Berisha-Marketi, dilema e madhe e Lacios për portën

531
Sigal

Trajneri Edi Reja preferon shqiptarin, por i duhet të mendojë dhe për gardianin e Kombëtares italiane

“Marketi apo Berisha? Berisha apo Marketi? Dilema është e madhe, debati është i hapur. Për ndeshjen e së dielës kundër Sampdorias, dhe mbi të gjitha për ndeshjet e fundit të kampionatit për Lacion”. Kështu e përshkruan gazeta sportive italiane “La Gazzetta Sportiva”, situatën e dy portierëve të Lacios, aq sa dhe trajneri Edi Reja e ka shumë të vështirë për të zgjedhur njërin prej tyre, portierin e dytë të Kombëtares italiane, Marketin, apo gardianin e parë të Përfaqësues shqiptare, Berisha. Në fakt, sipas mediave italiane, logjika sugjeron se duhet të luajë portieri shqiptar, i cili në ndeshjet e fundit ka dëshmuar një besim më të madhe dhe ka qenë solid në paraqitjet e tij. Por, ta lësh mënjanë Marketin do të thoshte të ulje dukshëm vlerën e kartonit të tij, tej humorit të italianit. Një zgjedhje duhet bërë për ndeshjet e mbetura të kampionatit, pasi është e qartë se një nga të dy portierët duhet të largohet në fund të sezonit, dhe shanset më të mëdha i ka pikërisht italiani. Nuk është një moment i lumtur për ish-portierin e Kaljarit. Pas rikthimit katastrofik në Ligën e Europës, në ndeshjen e kthimit kundër bullgarëve të Ludogorecit, ku për shkak të dy gafave të Marketit, Lacio pësoi një eliminim të hidhur, ai u preferua sërish nga trajneri Reja. Pas një serie paraqitjesh të pranueshëm, të cilat i kishin bindur paksa të gjithë se e keqja kishte kaluar, Marketi bëri gafat e zakonshme. Pasi, të dielën e shkuar në ndeshjen kundër Parmës, Marketi ishte protagonisti negativ i lacialëve. Një ndeshje për t’u harruar nga portieri venecian, i cili ishte fajtor në të dy golat e pësuar nga Parma. Mendoi Antonio Kandreva, me golin e tij në kohën shtesë, për t’i bërë më pak të rënda gabimet e tij. Por, pyetjet mbi gjendjen psikofizike të Marketit gjatë kësaj faze qëndrojnë. Vendimi përfundimtar, megjithatë, nuk është marrë akoma. Berisha ka akoma disa shanse, për t’u rikthyer midis shtyllave të portës bardhekaltër. Portieri shqiptar është në kondicion psikologjik të kundër me atë të Marketit. Është i qetë, pasi është i vetëdijshëm se ka bërë shumë më tepër sesa pritej prej tij në vitin e tij të para si lacial. Bilanci i tij është pozitiv, edhe nëse nuk do të luaj më deri në fund të kampionatit. Do t’i pëlqente të bënte eksperienca të tjera, t’i jepte një dorë Lacios në sprintin për të kapur një vend në Ligën e Europës, edhe pse në Europë ai do të luajë një vit më pas, pasi bëri mirë në këtë sezon. Por, nuk do t’i bëjë keq edhe sikur të qëndronte në bankinë. Pasi, në çdo rast, e ardhmja është e tij. Një e ardhme që, mund të fillojë brenda disa muajve, kur Lacios do t’i duhet të bëjë një zgjedhje midis tij dhe Marketit.

Cana dhe Berisha “shkojnë” në shkollë

 Lorik Cana dhe Etrit Berisha janë shpesh protagonistë të politikave sociale që ndjek klubi i Lacios. Dje, dy lojtarët shqiptarë ishin të pranishëm në një nga shkollat e Romës, së bashku edhe me dy lojtarë të tjerë të klubit bardhekaltër, ku iu përgjigjën pyetjeve të fëmijëve dhe u dhanë autografe atyre.

“Kur do ta na shesë klubi? Bëjmë pjesë në merkato, secili ka një rrugë të tij të ndryshme. Ndonjëherë zgjedhja më e mirë është të shkosh në një vend tjetër”, – iu përgjigj Cana fëmijëve. “E rëndësishme është të kesh vlera, pastaj në fushë jemi krenarë të veshim bluzën e Lacios. Tifozët, përkundrazi duhet të provojnë të fitojnë ndeshjen në tribuna. Si ndihem kur dëgjojmë duartrokitje apo fishkëllima gjatë hyrjes në fushë? Kur nis të luash të bën gjithmonë përshtypje, por më pas je i përqendruar në fushë. Të luash në ‘Olimpico’ është gjithmonë e pabesueshme”. Nuk mund të mungonte pyetja për Lorikun edhe për golin e tij të mrekullueshëm kundër Fiorentinës. “Të bësh një gol të atillë për një mbrojtës nuk është se ndodh çdo ditë”.  Loriku ka bërë shaka dhe humor me ta, në lidhje se kush i kishte flokët më të bukur, ai apo Keita. Fëmijët zgjodhën afrikanin. Cana dhe Berisha kanë bërë foto edhe me shqiponjën, simbolin e Lacios. Cana foli edhe për dhunën në futboll.

