Genc Tomori: “Beteja për titullin sa ka filluar”

554
Sigal

Ish-lojtari i Partizanit: “Pretendentet e mëdha treguan vlerat e tyre, por prisni surpriza nga ky edicion”

Specialisti i njohur i futbollit, Genc Tomori, ish-mesfushori i Partizanit dhe i Kombëtares shqiptare, tha për gazetën “Telegraf” se, java e parë e Kategorisë Superiore, në përgjithësi dha një panoramë të ekuilibruar në shtatë ndeshjet e saj (tri fitore dhe katër barazime). “Por, – theksoi Tomori, – favoritët e mëdhenj si Skënderbeu, Tirana dhe Teuta, me fitoret e tyre jashtë fushe dëshmuan se dhe këtë sezon do të jenë pretedente të forta për trofetë”. Në shtatë ndeshjet e javës së parë u regjistruan tri fitore dhe katër barazime, ku vetëm në Kukësi-Luftëtari (0-0) nuk u realizuan gola. Genc Tomori ka dalë kampion me Partizanin e sezonit 1986-1987 dhe është autori i golit të 50-të të Kombëtares shqiptare, pikërisht në ndeshjen e humbur 2-1 kundër Gjermanisë, në Zarbryken, takim i vlefshëm për eliminatoret e Euro 1984.

Zoti Tomori, java e parë e Kategorisë Superiore, me shtatë ndeshjet e saj, bëri prezantimin e parë të skuadrave në edicionin e ri. Cili është vlerësimi juaj?

Në një gjykim të përgjithshëm,  me rezultatet që prodhoi java e parë, mund të themi se pamë ndeshje të ekuilibruara, por fakti që Skënderbeu, Teuta dhe Tirana fituan në transfertë, e tregon qartë se ato do të jenë ndër favoritet për të fituar trofetë edhe këtë sezon. Gjithsesi, jemi vetëm në javën e parë, dhe një mendim më të qartë dhe real për forcën e skuadrave do të kemi mundësi ta shohim pas javës së pestë. Ky kampionat është shumë i vështirë. Do ta përcaktojnë shumë përbërjet e lojtarëve.

Skënderbeu fitoi 3-1 në Shkodër, ndaj një Vllaznie që kishte bërë një merkato të bujshme. A është ky një mesazh i qartë i kampionëve, pavarësisht ndryshimit të presidencës?

Po të shohësh merkaton, klubi korçar bëri pak lëvizje, duke e ruajtur në përgjithësi grupin dhe boshtin e lojtarëve. Tregoi se është një skuadër e konsoliduar. Afrimi i sulmuesit kroat Pero Pejiç ishte një plus më shumë. Skënderbeu luajti më i qartë në Shkodër, duke i shfrytëzuar të gjitha mundësitë që iu paraqitën, por dhe momentin disi të turbullt të Vllaznisë. Në fakt, humbjen me rezultatin 3-1 do ta quajë surprizë, pasi shkodranët nuk bënë një ndeshje për të humbur me atë rezultat.

Tirana dhe Teuta fituan në Berat dhe Peqin, kundër formacioneve vendase. Sa të lehtë e patën?

Fitoret e tyre vërtet ishin minimale, por kur merr tri pikët në transfertë, ato janë një plus i madh. Është e ditur në futboll, që kampionati fitohet me pikët që merr jashtë fushe. Të mos harrojmë se, Teuta fitoi ndaj një Shkumbini me lojtarë të rinj, ndërkohë që Tomorit i duhet kohë të konsolidojë të gjitha repartet. Në disa momente tregoi një lojë të bukur ndaj Tiranës.

Flamurtari edhe pse investoi fuqishëm në merkato, nuk arriti të merrte tri pikët kundër Bylisit, edhe pse ndeshja u luajt në fushë asnjanëse. Çfarë mendoni se nuk shkoi te vlonjatët?

Flamurtari nuk arriti të shprehë të gjithë potencialin e tij, ndërkohë që duhet thënë se lojtarët që ka marrë kërkojnë një periudhë kohe që të harmonizohen me grupin. Mendoj se, me futbollistët cilësorë që ka, pa asnjë dyshim që e rendis midis pretendentëve për titull. Vërtet mori një pikë kundër Bylisit, por nga ana tjetër, nuk duhet të harrojmë se ballshiotët nën drejtimin e Agim Canajt kanë një skuadër me grintë.

Laçi dhe Besa, Apolonia me Kastriotin, si dhe Kukësi me Luftëtarin, ndanë barazimet midis tyre. Si i shikoni këto ekipe?

Nuk dëshiroj t’i paragjykoj këto skuadra, pasi është luajtur vetëm një javë. Gjithsesi, barazimet e tyre tregojnë se, këto skuadra do të luftojnë fort për të mbijetuar, pasi dihet se tani në këtë sezon do të dalin direkt dalin katër vendet e fundit, që bien direkt, Gjithsesi, është ende herët të flasim. Për një gjë jam i bindur, ky kampionat edhe për shkak të formulës që ka do të ketë shumë rivalitet, për të mos thënë dhe shumë surpriza, sidomos nga Kukësi, një ekip që ka investuar shumë në merkato, por i mungon përvoja në një kampionat si ai i Kategorisë Superiore. Kastrioti dhe Laçi kanë treguar në edicionet e fundit, se dinë të ndërtojnë skuadër.