Koha e pakët për kandidatët, FSHF: Duhej në shkurt sepse mbaronte mandati

68
Federata Shqiptare e Futbollit ka dalë me një njoftim në faqen zyrtare duke sqaruar arsyen se përse Komiteti Ekzekutiv vendosi që punimet për Asamblenë e Përgjithshme të Zakonshme (zgjidhet presidenti) të zhvillohen me datë 7 shkurt 2018.
I gjithë shqetësimi ishte ngritur për shkak të kohës së pakët që kandidatët për president kanë të përgatiten.
Postimi i FSHF-së
Federata Shqiptare e Futbollit, me qëllim sqarimin e opinionit publik, duke marrë shkas nga shqetësimet e ngritura në disa media sportive, thekson se Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së në mbledhjen e tij të datës 06/01/2018, ne bazë të kompetencave që i jep Statuti i FSHF-se, vendosi të thërrasë Asamblenë e Përgjithshme të Zakonshme (Zgjedhore) e cila do të zhvillojë punimet me datë 07/02/2018, ora 9:00, në Hotel “Adriatik“, Durrës.
Ky vendim është marrë në perputhje dhe në respektim të plotë të përcaktimeve të Statutit të FSHF dhe të kohëzgjatjes së mandatit aktual, i cili përfundon po në Shkurt 2018 dhe nuk mund të zgjatet tej këtij afati.
Po në përputhje me Statutin, nga ana e Sekretariatit të Përgjithshem, anëtarëve të FSHF iu dërgua njoftimi përkates, së bashku me rendin e propozuar të ditës. Në zbatim të nenit 21, pika 3, të Statutit të FSHF-së, brenda datës 18/01/2017, anëtaret duhet të depozitojnë zyrtarisht në Sekretariatin e FSHF-së emrin e delegatit me të drejtë vote që do t’i përfaqësoje ne këtë Asamble. Po sipas Statutit të FSHF-së, delegati nuk mund të zëvendësohet mbas afatit te dorëzimit të listës në Sekretariatin e FSHF-së.
Ne bazë të Nenit 31, pika 3, te Statutit te FSHF-se, anetaret kane të drejtë të propozojne një emër që do të kandidojë për President ose për Anëtar të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së. Ne zbatim të nenit 15, pika 1, të Rregullores se Procedurave te Asamblesë së Përgjithshme propozimi duhet të dorëzohet në Sekretariatin e FSHF-së brënda datës 18/01/2018.
Konform Nenit 15/4 të Rregullores së Procedurave të Asamblesë, kandidatët duhet që brenda datës 23.01.2018, të dërgojnë dokumentat e mëposhtëm tek Sekretariati i Përgjithshëm:
a) Të dhëna për cilin funksion ky kandidat do të aplikojë;
b) Emri, mbiemri dhe adresa e shtëpisë së kandidatit;
c) Një CV e Shkurtër ku i përgjigjet kërkesave të nenit 28 të Statutit të FSHF dhe ndonjë kërkesë tjetër rregulluese;
d) Evidenca dokumentuese të nevojshme për të provuar plotësimin e të gjitha kërkesave për kandidatin për zgjedhje;
Ashtu si ne të gjitha Asambletë e Zakonshme, zgjedhore ose jo, këto rregulla dhe procedura të ndjekura nga Komiteti Ekzekutiv në vendimmarrjen e datës 06.01.2018, jo vetëm që janë rezultat i respektimit rigoroz të akteve rregullatore, por për më tepër janë të njohura dhe të pranuara nga të gjithë anëtarët e Federatës. Rrjedhimisht shqetesimi i bërë prezent në këtë rast është i pavend.