Gjaku im është i pastër si zoti më ka krijuar, Shqipëria nuk ka shtet që të më mbrojë

728
Nga Agron KAJA
PESHËNGRITËSJA/ Romela Begaj përlotet në konferencë: Po të isha amerikane, medaljen do ta kisha në qafë, ndaj meje nuk ka asnjë provë! 
Peshëngritja shqiptare po përjeton ditë jo të mira. Dopingu është kthyer në makth te ky sport, ku event pas eventi dalin si pozitivë sportistë që me rezultatet e tyre kanë ngritur flamurin shqiptar në Botë. E fundit që është goditur nga dënimi i Federatës Botërore të Peshëngritjes është Romela Begaj, por ajo dje është betuar për pastërtinë e saj, dhe fajëson strukturat shtetërore dhe institucionet shqiptare, që nuk e kanë mbrojtur ndaj akuzave dhe dënimit për doping. Begaj proteston dhe akuzon, edhe pse ka rezultuar pozitive në testin B, që është zhvilluar së ditët e fundit. “Kam puthur Kuranin dhe jam betuar para tij dhe flamurit shqiptar, dhe për dy vetë, njerëzit më të shtrenjtë, se jam e pastër. Mbështetje nuk kam pasur, sepse nuk do të shkonte gjendja deri këtu. Po të isha amerikane ta kisha medaljen në qafë”, kështu e nisi deklaratën e saj dje Romela Begaj, gjatë një konference për shtyp, në të cilën ish-Kampionia e Botës rrëfeu gjithçka që ajo ndjen rreth dënimit të saj për përdorim të substancave të ndaluara në sport. Pak javë më parë, testi A e ka nxjerrë pozitive Begajn, ndërkohë që është konfirmuar zyrtarisht se, edhe testi B ka dalë pozitiv, duke bërë që medalja e saj si kampione bote në stilin e shkëputjes në SHBA t’i hiqet. Në këtë situatë, nuk ka asnjë ndërhyrje nga shteti shqiptar për të kontrolluar sportistët dhe për t’i mbrojtur ata ligjërisht, në rastet kur mendohet se akuza është e padrejtë. Dhe Romela e shpreh qartë këtë indiferentizëm të shtetit shqiptar, të të gjithë atyre, të cilët u ndjenë krenarë për arritjet e saj në Botërorin e fundit të Peshëngritjes që u zhvillua në fillimin e muajit dhjetor 2017. “Duart e mia kurrë nuk e kanë prekur atë lloj substancë, dhe prandaj betohem në Kuran. Ne jemi vendi i botës së tretë, dhe më vjen keq që kam lindur në një vend ku shteti nuk ka për një moment respekt për mua, punën time që kam bërë, medaljet që i kam sjellë Shqipërisë, ku kam harxhuar rininë që nuk blihet me lekë. Deri në ditën e fundit unë shpenzohem për Kuranin, flamurin, popullin tim dhe vë në dorë mbi këto gjëra më të shtrenjta që kam, kam një emër Romela Begaj. Gjaku im është i pastër si zoti më ka krijuar, shprehem për kuranin dhe dy njerëzit më të shtrenjtë që kam në jetë, se këto medalje kam marrë me gjak, me bukë dhe pa bukë, kam sakrifikuar dhe gjithë sakrifica e familjes sime është kjo që kam “, kështu ka vazhduar përlotjen e saj Romela në këtë konferencë, e cila është e gatshme që të bëjë një test tjetër për të treguar pastërtinë e saj. “Unë kam marrë medaljen dhe kam mundur botën e parë, kjo ka ndodhur. Jam e gatshme të provohem. Është e turpshme për mua të përfolem për diçka të tillë. Jam e gatshme për çdo njeri që të më testojë”.
Duart e mia kurrë nuk e kanë prekur atë lloj substance, dhe prandaj betohem në Kuran. Ne jemi vendi i botës së tretë, dhe më vjen keq që kam lindur në një vend ku shteti nuk ka për asnjë moment respekt për mua
KAMPIONATI BOTËROR
Gara e Romela Begaj në 69 kg
Stili Rez. Rend.
Shkëputje 107 kg 1
Shtytje 128 kg 5
Dygarësh 235 kg 2
Sigal