Gatuzo i hap derën De Biazit, ish-trajneri kuqezi edhe një hap më afër Serisë A

519
Sigal

Xhani De Biazi mund të emërohet në orët e ardhshme si trajneri i ri i skuadrës së Sampdorias, me objektivin për të nxjerrë këtë ekip nga situata e rëndë në të cilën gjendet, në fundin e renditjes në kampionatin italian. Drejtuesit e klubit kishin si alternativë kryesore Gatuzon, por gjërat nuk shkuan siç duhet me ish-trajnerin e Milanit dhe tanimë De Biazi duket në “pole position”.

Mediat italiane bëjnë të ditur se biseda e sotme mes Ferrero dhe Gatuzos kishte mbyllur çdo diskutim për ish-mesfushorin, të cilin nuk e bindte projekti i një klubi i cili prej kohësh është zyrtarisht në shitje. Ai ka refuzuar përfundimisht ofertën, duke bërë që Ferrero të kthejë sytë nga alternativa të tjera.

“Sky Sport” bën të ditur se tani De Biazi është alternativa e parë edhe për faktin se dje është takuar me drejtues të Sampdorias dhe ka biseduar konkretisht për të ardhmen, ndërsa i vetmi “rival” që mbetet në garë është Xhuzepe Jakini me të cilin drejtuesit do të kenë një bisedë para se të marrin vendimin përfundimtar. De Biazi ka qenë në bisedime edhe me Federatën e Ekuadorit së fundmi dhe është ende në listën e kandidatëve për të marrë drejtimin e kombëtares së këtij vendi.