sëmundja dhe vitet. Ai mori pjesë në përurimin e kësaj vepre sportive me 13 Shtator 2013, pa e ditur se vetëm pak kohë do të largohej nga jeta dhe vetëm pak kohë pas vdekjes së tij ai do përjetësohej në këtë xadër që do merrte emrin e tij pas një vendimi të këshillit bashkiak të Sarandës. Dhe sot ai ndriti tek pjesa e tij, tek sheshi ku luftoi në jetë, tek qytetarët që u dhuroi suksese dhe brenda suksesit gëzim e krenari. Mesdita e së premtes, në ceremoninë zyrtare, ka ngulitur në murin e muzeal të memories së personaliteteve të nderuar të Sarandës edhe Esat Mamacën. Një ceremoni modeste, e thjeshtë e me pjesëmarrje të gjerë, jo vetëm sportive , por edhe qytetare. Vendosja e emrit të kësaj ikone sportive të Sarandës është bërë edhe pas një investimi infrastrukturor në këtë zadër të Raifansen Bank, të cilët kanë qenë prezentë. Pas prerjes së shiritit përurues, kryetari i bashkisë Stefan Çipa në prani të gruas së të përndriturit Esat Mamaca, të përfaqësuesve të shtetit, të botës sportive dhe të bankës “Raifansen Bank” si investitorë, ka folur për jetën dhe veprimtarinë e e mjeshtrit Esat Mamaca. Vetë bashkëshortja e të ndjerit  të vlerësuar ka përshëndetur pjesëmarrësit dhe falënderuar të gjithë për nderin që i bëhet bashkëshortit të sajë. Një demonstrim garash noti ka mbyllur aktivitetin.

Premtimi i Presidentit Çiraku

 Një vit më parë (shtator 2013), Presidenti i Federatës Shqiptare të Notit, Agim Çiraku, premtoi investime dhe se do krijonte kushte moderne të pishinës së Sarandës dhe mbështetje totale të ringritjes së këtij sporti tradicional të Sarandës, duke u mbështetur së pari tek tradita. Dhe kjo po realizohet. Në fjalën e tij një vit më parë, presidenti Çiraku theksoi se në axhendën sportive të federatës së notit për Sarandën dhe kudo, do të jenë respektimi i figurave që i kanë dhënë sportit të notit. Dhe kjo ka nisur si në investime dhe respektime në Sarandë.