Kategoria Superiore nis më 9 shtator, e fundit në Evropë

556
Nga Agron KAJA
FSHF/ Komiteti Ekzekutiv, dje caktoi fillimin e kampionateve, nuk ka ndryshime nga starti i sezonit të kaluar
Në këtë vapë përvëluese të fillimkorrikut, Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së hodhi hapin e parë për sezonin e ri futbollistik 2017-2018. Dje ai u mblodh për të diskutuar disa vendime të rëndësishme për strukturat e sezonit të ri futbollistik në vendin tonë, si dhe organizimin e garës për këtë sezon. Ndërkohë, me sa mësohet nga burime brenda FSHF-së, vendimi i parë që KE-ja mori dje, ishte përcaktimi i ndeshjeve të javës së parë të Kategorisë Superiore. Dhe kjo javë do të nisë në datën 9 shtator 2017, njësoj si në sezonin e kaluar, e që kështu do të jemi të fundit në Evropë që e nisim një sezon, pikërisht në dhjetëditëshin e parë të muajit shtator. 

FSHF ka preferuar më mirë që të shtyjë fillimin e kampionatit dhe ta ngjeshë atë në javët në vazhdim, sesa të fillojë që në muajin gusht dhe më pas ta ndërpresë për pauzën e Kombëtareve. Pra është e njëjta praktikë si në sezonin e kaluar, e cila në fund pati edhe një ngjeshje, kjo edhe e kushtëzuar nga shtyrja e ndeshjeve të vitit 2017, kur kemi parasysh se muaji janar ishte i ftohtë, me reshje bore e shiu, që e bënte të vështirë lojën. Sakaq, nga vendimi i KE-së, nuk ka pësuar ndryshime numri i të huajve në përbërje të skuadrave në Superiore, duke qëndruar në fuqi numri 4. Edhe pse skuadrat mund të kenë në përbërjet e tyre më shumë futbollistë të huaj, vetëm katër prej tyre pranohen të jenë në fushën e lojës. Ndërkohë, një tjetër lajm i mirë për klubet shqiptare, në aspektin institucional, është se futbollistët shqiptarë me pasaportë maqedonase, të cilët janë pjesë e Kategorisë Superiore apo dhe kategorive me të ulëta, që prej ditës së djeshme do të jenë njësoj si futbollistët shqiptarë nga Kosova, ata nuk do të konsiderohen më futbollistë të huaj. Ndërsa po përsëri nga dje, ndryshon rregulli i pezullimit me kartonë të verdhë për futbollistët, pasi secili që do të ndëshkohet me 4 kartonë të verdhë, do të pezullohet në ndeshjen e radhës, ndërkohë që më parë pezullimi ishte me tre kartonë të verdhë. Një nga vendimet e radhës dje për Komitetin Ekzekutiv të FSHF-së ishte edhe data e luajtjes së ndeshjes së Superkupës së Shqipërisë. Kështu, Kukësi Kampion dhe Tirana fituese e Kupës së Shqipërisë, do të ndeshen për Superkupën në datën 6 shtator. Këtë trofe, këto skuadra e kanë fituar: Tirana 10 herë dhe Kukësi 1 herë.
4 kartonë
Dje, KE i FSHF-së ka ndryshuar numrin e kartonëve të verdhë që e pezullojnë një futbollist, nga tre është bërë katër
Superkupa e Shqipërisë
Datë 6 shtator 2017
Kukësi-Tirana