 Igli Tare: “Jam krenar për Thoma Strakoshën”

 Igli Tare, drejtori sportiv i Lacios, ndihet i lumtur dhe krenar kur flitet për të rinjtë bardhekaltër. Ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare foli për mikrofonat e “Roma Today”, për të treguar idetë e tij dhe dhënë një gjykim për lojtarët e “Primavera”-s së klubit të tij. “Projekti ynë për të rinjtë është shumë serioz dhe ka nisur katër vite më parë. Jemi të bindur, pasi rezultatet e marra deri tani janë shumë të rëndësishme. Jo vetëm për Keitën. Kemi Kavandën, Strakoshën, Onazin, Rocin, Kataldin, Tunkarën, Lombardin, Filipinin. Kemi thuajse 11 lojtarë me potencial, për t’i pasur edhe në skuadrën e parë. Ata janë e ardhmja e Lacios”, – tha Tare për portalin italian. Drejtori sportiv shqiptar beson në planin e tij për Akademinë, një projekt në stilin e “Kanterës” së Barcelonës. “Do ta fillojmë gjatë kësaj vere. Mund të kemi një rritje të cilësisë. Kemi krijuar strukturën dhe ideja është që ta bëjmë në pellgun e Lacios dhe në tërë Italinë. Pastaj, të rinjtë që do të vijnë nga jashtë duhet të bëjnë diferencën”. Ekipi i të Rinjve të Lacios është në finalen e madhe, për të qenë Kampion i Italisë, dhe meritë për këtë padyshim ka edhe portieri shqiptar Thoma Strakosha, një nga më të mirët e skuadrës dhe që stërvitet me ekipin e parë, teksa shpesh ka qenë në bankinë gjatë ndeshjeve të Serisë A.

 Totenhemi interesohet për Valon Behramin

 Valon Behrami duket se gjithnjë e më shumë është duke u larguar nga Napoli. Destinacioni i tij i ardhshëm pritet të jetë Anglia, ndërsa klubi i interesuar për kosovarin me pasaporte zvicerane është Totenhemi. Mesfushori 28-vjeçar nuk është duke luajtur shumë në ndeshjet e fundit, ndërsa largim i tij në verë duket se është punë e kryer dhe ka mbetur vetëm të zbulohet klubi. Pas interesimit të Liverpulit, por edhe Interit të Milanos, mediat italiane kanë raportuar për një interesim të ri që vjen nga Premier League, madje sipas tyre gjërat kanë lëvizur deri në kontaktin direkt ndërmjet përfaqësuesve të futbollistit dhe klubit. Sipas “Sky”, menaxheri i Behramit, Fali Ramadani ka udhëtuar drejt Londrës për të diskutuar mundësinë e kalimit te Totenhem Hotspur. Valon Behrami ka luajtur më parë në Angli me Uest Hem Junaitid, gjatë viteve 2008-2001, ku në 58 ndeshje shënoi katër gola.

“Botërori 2022” i Katarit, bilanc lufte me 400 të vdekur

 Ndërtimi i stadiumeve në Katar, për Botërorin e futbollit të vitit 2022 është shndërruar në një histori vdekjesh pa fund, aq sa mediat ndërkombëtare flasin për një “bilanc lufte”. Zëvendëspresidenti i Federatës Botërore të Ndërtimit, Pierr Kypens në kuadër të fushatës “Karton i kuq për FIFA-n”, i  thënë “jo” një botërori pa të drejtat e punëtorëve. Sipas disa përllogaritjeve të fundit, numri i personave që kanë humbur deri tani jetën në Katar është 400, por me ritmin aktual kjo shifër mund të arrijë në 4000 në vitin 2022. Kupens zbulon se nga Katari drejt Nepalit nisen avionë me punëtorë të vdekur, për t’u kthyer të mbushur plot me punëtorë të tjerë që i pret i njëjti fund. Ata trajtohen si kafshë, me pagë minimale, në kushte të mjerueshme dhe pa siguri në punë, madje është rritur numri i punëtorëve në moshë të re që vdesin nga infarkti për shkak të qëndrimit me orë të tëra në diell në temperatura shumë të larta. Autoritetet në Katar thonë se përgjegjësitë janë të firmave të ndërtimit, që nga ana e tyre mbrohen me faktin që është administrata qendrore në Katar që u ka lënë dorë të lirë në organizimin e punës. Ndërsa FIFA është shfajësuar që në krye të herës, duke deklaruar se nuk ka kompetenca për të kontrolluar atë që ndodh në këtë vend.