KATEGORIA E PARË
Ndarje e re nga KE në FSHF, godet aleancat
Në mbledhjen e tij të djeshme, Komiteti Ekzekutiv në FSHF, ka përcaktuar edhe grupet e Kategorisë së Parë për sezonin e ri futbollistik. Vendimi i tij për ndarjen e grupeve të Kategorisë së Parë, tashmë duket se godet edhe konceptin rajonal dhe gjeografik të këtij niveli të futbollit shqiptar. Edhe pse baza e ndarjes teorikisht mbetet ajo gjeografike, janë bërë ndryshime për të shmangur aleancat e mundshme. Sepse, në krahasim me një sezon më parë, në Grupin e Veriut janë shtuar Korabi, Vllaznia B, Egnatia, si dhe Dinamo që është transferuar nga Grupi i Jugut. Ndërsa në Grupin e Jugut shtohet Tirana, Naftëtari, si dhe Shënkolli e Iliria nga Grupi i Veriut. Këta dy skuadra janë zhvendosur për shkak që të mos gjenden në një grup me Besëlidhjen e Kastriotin, pasi administrohen nga e njëjta Bashki. Kësisoj, aleancat që u shfaqën në sezonin e kaluar, e kanë një bllok, por që duhet parë kur të vijnë ndeshjet. Kampionati i Kategorisë së Parë do të nisë në datën 16 shtator 2017, ai do të luhet me tre faza. Dy të parat me sistem vajtje e ardhje, faza e tretë me formulën e aplikuar në sezonin e kaluar.
NDARJA E GRUPEVE
Grupi A (Veriu)
Korabi
Besëlidhja
Dinamo
Kastrioti
Burreli
Besa
Erzeni
Egnatia
Tërbuni
Vllaznia B
Grupi B (Jugu)
Tirana
Apolonia
Turbina
Bylis
Shkumbini
Pogradeci
Tomori
Shkënkolli
Iliria
Naftëtari.
Boshnjaku Safet Susiç refuzon Kosovën: Skuadër pa ambicie!
Ndërkohë që Federata e Futbollit të Kosovës po mendon ta zëvendësojë trajnerin aktual e përfaqësueses, Albert Bunjakin, një nga emrat e mëdhenj të futbollit boshnjak, Safet Susiç, diçka e tillë e refuzon, se nuk do të realizohet. Vetë Susiç, aktualisht trajneri i skuadrës së Alanjasporit në Super Ligën turke, ka hedhur poshtë mundësinë e marrjes së drejtimit të Kosovës. “Kush tha se unë do të marr drejtimin e Kosovës?! Nuk ka pasur negociata, dhe askush nuk më ka kontaktuar për të më pyetur nëse isha i interesuar. Nuk më pëlqen të flas mbi hipoteza, por unë nuk do të pranoja kurrë të drejtoja një kombëtare që nuk ka ambicie të qarta për t’u kualifikuar në një Kampionat Evropian apo Kupë Bote”, kështu ka deklaruar dje Susiç, duke e lënë të mbyllur derën e bankinës kosovare.
KOMBËTARJA
Duke në mes të Panuçit dhe Zengës për stolin kuqezi
Tashmë, Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, e ka mbyllur “Wikendin” për gjetjen e një trajneri për stolin e Kombëtares sonë, duke mbetur mes dy emrave: Valter Zenga dhe Kristian Panuçi. Tashmë ai e di se, për të zëvendësuar Xhani de Biazin do të jetë e vështirë, sepse, arritja e Euro 2016 ishte dhe do të vazhdojë të jetë një nga faqet më të bukura që kemi shkruar ndonjëherë në sportin shqiptar. Pikërisht largimi i tij e ka lënë një gropë që Duka ende nuk po gjen se me cilin emër do ta “mbushë”. Ai ende s’ka nisur pushimet e tij verore, dhe shpreson që “freskimi” të vijë kur të nënshkruajë me trajnerin e ri të Shqipërisë. Shumë emra, shumë kontakte, mesazhe telefonike. Tashmë ka mbetur në dy emra në garë: Kristian Panuçi dhe Valter Zenga. Ish-mbrojtësi i Romës dhe Milanit, por edhe ish portieri i Interit, janë duke reflektuar, pasi Duka ju ka bërë ofertën për 250 mijë euro në sezon, ndërsa për këto katër ndeshje do të paguhen shumë pak dhe, ndoshta në sajë të rezultateve. Si Panuçi, ashtu edhe Zenga, duan të dinë se çfarë do të ndodhë dhe se di do të jenë “liritë” e tyre. Në ditët e nxehta të korrikut, pretendohet që kjo “telenovelë” të marrë fund.
Sigal